Haradinaj zbulon agjentin e Putin në Tiranë dhe ka një lajm për Mogherinin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Samiti i Berlinit ka qenë një takim jashtëzakonisht i suksesshëm, pasi që dialogu i është marrë Mogherinit nga duart, dhe tashmë atë e kanë në pronësi Angela Merkel dhe Emanuel Macron.

Në një prononcim për media, Haradinaj ka thënë që nga Mogherini ka pasur rrezik që Kosovës t’i vinte një marrëveshje e keqe, që mund ta ndante Kosovën.

“Samiti i Berlinit është një ngjarje shumë e dobishme për Kosovën, e suksesshme sepse dialogu i është marrë zonjës Mogherini, tek e cila ka pasë rrezik Kosovës me i ardhë ndonjë propozim-marrëveshje e keqe përfshirë edhe ndarje të vendit, tash është në përgjegjësi të Merkelit dhe Makronit. Dialogu është heqë prej adresës që ka mund me e befasu Kosovën me një marrëveshje të keqe”, ka thënë Haradinaj, raporton Gazeta Express.

Haradinaj ka thënë se tashmë Kosova mund të jetë e qetë, por vigjilente pasi që kuzhinat e huaja mund të vazhdojnë të gatuajnë ide për ndarje të Kosovës.

“Kushdo që ka besuar që duke e nda Kosovën, arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi, e ka pas e ai projekt është përmbyllë. Marrja e dialogut prej Mogherinit te Merkeli që ka qëndrim të qartë kundër korrigjimit të kufijve, mund të jemi më të qetë. Duhet të jemi vigjilentë, sepse kuzhinat vazhdojnë me gatu, por duhet të jemi të qetë”, ka shtuar kreu i Qeverisë.

Sa i përket përplasjes me Edi Ramën rreth zhvillimeve të ndodhura në Samitin e Berlinit, Haradinaj ka thënë se e respekton institucionin e kryeministrit të Shqipërisë dhe se Edi Ramën e ka vëlla.

“Edi Rama është vëlla i imi. Të vërtetën do ta them gjithmonë, kam thënë të vërtetën për atë që ka ndodhur në Samitin e Berlinit”, është shprehur Haradinaj.

Sa u përket deklarimeve për heqjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, Haradinaj ka thënë se duhet hequr pikat e kontrollit që të mos ketë shumë vonesa.

“Duhet me ndryshu regjimin e kontrollit. S’ka pika Kosova. Duhet me ndryshu regjimin e kontrollit, që mos me pasë vonesa. Ata janë në disa obligime në procesin e liberalizimit të vizave, prandaj i kuptojmë”, ka potencuar njeriu i parë i Qeverisë, raporton Gazeta Express.

Ndërkohë për pjesëmarrjen e Millorad Dodikut në Samitin e Brdo-Brijonit në Tiranë, Haradinaj thotë se ai nuk është kurrfarë figure që përfaqëson ndonjë vlerë, pos agjent i Putinit në Ballkan.

“Dodik nuk është një figurë që përfaqëson vlera, as të bashkëjetesës. Ai është aleat i Putinit, dhe një prej figurave më të këqija. Ai është agjent i Putinit. Nuk dua të komentoj. Por Kosova e sheh atë si njeri të Putinit”, ka përfunduar kryeministri Ramush Haradinaj.