Dritëhijet e kaosit dhe të 30 qershorit

135

Namir LAPARDHAJA

Mazhoranca po tenton që kaosin e sotëm, në një anë ta shesë si frymëzim i Berishës dhe pasuesve të tij në PD dhe, në krahun tjetër, debatin lidhur me përgjimet e botuara ta kthejë në një debat penal me qytetarët. Po pse këto dy vija paralele janë kaq të rëndësishme për mazhorancën e sotme dhe se si qëndrojnë ato me 30 Qershorin?

Për PS-në, e sidomos për Edi Ramën veçanërisht, duket se të vetmja arritje gjatë qeverisjes ka qenë shpikja e një armiku të madh si Berisha dhe e shkuara e tij me vitin ’97 dhe “21 Janarin”. Këto dy “investime” Rama i ka shëtitur përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, duke tentuar të mbyllë çdo lloj debati lidhur me dështimet e tij. Çdo debat në fakt me sukseset apo jo të Qeverisë së Ramës në këto 6 vite do të shuhej vetëm me faktin se sa shumë shqiptarë e kanë lënë vendin.

Atëherë, si mund të krenohet një qeveri se po rrit ekonomikisht vendin dhe se ka ngritur shtet kur shqiptyarët po ikin më shumë se sa në vin 1997, apo edhe pas 21 Janarit? Shpopullimi që i ka bërë Shqipërisë Rama në këto vite është një krim më vete që do të mjaftonte që shqiptarët ta ndëshkonin me votë apo me revolta. Por shqiptarët, edhe pse protestat kanë qenë të mëdha, ende nuk janë zgjuar, që të kuptojnë se përgjimet janë veçse një provë e vockël e së keqes së madhe.

Se këto përgjime tregojnë se shteti për Ramën është një “rilindje në duart e krimit”. Për këtë ndoshta ai ka arritur të mbajë fjalën, edhe pse nuk ua ka shpjeguar kështu shqiptarëve kur u ka kërkuar apo rrëmbyer votën. E megjithatë, ka një pyetje që rri pezull? Përse ende shumë shqiptarë që duan të dëbojnë Ramën nuk janë në oborrin e opozitës?

Çfarë ka ndodhur në këto vite që PD nuk ka mundur të bashkojë të gjithë shqiptarët në një front popullor? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë vetëm në shërbim të së ardhmes së PD-së. Këto pyetje kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë, me të ardhmen e të gjithë atyre që besojnë ende se përmes politikës mund të ndryshohet edhe vendi.

Ka shumë përgjigje që lidhen me investimin e Edi Ramës për të poshtëruar opozitën. Ka shumë dhunë dhe presion nga të fortët që të mos i bashkëngjiten opozitës. Megjithatë, PD duhet të gjejë arsyet se përse Rama, edhe pas gjithë këtyre skandaleve, është ende në zyrën e tij dhe i mbështetur nga ndërkombëtarët.

PD ka lindur si parti e shpresës, ndaj nuk mund të lejojë që pasardhësit e komunistëve dhe vijuesit e politikës së tyre për poshtërimin e shqiptarëve, ta paraqesin PD-në sot si një parti e luftës. Për rrëzimin e Edi Ramës do të mjaftonte vetëm dështimi për Negonicatat me BE, do të mjaftonte vetëm gjyqi absurd me Beketin vetëm për tekat e kryeministrit për t’i mbyllur gojën medieve që nuk i zotëronte, do të mjaftonte skandali i vjedhjes dhe falsifikimit me Unazën, do të mjaftonin vetëm përgjigmet me Avdylajt.

Këto e shumë skandale të tjera do të mjaftonin që Rama të mos ishte asnjë ditë më shumë Kryeministër.