Eretz Israel. Hebrejtë kthehen në Tokën e Premtuar

239

Më 14 maj të vitit 1948 u mbyll drama mijëvjecare e diasporës hebreje.

“Shiko Tokën e Kanaanit, thotë Zoti, që unë do ua jap në zotërim bijve të Izraelit… kjo është toka që unë ia besova Abrahamit, Isakut e Jakovit duke thënë “Unë do t’ia jap sojit tuaj”. Është ora 16 pasdite e 14 majit 1948 dhe këto fjalë, që Moisiu i dëgjoi nga lartësitë e Malit Nebo përpara se të vdiste, duket se derdhen mbi turmën që ngjishet në një sallë të Muzeumit të tel Avivit. Për popullin hebre, i dënuar të bredhë nëpër botë prej shekujsh, i persekutuar, i poshtëruar, i burgosur nëpër getot monstruoze dhe të pista, i privuar nga të drejtat më elementare të njeriut, viktimë e masakrave të kryera nga legjionet romake, nga radhët e kryqëzatave dhe së fundmi nga ajo makinë kriminale e përfaqësuar nga SS-ët gjermanë, ky është një çast mallëngjimi i thellë dhe i patreguar. Sot lind Shteti i Izraelit.

I rrethuar nga një heshtje fetare, David Ben Gurion lexon shpalljen e pavarësisë. Zëri i tij është i tendosur, i prekur nga emocioni. “Eretz Izrael” (Toka e Izraelit) qe djepi i popullit hebraik. Qe këtu që u plazmua identiteti i tij shpirtëror, fetar e politik. Qe këtu që hebrenjtë formuan shtetin e tyre, krijuan vlera të rëndësisë kombëtare e universale dhe i dhanë botës Librin e Librave. Pasi është mërguar me forcë nga toka e tij, populli hebraik e ruajti besnikërinë e tij për të gjithë diasporën dhe nuk reshti kurrë së luturi e së shpresuari se një ditë do të mund të kthehej në atdheun e tij dhe të rifitonte lirinë e tij politike”.

“Të lidhur me këto nga këto detyrime historike e tradicionale, brez pas brezi, hebrenjtë luftuan për t’u stabilizuar në atdheun e vjetër. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë kthyer në masë. Pionierë, maapilim (emigrantët e ardhur në Izrael duke shkelur ligjet ndaluese) dhe mbrojtës kanë bërë të lulëzojë shkretëtira, e kanë sjellë në një jetë të re gjuhën hebraike, ndërtuar fshatra e qytete dhe krijuar një komunitet të begatë që kontrollon ekonominë dhe kulturën e vet, që e do paqen, por që është në gjendje ta mbrojë atë, që ua ndan përfitimet e progresit të gjithë banorëve të vet dhe aspiron për pavarësi… Me 29 nëntor 1947, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që sanksiononte ndërtimin e një shteti hebraik në Eretz Israel; Asambleja e Përgjithshme u kërkoi banorëve të Eretz Israel-it të kryenin të gjitha hapat që do ishin të nevojshme nga ana e tyre për ta zbatuar një rezolutë të tillë.

Njohja nga ana e Kombeve të Bashkuara e të drejtës së popullit hebraik për themelimin e shtetit të tij “është e parevokueshme”. “Kjo është një e drejtë natyrore e popullit hebraik: e drejta që ta zotërojë fatin e vet, si të gjithë popujt e tjerë, në shtetin e vet sovran”. “Prandaj ne, anëtarët e Këshillit të Popullit, përfaqësues të komunitetit hebraik të Eretz Israel-it dhe të Lëvizjes Sioniste, jemi mbledhur këtu në ditën e skadimit të mandatit britanik mbi Eretz Israel-in dhe në virtyt të së drejtës sonë natyrore e historike dhe në konformitet me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklarojmë ngritjen e e një shteti hebraik në Eretz Israel që do të quhet Shteti i Izraelit”. Në pjesën përfundimtare të diskutimit, David Ben Gurion, që do të jetë kryeministri i parë (1948-1954) i shtetit të ri, deklaron vullnetin e paqes të vendit të tij”. “Ndërsa ngrihen armiqësi të drejtpërdrejta kundër nesh prej muajsh, do t’u kërkojmë banorëve arabë të Shtetit të Izraelit të qëndrojnë në paqe dhe të marrin pjesë në ngritjen e Shtetit mbi bazën e barazisë së plotë e të drejtës së shtetësisë dhe me pjesëmarrjen e përshtatshme në të gjitha institucionet e përkohshme dhe të përhershme.

