Dështon tentativa e Ramës për burgosje, lirohet ish-kreu i komunës së Kasharit

Ish-kreu i komunës së Kasharit Besnik Fuçia është liruar nga Gjykata. Gjykata ka dhënë detyrim paraqitje për ish-kryetarin e Komunës së Kasharit, Besnik Fuçisë, i cili u akuzua pa asnjë provë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh për disa prona në zonën e Yzberishtit.

“Detyrim paraqitje” ka dhënë si masë gjykata edhe për ish-përgjegjësin e Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit Jurgen Memishajn, ndërtuesin Stefan Caushin, Vjollca Panit, Sekretaren e Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit si dhe inxhinierjen, Miranda Dyrmisha.

Prokuroria kërkoi masat

-Detyrim paraqitje për Besnik Fuçian.

-Arrest me burg për investitorin e kompanisë Ina 2004, Stefan Çaushi.

-Arrest shtëpie për Teuta Shehaj, mbesa e Çaushit.

-Detyrim paraqitje për Jurgen Memishaj, ish shef i zyrës së Urbanistikës në komunën Kashar.

-Detyrim paraqitje për Miranda Dyrmishaj, kolaudatore.

Akuzat –Fuçia u arrestua të martën (7 maj) nën akuzën e flasifikimit të dokumentave për ndërtimin e dy pallateve në zonë. Ai u arrestua së bashku me 5 persona të tjerë, mes tyre edhe një ndërtues. Ish-kreu i Zyrës së Urbanistikës në Kashar, Jurgen Memishaj u ndalua të hënën (6 maj) nën akuzën për falsfikimim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në dhënien e një leje për ndërtimin e dy pallateve në këtë zonë. Arrestimi i tyre u bë pas kallëzimit të njërit prej investitorëve, Arben Petriti. Sipas hetimeve, Petritit i është shkaktuar një dëm financiar prej 1.5 mln euro.