Gazeta gjermane për 30 qershorin: Pjesëmarrja më e ulët në histori, dalin më shumë fletë votimi se votues

“Të dielën u zhvilluan zgjedhjet lokale në Shqipëri. Me rreth 20 përqind, pjesëmarrja ka të ngjarë të jetë më e ulëta në historinë e vendit”, shkruan gazeta gjermane, Tageszeitung.

Nga Erich Rathfelder

Pavarësisht se nuk pati të dielën përplasje mes militantësh, ashtu siç druhej, zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk u kurorëzuan në mënyrë të favorshme. Sipas të dhënave fillestare, pjesëmarrja me rreth 20 përqind ka shumë gjasa të jetë më e ulëta në historinë e vendit.

Kryeministri Edi Rama donte që zgjedhjet lokale të mbaheshin me çdo kusht, edhe pse opozita nën udhëheqjen e Partisë Demokratike për muaj me radhë donte ta parandalonte këtë. Kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri përsëri thirrje të shtunën në mbrëmje për të bojkotuar zgjedhjet.

Në Tiranë, protestuesit u vendosën përpara qendrave të votimit për të trembur votuesit. Në qytetet e Durrësit dhe të Shkodrës pati incidente të vogla, shkelësit u arrestuan.

Në tërësi, megjithatë, situata mbeti çuditërisht e qetë. 12 mijë policë ishin në detyrë. Rezultatet zgjedhore nuk janë bërë ende të njohura.

Më shumë fletëvotimi se votues

Megjithatë, mashtrimet elektorale nuk përjashtohen në asnjë mënyrë: për shembull, në bashkinë e Malësisë së Madhe, sipas informacioneve të një transmetuesi vendor, me 7772 vota, komisioni zgjedhor e tejkaloi në mënyrë të konsiderueshme numrin e 7600 votuesve të deklaruar.

Dy kampet politike në Shqipëri, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë kundërshtuar njëra-tjetrën në mënyrë të papajtueshme për dekada të tëra. Të dy kampet akuzojnë respektivisht se sigurojnë qoshe të ngrohta në shesh për njerëzit e tyre.

Secila palë e akuzon tjetrën se janë të korruptuar. Në sytë e opozitës, kreu i qeverisë Edi Rama është kreu i një karteli droge, në sytë e socialistëve, opozita po lufton kaq fort për shkak se është e ndjeshme ndaj reformës në drejtësi, të inicuar nga qeveria. Shumë prej gjykatësve dhe prokurorëve, të rekrutuar në kohën e sundimit të Partisë Demokratike, nuk mundën të provonin se si e kanë siguruar pasurinë pas shqyrtimit.

Partia Demokratike ka kohë që po bën thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Më shumë se 60 deputetë dhe aleatët e tyre dhanë dorëheqjen nga mandatet në shenjë proteste në fund të shkurtit.

Mungesa e përgjegjësisë

Të dyja palet kërkojnë të integrojnë vendin në BE, por ato nuk janë në gjendje të zbatojnë bashkërisht reformat që janë parakusht për anëtarsim. Ka mungesë përgjegjësie në të dy kampet politike, ankohen prej kohësh diplomatët e huaj dhe përfaqësuesit e fondacioneve politike gjermane.

Në fund të fundit, BE dëshiron të nisë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Maqedonia e veriut ka mundësi të mëdha për të ndërmarrë hapa drejt BE-së, Shqipëria rrezikohet të anashkalohet vetë në pozicion jashtë loje. Zgjedhjet lokale të së dielës nuk kanë gjasa ta avancojnë vendin.