U shtrimë dorën të gjitha shteteve fqinje dhe popujve të tyre në një ofertë paqeje dhe fqinjësie të mirë si dhe u kërkojmë atyre të vendosin raporte bashkëpunimi dhe asistence reciproke me popullin sovran hebraik që jeton që jeton në territorin tonë. Shteti i Izraelit është i gatshëm të japë kontributin e tij në një përpjekje të përbashkët për progresin e krejt Lindjes së Mesme”. Kur Ben Gurioni mbylli diskutimin e tij dhe deklarata u firmos nga anëtarët e Këshillit të Popullit, në sallë u mbajt një lutje: “Që t’i qofsh i lëvduar, Zotëri, Zoti ynë, Mbret i Universit, që na ke mbajtur në jetë, na ke mbrojtur dhe na ke lejuar të shohim këtë ditë”. Por momenti i paqes nuk kishte ardhur akoma për popullin e Izraelit.

Pak orë pas deklaratës së pavarësisë filluan në stil të gjerë sulmet e pandërprera kurrë kundër komunitetit hebraik në Palestinë. Këtë radhë – me 15 maj – u formua një “armatë e madhe” në të cilën e grumbulluan ushtritë egjiptiane, jordaneze, irakene, siriane dhe libaneze, të shoqëruar nga një kontigjent i Arabisë Saudite. Me agresionin masiv, të çuar në brendësi të shtetit të ri, arabët donin të demostronin në mënyrë të bujshme refuzimin e tyre ndaj Planit të Ndarjes të miratuar nga OKB-ja në nëntor të 1947.

Lufta, që u luftua me raunde të ndryshme, zgjati 13 muaj. Forcat izraeliane të mbrojtjes, që qenë të armatosura keq dhe inferiore numerikisht, por mjaft mirë të stërvitura, e përzunë “armatën e madhe” jashtë kufijve të Eretz Israel-it dhe në korrik të 1949, Shteti i ri nënshkroi marrëveshje të veçanta me Egjiptin, Jordaninë, Libanin dhe Sirinë. Si ka mundur ky David Izrael – 650 mijë banorë, një ushtri popullore prej disa dhjetëra mijëra ushtarësh – të përballojë goditjen e Goliathit arab? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është e domosdoshme të tërhiqesh në kohë me më shumë se njëqind vjet.

Fillimet e tij

Fillojmë nga viti 1840, që e sheh Izraelin akoma të përfshirë në perandorinë otomane tashmë në rënie. Kushtet e jetës së hebrejve që kanë mbetur në tokën e tyre të origjinës – janë disa mijëra – përmirësohen me ngadalësi dhe situata favorizon emigracionin drejt Evropës. Lindin vendbanime të reja por Jeruzalemi, Nablusi dhe Haifa vazhdojnë të jenë pole të mëdha tërheqjeje. Me ndihmën e hebrenjve që janë përhapur në të gjithë botën blihen terrene të ndryshme bujqësore. Nuk janë sigurisht toka të “mira”: efendijtë, latifondistët që jetojnë në Kajro, Damask apo Bejrut shesin me çmim të lartë vetëm duna dhe këneta, jo tokat pjellore të Samarias. Por dalëngadalë këto fonde transformohen dhe puna e rëndë e pronarëve të rinj i bën pjellore.

Për ta vendosur aktivitetin në mënyrë më racionale dhe për të shtuar kështu prodhimtarinë u themelua në Mikveh Israel shkolla e parë bujqësore. Është periudha në të cilën formohet skeleti i Yshuvit, ose vendbanimit të organizuar hebraik. Në vitin 1860 u shfaq edhe shtypi i parë hebraik. Ky moment i ngadaltë dhe i vuajtur historik është matrica nga e cila lind “ëndrra e madhe”: ndërtimi i një shteti. Propozimi i parë hidhet nga Sër Moses Montefiore, një financier hebre anglez me origjinë italiane, që u kontribuon bujarisht përpjekjeve të vëllezërve të tij të fesë, të cilët çdo ditë kryejnë mrekullinë e lulëzimit të jetës nga rëra armike e shkretëtirës. Nëse jo shtet – thotë Sër Moses – të paktën një komunitet autonom. Por ai që bëri kurdisjen e mekanizmit të papërmbajtshëm që do të çojë në realizimin e ëndrrës – sa e vjetër! – është gazetari hebre Theodor Herzl.

