Pakistani teston një raketë balistike

100

Pakistani njoftoi të enjten se ka testuar një raketë balistike e aftë për të bartur armë bërthamore në një distancë deri në 2400 kilometra. Pakistani transmetoi një video të raketës e cila u ngrit në ajër dhe më pas u ul në një vendndodhje të panjohur në det.

“Shaheen II është një raketë që plotëson nevojat strategjike të Pakistanit drejt ruajtjes së stabilitetit të në rajon”, tha ushtria pakistaneze në një deklaratë.

Raportet mes Pakistanit dhe Indisë janë përshkallëzuar kohët e fundit pas disa përleshjeve të armatosura në rajonin e kontestuar të Kashmirit, ndaj të cilit të dyja vendet kanë pretendime.

Pavarësisht testimit të raketës bërthamore, Pakistani sinjalizoi gatishmërinë për të hapur bisedimet paqesore me Indinë.

Të mërkurën, ministri i jashtëm pakistanez Shah Mehmud Qureshi bisedoi me homologun e tij indian, në margjinat një takimi të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek.

“Ne nuk flasim me hidhërim, ne duam të jetojmë si fqinjë të mirë dhe të zgjidhim çështjet tona”, tha ai pas takimit. Të dyja vendet posedojnë armatim bërthamor.