2 korriku 1990/ Paloka: Uroj që shqiparët të mos mbushin sërish ambasadat!

Nga Edi PALOKA

2 korrik 1990!

Gjithnjë 2 korrikun e kam kujtuar me një përzjerje sentimentesh për shkak se fijet që me lidhin me të janë më shumë se një!

Pothuajse të gjithë miqtë e mi të asaj kohe u larguan me ambasadat. Disa prej tyre ishin nga ata qe thyen e kapercyen muret të parët. Disa prej tyre nuk i kam takuar më! Disa të tjerë nuk do ti takoj dot më kurrë sepse jo të gjithë ja dolën në të papriturat e jetës së re.
Unë nuk munda për arsye personale, të shkoja me ta!

Ne që mbetëm, për pak kohe na u duk vetja të humbur përgjithnjë. Ata që ikën ishin zemra e reagimit kundër rregjimit në atë kohë (kishin ndodhur ngjarjet në Shkodër e Kavajë dhe protesta e heshtur me 28 janar në Tiranë).

Gjithnjë 2 korrikun e kam kujtuar me mall e respekt, jo vetëm për miqtë e mi po për gjithë ata guximtarë që thyen të parët “murin shqiptar të izolimit”.

Sot, për fat të keq, tjetër arsye ma solli në mend; monstra e re, këlyshi i atyre që izoluan e dhunuan shqiptarët për 50 vjet, po kërkon të na rikthejë ku kemi qenë. E kjo jo vetëm në sytë po ndonjëherë dhe me “buzeqeshjen” e atyre që dikur hapen dyert e ambasadave për të pritur mijëra shqiptare.
Uroj të mos ju duhet ta bëjnë prapë…