Në vitin 1896 ai shkruan një libërth, që megjithëse i pritur nga dikush apo nga ndonjë ambient si një dokument i dyfishtë, një kuriozitet historik më shumë se një program veprimi, ra si shkëndijë në një situatë mjaft inkandeshente. Yshuvi po forcohet. Në vitin 1878 ka filluar të marrë një fizionomi të saktë me themelimin e Petah Tikvas, nëna e vendbanimeve bujqësore hebraike. Në vitin 1887 popullsia shtohet ndjeshëm me arritjen në masë të hebrenjve të aliá-së së parë (fjalë për fjalë “ngjitja” në tokën e premtuar): janë njerëz që u ikin pogromeve të mëdha të shpërthyera në Rusi e Rumani kundër komunitetit “jude”, pogrome që paraqiten si “furi spontane të popullit”, por që në realitet janë të frymëzuara nga autoritetet për të shkarkuar gjendjet e këqija të një popullsie të keqtrajtuar nga tirania e pamëshirshme e Carit.

Dhe këto “furi spontane” lënë pas dyqane të shkatërruara, shtëpi të djegura, sinagoga të shkatërruara e të plaçkitura, gra të dhunuara, të vdekur e të vrarë; nga 1881 në 1921 llogariten më shumë se 2000 pogrome, 2000 masakra, 2000 lumenj gjaku që përmbytin shoqëritë civile e të gjithë botës. Komuniteti i larguar nga ferri rus hallakatet në fshatrat bujqësore ekzistuese dhe themelon të reja në Judea (Rishon le Zion, Ekron, Edera), në Samaria (Zikron Ya’akov) dhe në Galilean e Sipërme. Një pjesë shkon të jetojë në qytet. Puna për rindërtimin e identitetit kombëtar e personal fiton impuls edhe falë këtyre refugjatëve të përvëluar në trup, por edhe në shpirt, pasi në getot e tyre mjerane kanë mbajtur të ndezur flakën e kulturës kombëtare, të besimit fetar, kanë vazhduar t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën e thellë hebraike, historinë e lavdishme të mbretërive dhe të mbretërve të tokës antike të Izraelit.

Në Yshuv, hebraishtja kthehet të jetojë për të gjithë dhe bëhet element unifikues, zbulimi i hebraizmit. Në vitin 1892, një asamble mësuesish fikson termat hebraike për t’u përdorur në matematikë e shkenca natyrore dhe projekton një plan studimesh shkollore të unifikuar. Pas rreth dhjetë vjetësh, hebraishtja bëhet gjuha kryesore e një komuniteti që më parë komunikonte me vështirësi me anë të dialekteve të ndryshme apo asaj neogjuhe të përfaqësuar nga yidish, një koktej i hebraishtes me gjermanishten lindur në diasporë. Prapë se prap, Yshuvi jeton një jetë të vështirë. Popullsia është e pamjaftueshme dhe e shpërndarë, komunikacionet dhe transportet të dobëta dhe të pasigurta, pjesa më e madhe e tokës akoma në një gjendje braktisjeje, malarja është endemike prej pranisë së shumë kënetave, qëndrimi i administratës turko-otomane është armiqësor dhe shtypës.

Në fillim të vitit 1892 del një ligj që ndalon vendosjen e hebrenjve të Europës Lindore. Blerja e tokave u nënshtrohet detyrimeve, bëhet e pamundur ngritja e ndërtesave pa një leje të posaçme që duhet të kërkohet në Kostandinopojë. Politika shtypëse e qeverisë otomane e bën edhe më të vështirë zhvillimin bujqësor e prodhues të Yshuvit, por nuk arrin ta frenojë. Përkundrazi. Situata është një terren pjellor për rritjen e idesë së lëshuar nga Herzl në libërthin e ironizuar që vrapon në botë me atë titullin e tij të ekzaltuar” Shteti hebraik”. .

