Pjesëmarrja 12%/ Kreu i KQZ përgënjeshtron shifrat e publikuara nga ushtarët e Ramës në KQZ

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, në një komunikim me mediat, u shpreh se të dhënat e publikuara më herët nga zëdhënësja e KQZ për pjesëmarrjen në votime, nuk janë zyrtare.

“Përmes një deklarate janë raportuar shifra dhe një përqindje e caktuar deri në orën 11:00.

Ndërkohë, dua të saktësoj, se kjo nuk është shifra zyrtare e konfirmuar nga KQZ-ja. Kjo shifër ka ardhur përmes komunikimeve të specialistëve të KQZ me KZAZ-të. KZAZ-të i kanë marrë këto të dhëna përmes komunikimit telefonik me sekretarët e qendrave të votimit. Duke dikur edhe përbërjen e administratës zgjedhore, unë besoj se këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar zyrtarisht nga KQZ. E them edhe njëherë se nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe kanë ardhur përmes komunikimit elektronik”, tha Klement Zguri.

Zëdhënësja e KQZ njoftoi se deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime në rang vendin ishte 12 përqind.

Për mashtrimin e KQZ ka reaguar edhe PD. Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku shprehet se, shifra 12 % e shpallur në orën 11:00 nga KQZ është një ‘gënjeshtër e trashë’.

“Sipas KQZ pjesëmarrja në orën 10, është 12%, ekzaktësisht sa në 2017, siç tregon dhe vetë faqja e KQZ. Gënjejnë dhe trashë, dhe kur numërojnë vetë, votojnë vetë, përsëri kanë nevojë të gënjejnë! Këtë përqindje e ka pasur vendi kur kandidonin dy aleanca të mëdha dhe një parti e tretë.

Këto nuk janë zgjedhje as votime. Punëtorë të administratës të detyruar për të shkuar në votime për të mos humbur vendin e punës!

Farsa vazhdon dhe do të jetë edhe më qesharake kur të na paraqesin një realitet tjetër. Shqiptarët po bojkotojnë ndërsa mazhoranca vazhdon të prodhojnë shifra nga fabrika e propagandës”, shprehet ajo.

1 1