Visar Zhiti: Revansh i frikshëm i atyre që bënë diktaturën dhe ushtruan dhunë!…

– Mesazh i shkrimtarit Visar Zhiti, ish i burgosur politik i Spaçit dhe Qafë Barit, drejtuar bshkëvuajtsve dhe organizatorëve të veprimtarisë të Revoltave të Spaçit dhe Qafë Barit në Washington D. C., pranë monumentit të Lirisë kushtuar viktimave të komunizmit-

– ZHITI: …Ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.

….Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre….*

Të dashur bashkëvuajtës,

Organizatorë të Veprimtarisë së Shqiptarëve të Amerikës në përkujtim të dy revoltave të të burgosurve politikë

I nderuar Fondacion për Viktimat e Komunizmit në Washington D.C.

E nderuar Vatër, Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA” dhe Gazeta e saj”DIELLI”,
Bashkatdhetarë të dashur,
Miq në Amerikë

Është akt i lartë dhe me rëndësi që ju mblidheni në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Washington .D.C të superfuqisë më të madhe, kampion i lirisë dhe i demokracisë dhe i mbrojtjes së tyre kudo në botë, që të përkujtoni dhe të nderoni pranë Memorialit të Lirisë, kushtuar viktimave të komunizmit, dy revolta të të burgosurve politik në një vend të vogël dhe të largët, në Shqipërinë tonë.

Dy revoltat në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe të Qafë Barit tronditën diktaturën së brendshmi dhe ishin të vetmet kryengritje në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste.
Të burgosurit u ngritën jo vetëm kundër dhunës së rëndë, po dhe kundër mbylljes së Atdheut në bunkerin e diktaturës, duke kërkuar liri, me ëndrrën që Shqipëria të bëhej demokratike.

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës i mbyti këto revolta me gjak dhe hekur, duke vrarë dhe ridënuar të burgosur, madje duke dënuar dhe vetë burgjet. Ne ishim të dënuar në vendin e dënuar.

Dhe ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.

Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre, që tani janë pasuruar apo kanë detyra gjithandej a kanë emigruar në botën Perëndimore, jo në Lindje, jo, nostalgjikë të asaj që historia e hodhi tej duke arritur deri aty sa të guxojnë të persekutojnë sërish të persekutuarit e tyre të dikurshëm në forma të tjera mashtruse.

Ne shpesh ndihemi të nëpërkëmbur e të braktisur, edhe nga vetvetja e lodhur, prandaj kjo që bëni ju sot është dhe shpresë, dhe moral, dhe qortim, dhe qytetari e lartë, mbrojtje e bashkëvuajtësve tuaj në Atdhe.

Nga SHBA gjithëmonë na ka ardhë mbështetja ekzistenciale si komb, frymëzimet për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Aq më tepër tani, që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe SHBA-ja e shikon popullin shqiptar si aleat strategjik.

Me kurorat e luleve që keni sjellë sot, lutem që të bashkoni fjalët dhe urimet e mia!
Juaji
Visar Zhiti
Shkrimtar
Ish i burgosur politik i Spaçit dhe Qafë Barit.
Tiranë, maj 2019

* Mesazhi i Shkrimtarit dhe ish të burgosurit politik Visar Zhiti u përcoll gjatë ceremonsië nga Editorja e Gjuës angleze të Gazetës “DIELLI” Rafaela Prifti.

/Vatra/

60731416 608356256330015 6203869131364630528 n

60897573 608356662996641 4975931710785978368 o