Lindja e sionizmit dhe Deklarata Balfour

Në vitin 1897, Theodor Herzl organizon kongresin e parë sionist dhe themelon në Bazel Organizatën Botërore Sioniste. Në këtë lëvizje organizohet dhe merr forcë pulsioni mijëvjeçar i popullit hebraik për t’u kthyer në tokën e tij. Sionizmi, lëvizje e çlirimit kombëtar, bëhet përgjigjja moderne ndaj shekujve të diskriminimit dhe pengimit, opresioneve dhe persekutimeve vrastare, si dhe ndaj ndërgjegjes në rritje që populli hebraik mund të çlirohej vetëm me vetëvendosje. Qëllimet e OBS-së janë të sakta: kthim i hebrenjve në tokën e Izraelit, rilindje e jetës kombëtare hebraike, arritja e një vendi të njohur dhe legalisht e siguruar hebrenjve në atdheun e tyre historik. Nga ky vit, marshimi drejt fitores finale bëhet më i shpejtë. Yshuvi merr një limfë të re me ardhjen e mijëra hebrenjve, që të zhgënjyer nga dështimi i revolucionit rus i 1905, përbëjnë valën e dytë të emigrimit në vend. Socialistë e sionistë entuziastë vënë qëllim që t’i japin jetë një klase punëtore hebraike, ta çlirojnë tokën me “djersën e ballit” dhe të impenjohen në çdo lloj pune dore me qëllim që të ngrenë një shoqëri plotësisht produktive dhe të vetëmjaftueshme.

Influenca e grupeve socialiste është përcaktuese: komuniteti hebraik fillon të japë një organizim politik. Kibbutz-i i parë (kështu quhet kolonia bujqësore kolektive e përmasave të mëdha) themelohet më 1909 në bregun jugor të Liqenit Kinneret (Tiberiade) mbi tokën e blerë nga Keren Kayemet (Fondi Kombëtar Hebraik). Pothuaj në të njëjtën kohë, themelohet edhe grupi i parë hebraik i vetëmbrojtjes, Hashomer (Gardiani) që merr mbi vete përgjegjësinë e sigurisë së fshatrave të reja hebraike nga sulmet e arabëve. Është embrioni i një ushtrie të ardhshme që do t’u japë leksione taktike strategjie një botë të tërë. Pak kohë më vonë, mbi dunat në veri të Xhafas, lindi Tel Avivi. Jeta e njerëzve të Yshuvit është e rëndë, si pionierësh; shumë prej të ardhurve të rinj nisen në kërkim të një kushti më pak stresues, por shumica mbetet të luftojë. Është viti 1914 dhe në Eretz Israel janë 85 000 hebrenj. Në 1800 qenë 10 000. 1914 është një vit i mbrapshtë për komunitetin hebraik që jeton në tokën e Izraelit.

Shpërthen Lufta e Parë Botërore që prek edhe Lindjen e Mesme, ku janë në lojë interesa të mëdha evropiane: një nga më të rëndësishmit përfaqësohet nga Kanali i Suezit. Dhe situata emergjente – janë në marshim trupat ruse, angleze e franceze – bën të shpërthejnë masave paraprake. Në dhjetor të 1914 qeveria turke jep urdhër të deportohen hebrenjtë e huaj, në pranverën tjetër sionizmi nxirret jashtë ligjit dhe mbështetësit e tij dënohen me mërgim. Midis njerëzve të përzënë janë David Ben Gurioni dhe Jitzhak Ben – Zevi, Presidenti i ardhshëm i republikës. Në fund të 1915, rreth 12000 hebrenj shtrëngohen të braktisin Eretz Israel. Pjesa më e madhe përfundon e grumbulluar në kampet e refugjatëve të Egjiptiti, 500 prej tyre mobilizohen në Trupën Sioniste Kafshare që lufton me aleatët në Gallipoli. Nuk është vetëm kontributi që hebrenjtë japin në luftën kundër turqve. Në trupën ekspedicionare angleze të komanduar nga Gjeneral Allenby, bën pjesë edhe legjioni hebraik, i formuar nga dy batalione pushkatarësh mbretërorë (38-i London dhe i 39-i American). Është edhe një batalion i tretë, i formuar nga 850 vullnetarë lokalë, “First Judean”. Më 11 dhjetor 1917 këta ushtarë bashkë me hebrenjtë e të gjithë botës jetojnë një tjetër prej momenteve të mëdha që në harkun e pak vjetëve do të modifikojnë fatin e “popullit endacak”: Gjenerali Allenby hyn në Jeruzalem në krye të njerëzve të tij. Pas katër shekujsh, perandoria otomane duhet të heqë dorë nga dominimi mbi Tokën e Shenjtë. Kjo fitore shënon një kthesë. Qysh në muajt e parë të luftës, Herbert Samuel, një ministër i qeverisë Asquith, u kish demonstruar kolegëve të tij se Anglia dhe hebrenjtë kishin një interes të përbashkët për ta shkëputur Palestinën nga perandoria turke, arësye për të cilën aspiratat sioniste duheshin inkurajuar. Në vitin 1917 Ministri Jashtëm britanik Lordi Balfour, formulon deklaratën e famshme të tij në të cilën njihet lidhja historike e popullit hebraik me Palestinën dhe që e impenjon Anglinë të mbështesë vendosjen në Palestinë të një national home (vatre kombëtare) këto pika miratohen edhe nga qeveri të ndryshme aleate dhe në qershor të 1922 theksohen edhe në një rezolutë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Në korrik të po këtij viti, Shoqëria e Kombeve i jep zyrtarisht Britanisë së Madhe një mandat, në të cilën Deklarata Balfour përbën pjesën integrante.

