Al Jazzera reportazh për Shkodrën: Presion politik çdo ditë nga zyra e kryeministrit…

112

John Psaropoulos, gazetari i Al Xhazirës i rikthehet reportazheve nga Shqipëria. Rrjeti gjigand ka paralajmëruar një ditë më parë në një debat të gjatë televiziv, me titull “A do e braktisë Shqipëria demokracinë” se do ketë mbulim intensiv të situatës në Shqipëri. Këtë herë gazetari ishte në veri të vendit, në fshatrat e Shkodrës në kufi me Malin e Zi, duke theksuar se ato po vuajnë nga neglizhenca e qeverisë.

30 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria mbetet një prej vendeve më të varfra në Europë. Fshatarët në Shkodër, pranë kufirit me Malin e Zi, po përpiqen të mbijetojnë përballë neglizhencës qeveritare. Investimet e huaja nuk po vijnë dhe bizneset shqiptare po largohen për shkak të krimit të organizuar, që ka mbetur i pakontrolluar prej autoriteteve të ligjit,” shkruan gazetari.

Ai interviston Agim Sulejmanin, që ka një fermë në Shkodër dhe punon nga mëngjesi deri në darkë. Sipas gazetarit, popullsia vendase po bie dhe nuk ka më konsumatorë për të blerë produktet e tij.

“Nëse i dërgojmë domatet në Mal të Zi, na arrestojnë për trafik e kontrabandë dhe na dërgojnë në burg. Nuk na arrestojnë ata në Mal të Zi, por autoritetet tona,” thotë Sulejmani.

Sipas gazetarit, Sulejmani beson se kjo vjen për shkak se Shkodra është një qytet i djathtë dhe qeveria e majtë që është në pushtet prej gjashtë vitesh, nuk do ta ndihmojë.

Në reportazh thuhet se Shkodra është një rajon i varfër në një vend që është mjaftueshëm i varfër, me të ardhura për frymë prej vetëm 4500 dollarësh në vit.

“Në gjashtë vitet e fundit, ekonomia ka vuajtur. 35 mijë veta janë larguar nga qyteti për jashtë vendit. Kryebashkiakja Voltana Ademi thotë se jo vetëm nuk po vijnë investime të huaja, por po ikin edhe biznesmenët shqiptarë për shkak se janë të intimiduar nga krimi. Ajo thotë se këto taktika intimidimi përdoren edhe nga qeveria,” thekson gazetari.

Vetë kryebashkiakja thotë: “Presion politik çdo ditë. Nga zyra e kryeministrit. Nëse nuk e respekton këtë apo atë, do të shkoj tek zyra e prokurorit dhe do ju çoj në burg. Kjo nuk mund të vendoset nga politika”.

“Bashkia përkrah nisma për biznesin lokal, siç është një nismë për punimet artizanale në qytet. Por të ardhurat e fituara janë sa gjysma e atyre që mund të fitohen në Mal të Zi, disa kilometra larg. Ndërsa bashkia po i ndihmon disa njerëz që të qëndrojnë, shumë të tjerë po ikin”, mbyllet reportazhi.

https://ëëë.aljazeera.com/neës/2019/06/albanias-challenge-rural-counties-left-190625112741309.html