Procedimi penal ndaj Ademit vendim politik i Ramës, kryebashkiakia: Kështu filloi edhe në 1945-ën!

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cilësoi “vendim politik” të Edi Ramës procedimin penal që policia ndërmori sot me akuzën se pengon votuesit.

Deklaratë e dhënë sot para mediave nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi

Të dashur bashkëqytetarë!

Sot është një ditë jo e lehtë për Shkodrën tonë por edhe Shqipërinë. Janë orë që në kujtesën tonë por edhe të prindërve tanë, rikthejnë një kohë që menduam se e lamë pas në dhjetorin e 1990-ës.

Të gjithë shkodranët e shqiptarët e panë dje përmes mediave e rrjeteve sociale, se si u dhunuan institucionet në pronësi të Bashkisë së Shkodrës dhe qytetarëve të saj. Çdo gjë është faktuar me prova të shumta, të cilat shumë shpejt do të dërgohen në Prokurori për të vënë para përgjegjësisë të gjithë shkelësit e ligjit.

Çdo veprim i Bashkisë së Shkodrës, është bazuar në Kushtetutën e vendit, Dekretin e Presidentit të Republikës dhe Ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Çdo komunikim shkresor zyrtar me institucionet, ka qenë transparent dhe i përcjellë nga mediat, të cilat gjej rastin ti falënderoj për punën e shkëlqyer në shërbim të informimit të publikut.
Të dashur bashkëqytetarë,

Shpesh herë, prindërit e mijë, që në fëmijëri më tregonin për fatin e keq të të afërmëve të mijë nga 1945-a deri në vitin 1990. Që në hapat e parë të jetës jam përballur me historitë tragjike të gjyshit tim por edhe të tjerëve në familjen time. Në fundin e 1990-ës u ngritëm të gjithë, mes tyre dhe unë edhe pse në moshë shumë të re, të rrëzonim sistemin diktatorial. Sot, nuk pranoj kurrsesi se shkodranët e shqiptarët do të lejojnë instalimin e një diktature të re.

E kemi detyrim sidomos për fëmijët tanë që të mos i lëmë në dorën e regjimit nga i cili vuajtën dhe u persekutuan prindërit tanë.
Procedimin penal për kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, nuk është i ditës së sotme. Ai është paralajmëruar ditën e djeshme, në transmetim direkt nga komisarët politikë në KQZ.

Madje, ata publikisht kërcënuan e intimiduan një kryetare bashkie në detyrë dhe në përmbushje të funksionave të saj kushtetuese e ligjore. Nuk habitem aspak nga njoftimi për procedim penal, me të cilin u njoha përmes mediave. A nuk filloi kështu edhe në vitin 1945-së?! A nuk po ecim në të njëjtën rrugë që po na imponohet edhe sot, me 30 qershor 2019?!

Pasi u njoha me vendimin politik të policisë dhe prokurorisë politike të Edi Ramës për tu proceduar penalisht, dua të deklaroj se unë si kryetare e Bashkisë së Shkodrës dhe në emër të Bashkisë që drejtoj se nuk kam shkelur asnjë ligj, asnjë punonjës i qeverisjes vendore nuk ka shkelur asnjë ligj.

Bashkia e Shkodrës ka zbatuar vetëm Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit të Republikës i cili ka çdekretuar datën 30 qershor si ditë për zgjedhjet vendore.
Procedimi penal ndaj meje, është një vendim politik i vetë Edi Ramës, i cili kërkon të bëjë me çdo kusht zgjedhje antikushtetuese dhe moniste si e vetmja mënyrë për të ëndërruar qeverisjen nga Rilindja të Shkodrës.

Të dashur bashkëqytetarë,

Skenari është i njohur: Është rradha e arrestimeve, gjyqeve partizane, internimeve, kampeve të përqendrimit dhe të punës së detyruar, burgosjes, agjitacion e propagandës…

Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ne zgjedhim të heshtim, të mbyllim gojën, të nënshtrohemi! A do ta lejojë këtë Shkodra e Shkodranët? Unë jam e sigurtë se JO! Jam e bindur se nuk do ta lejojmë të gjithë bashkë!

Në fund, një thirrje për të gjithë bashkëqytetarët! Ruani qetësinë si deri më tani.

Dhuna nuk i intereson askujt, nuk sjell asnjë të mirë. Të mos biem pre e provokimeve, të pamundësojmë skenarë që mbase dikush i ka përgatitur do ti realizojë në Shkodër! Të gjithë bashkë ia kemi dalë, të gjithë bashkë do t’ia dalim!