Arabët shpërthejnë luftërat, Izraeli i fiton dhe ndërton një shtet të fortë e modern

Edhe pse vazhdimisht në gjendje alarmi prej inkursioneve dhe aksioneve shqetësuese të arabëve, Yshuvi, ose vendbanimi i organizuar hebraik, vazhdon të ndërtojë një atdhe. Midis 1919 dhe 1929, popullsia hebraike thujase dyfishohet, duke arritur kuotën e 160 000 banorëve. Janë blerë 120 000 hektarë tokë dhe nga Metulla në veri dhe nga Be’er Tuvia në jug është një fashë e vazhdueshme territori që e populluar prej hebrenjsh përbën një territor kombëtar në kuptimin e vërtetë të fjalës, edhe pse në përmasa të reduktuara. Dalëngadalë, vendbanimi merr tiparet e një shteti të vogël të organizuar. Kultura klasike dhe shkencore (që hebrenjtë e diasporës e kanë konsideruar gjithmonë si një vlerë parësore, një vlerë që ka qenë një instrument i çmuar mbijetese morale e materiale) kultivohet si në ethe dhe me të njëjtën kujdes me të cilën kultivohen fushat që i shkëputen shkretëtirës. Letërsia, gazeta dhe teatro hebraike janë në aktivitet të plotë. në vitin 1927, Yshuvi njihet si entitet në vete dhe për pasojë krijon institucionet tipike të një shteti demokratik: asambleja përfaqësuese dhe ajo ekzekutive, këshilli kombëtar, anëtarët e e të cilit zgjidhen nga asambleja përfaqësuese. Agjencia hebraike, duke përdorur fondet e mbledhura jashtë, financon emigracionin, siguron sistemin shkollor, i jep impuls të fortë bujqësisë, industrisë e tregtisë dhe koordinon punën e organizatës mjekësore Hadassah, arka sëmundjeve, dhe organizatave të tjera shëndetësore. Në vitin 1920 themelohet Hagnaá, një organizatë e re e vetëmbrojtjes, për të mbrojtur komunitetin gjatë revolatave arabe të Jeruzalemit dhe të Haifas: vendim i domosdoshëm, po  të marrësh në konsideratë se Yshuvi nuk mund nuk mund të mbështetej në mbrojtjen e trupave angleze, duke parë që qeveria britanike e momentit u jepte përkrahje revoltave arabe.

Pikërisht prej pozicioneve kontradiktore të mara nga anglezët gjatë mandatit, hebrenjtë e Eretz Israel-it fitojnë bindjen se për të fituar pavarësinë duhet të mbrohen në dy fronte. Në fakt, terrorizmi arab nuk njeh pengesa: më 24 gusht 1929, ditë e shtunë, grupe myslimanësh vrasin me gjak të ftohtë 67 hebrenj nga Hebroni – burra, gra  e fëmijë – dhe shkatërrojnë sinagogat, duke i dhënë fund pjesëmarrjes së komunitetit hebraik në këtë qytet patriarkësh ku kish jetuar për dymijë vjet. Kurse për sa i përket qeverisë angleze, i dorëzohet gjithnjë e më shumë agresivitetit të arabëve dhe arrin limitin kur bllokon emigracionin e hebrenjve në Palestinë, duke arritur deri aty sa kanë ndaluar zbarkimin 4 500 të mbijetuarve nga kampet e shfarosjes naziste të mbërritur përpara bregut palestinez, përpara Tokës së Premtuar, në bordin e piroskafit të pagëzuar në mënyrë simbolike “Exodus 47”. Anija u kthye mbrapsht nën shoqërim në Hamburg. Një fakt që do t’i linte të shushatur vetë gjermanët. Një episod që e çon Yshuvin në vendimin e pashmangshëm: të organizojë rezistencën për çlirimin e territorit nga dominimi anglez. Është e vetmja mënyrë për të fituar pavarësinë përfundimtare dhe për t’u dhënë një mënyrë hebrenjve të diasporës dhe refugjatëve të ndryshëm të kthehen në Izrael. Rezistenca është e ashpër dhe e vendosur: e udhëheqin Haganá, Irgun Zvai Leumi (Organizata Ushtarake Kombëtare) dhe Lohamei Herut Ìsrael (Luftëtarët për Liri të Izraelit). Organizatat veprojnë në mënyrë të pavarur, por secila prej tyre drejton me mjeshtëri një guerrilje e cila, prej lëvizshmërisë së rrufeshme të komandove, prej inteligjencës taktiko – strategjike me të cilat kjo task – forcë lëviz në terrene më të vështira, gjunjëzon trupat angleze dhe çon në atë ditë të madhe që është 14 maji i vitit 1948. Nga këto tre organizata, kur shteti i sapolindur hebraik gjendet përballë sulmit arab, lindin Forcat e Mbrojtjes Izraeliane.

Siç e kemi parë, edhe pse të pajisura me fuqi zjarri dhe mjete jashtëzakonisht më të vogla respektivisht “armatës së madhe” së ndërsyer kundër izraelit, kanë në favorin e tyre shpejtësinë e ndërhyrjes dhe një lloj stërvitjeje të çmuar: jo atë të fituar në kazerma apo në shkolla ushtarake, por atë të fituar në fushat e betejës. Ja pra arsyet e kësaj fitoreje të pabesueshme. Pas përplasjes së 1948, Izraeli gëzon për disa vjet një paqe relative dhe i kushtohet përsosjes së institucioneve të tij dhe organizimit në përgjithësi, njihet e drejta e çdo hebreu për të jetuar në Izrael. Është një pikë themelore e ligjit të shtetit hebraik: “ligji i kthimit” të 1950 i akordon shtetësi të plotë dhe automatike çdo emigranti të ri hebre. Në fund të 1951, Yshuvi dyfishon popullsinë me mbërritjen e më shumë se 750000 personave: gjysma janë hebrenj të ikur nga vende myslimane. Përballë këtij shtimi masiv të popullsisë, pionierizmi bujqësor bëhet një nevojë, kështu që i jepet një impuls mjaft i fortë bujqësisë dhe shkencave funksionale me këtë sektor produktiv. Vendi demonstron një aftësi të madhe krijuese në përpunimin e teknikave të çdo lloji për kalimin e pengesave të shkaktuara nga një terren i thatë dhe që askush më parë nuk kish tentuar ta bënte (dhe në këtë drejtim duhet kujtuar një dokument i vitit 1937 i hartuar nga komisioni anglez Piel, në të cilin konstatohej se Palestina, tradicionalisht vend i migracionit arab, ishte shndërruar në një vend imigrantësh arabe për shkak të zhvillimit të shpejtë ekonomik hebraik). Zgjidhen probleme të ndryshme sociale. Knesseti (parlamenti) miraton si masë të parë ligjin mbi arsimin e detyrueshëm dhe në 1951 sanksionohet barazia e të drejtave të grave. Është periudha që ka si Kryeministër Ben Gurion dhe President të Republikës Çhaim Veizmann, shkencëtar i shquar që kish jetuar në Angli dhe që ka pasur një ndikim të madh mbi Lordin Balfour, autor i të famshmes deklaratë. Tjetër hap i rëndësishëm, krijimi i shkollës së shtetit. Kjo periudhë paqeje dhe pune intensive, që sheh të impenjuar çdo izraelian në rritjen e vendit, nuk do të zgjasë shumë. deri në ditët tona do të pasojë një periudhë luftërash dhe trazirash që ende nuk duket se janë zgjidhur.

(nga Storica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA