Burgjet të kthyera në qeli torturash, Avokati i Popullit ngre dyshime edhe për vrasje

Qelitë e burgjeve janë kthyer në qeli të torturave ndaj të ndaluarve, ndërsa akuza tjetër e rëndë që vjen nga Avokati i Popullit është se ka dyshime edhe për vrasje në këto burgje.

Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes një raporti të dorëzuar në Kuvend, ka identifikuar burgjet dhe rajonet policore, ku qytetarët shqiptarë zhdëpen në dru, duke shkelur integritetin fizik dhe të drejtat themelore të njeriut. Vetëm gjatë vitit 2018, 308 të burgosur janë ankuar vetëm pranë Avokatit të Popullit për shkeljen e të drejtave të tyre.

Nga hetimi administrativ, Avokati i Popullit thotë se në burgun e Fushë-Krujës janë rrahur të burgosurit, kur punonjësit e Policisë së Burgjeve kanë konsumuar elementët e veprës penale të “kryerjes së veprimeve arbitrare”. Gjithashtu, Avokati i Popullit ngre shumë dyshime për vetëvrasjen e një të burgosuri në burgun e Lezhës. Nga ana tjetër, punonjësit e burgut “Ali Demi” janë ankuar se nuk u paguhen orët shtesë në punë.

Një tjetër problem i konstatuar nga Avokati i Popullit janë kushtet materiale tejet degraduese dhe mosplotësim i rekomandimeve për rikonstruktimin e mjediseve në regjimet e brendshme të IEVP Zahari Krujë, IEVP Sarandë, IEVP Tepelenë, IEVP Kukës, të cilat e bëjnë të pamundur garantimin e të drejtave të të paraburgosurve dhe të dënuarve të sanksionuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar në fuqi.

“Meqenëse këto gjetje vazhdojnë të konstatohen në mënyrë të përsëritur, madje me kushte edhe më të degraduara si rrjedhojë e mbipopullimit të vazhdueshëm, mungesës së investimeve dhe amortizimit, Avokati i Popullit rekomandoi mbylljen e menjëhershme të këtyre institucioneve dhe transferimin e personave në institucione të tjera”.

Situata më e rëndë dhe alarmante është në rajonet e policisë, ku sipas Avokatit të Popullit, rrihen, fyhen, gjobiten dhe arrestohen në mënyrë të paligjshme qytetarët.

Në raport thuhet se “Në një rast, pas kryerjes së hetimeve administrative dhe marrjes së deklarimeve të dy dëshmitarëve të pranishëm shtetasve A. C. dhe L. F., është mundësuar që të provohet se arrestimi i shtetasit D. D. ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, sepse ai nuk kishte kryer asnjërën nga veprat penale për të cilat ishte arrestuar nga policia dhe nuk kishte kundërshtuar apo goditur punonjësit e policisë.

Arrestimi i D. D. ishte bërë për arsye të justifikimit të dhunës së ushtruar ndaj tij nga punonjësit e policisë të strukturës operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë”.

Disa nga problemet më të rënda në burgjet shqiptare
Kushte materiale tejet degraduese dhe mosplotësim i rekomandimeve për rikonstruktimin e mjediseve në regjimet e brendshme të IEVP Zahari Krujë, IEVP Sarandë, IEVP Tepelenë, IEVP Kukës, të cilat e bëjnë të pamundur garantimin e të drejtave të të paraburgosurve dhe të dënuarve të sanksionuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar në fuqi.

Meqenëse këto gjetje vazhdojnë të konstatohen në mënyrë të përsëritur, madje me kushte edhe më të degraduara si rrjedhojë e mbipopullimit të vazhdueshëm, mungesës së investimeve dhe amortizimit, Avokati i Popullit rekomandoi mbylljen e menjëhershme të këtyre institucioneve dhe transferimin e personave në institucione të tjera penitenciare.

Mbipopullimi mbetet një problematikë e sistemit tonë penitenciar me një mesatare vjetore prej15- 20% mbi kapacitet. Vërehet një ulje e mbipopullimit prej 5%-10% krahasuar me një vit më parë nga një rishpërndarje e të denuarve/paraburgosurve në IEVP dhe nga vënia në funksionim e IEVP Shkodër dhe rikonstruksioni i IEVP “Jordan Misja”.

Megjithatë problematike paraqitej situata në IEVP-të Krujë, Rrogozhinë, Tepelenë, “Jordan Misja”, Drenovë, Durrës, Vaqarr e Sarandë, të cilat funksiononin në pjesën më të madhe të kohës mbi kapacitetin e lejuar. Si rrjedhojë e mbipopullimit, një pjesë e IEVP-ve ka bërë shtimin e numrit të shtretërve, gjë që kishte pakësuar numrin e personave që flinin me shtroje përtokë, por që nuk adresonte garantimin e standardeve të hapësirës jetike për person.

Në disa prej IEVP-ve situata paraqitej edhe më problematike, pasi si rrjedhojë e mbipopullimit mjediset e aktiviteteve të përbashkëta, observimi e izolimi ishin kthyer në mjedise banimi. Ndërkohë, veçanërisht shqetësuese paraqitej situata në seksionin e veçim-observimit të IEVP Rrogozhinë, ku pjesa dërrmuese e personave qëndronin në këtë sektor në kushte degraduese dhe për ta ishte i pa mundur realizimi i ajrosjes dhe aktiviteteve sipas parametrave ligjore.

Moszbatim i marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, të parashikuar në ligjin Nr. 44/2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”, me qëllim strehimin dhe trajtimin e personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm”.

Trajtimi i kësaj kategorie në IEVP Krujë etj, në kushte materiale degraduese dhe kur në organikat e tyre mungon mjeku psikiatër dhe kur aksesi për konsulta psikiatrike pranë spitaleve psikiatrike rajonale paraqet vështirësi, ose në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve për rastet me episode akute, vijon të mbetet i paligjshëm, duke u reflektuar edhe raportet kombëtare, ndërkombëtare dhe në konferencat rajonale.

Probleme me krijimin e kushteve për ofrimin e kurseve arsimore e atyre të formimit profesional si dhe për mundësimin e aktiviteteve të tjera kulturore veçojmë IEVP 302 dhe 313 në Tiranë, Tepelenë, Sarandë, Fushë Krujë. Në asnjë prej institucioneve penitenciare, nuk ofrohet arsimi i mesëm.

Shpërblimet për punën e kryer në të gjitha institucionet, bëheshin me ditë ulje nga dënimi, gjë që nënkupton paragjykim të fajësisë për kategorinë e të paraburgosurve. Po në këtë kuadër, për punën që kryenin të paraburgosurit në këto institucione, nuk paguhej vlera përkatëse e sigurimeve shoqërore, gjë që sjell mos vlerësimin e kohës së punës në institucion si kohë vjetërsie në punë, si dhe mohimin e një të drejte, atë të përfitimit të pensionit të pleqërisë. Të dënuarit nuk ishin të pajisur me librezë pune dhe as me atë të kontributeve shoqërore.

Infrastruktura në pjesën më të madhe të IEVP-ve paraqiste probleme të amortizimit, lagështirës, furnizimit me ndërprerje me energji elektrike, ujë dhe ngrohje, sigurimit të ndriçimit natyral dhe të ajrosjes së plotë të qelive, pranisë së insekteve, kushteve jashtë standardeve të tualeteve, kuzhinave, dusheve, ambienteve të ajrimit, dhomave të izolimit, etj.

IEVP-të me problematika emergjente infrastrukturore paraqiteshin në Zahari-Krujë, Lushnje, Rrogozhinë, Sarandë, Lezhë, Tepelenë, si dhe në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve, Tiranë. Përjashtim bënin IEVP-të e reja dhe ato të rikonstruktuara të cilat praktikisht kanë krijuar një sistem me dy standarde në sistemin penitenciar shqiptar.

Ambientet e përbashkëta për zhvillimin e aktiviteteve rehabilituese mungonin në një pjesë të IEVP-ve, si rezultat i kthimit të ambienteve të edukimit apo ushtrimit të riteve fetare e veprimtarive sportive në dhoma banimi, si dhe për shkak të mungesës së fondeve për pajisjen e tyre me materiale didaktike.

Po ashtu sipërfaqet e vogla për ajrim të jashtëm kushtëzonin llojin e aktiviteteve sportive që mund të zhvilloheshin në to. Për rrjedhojë, në thuajse të gjitha IEVP-të, u konstatua probleme sa i përket aktiviteteve në grup apo individuale dhe pamundësi nga sektori psiko-social të cilat ndonëse mundohen t’i realizojnë realisht nuk arrijnë t’i kryejnë për mungesë të ambienteve të përshtatshme, bazës materiale apo dhe organikës së paplotësuar me stafin e nevojshëm.

Ambientet e kujdesit shëndetësor në burgje, përjashtuar IEVP-të e reja si Vlorë, Berat, Fier, Durrës, Elbasan dhe Shkoder, ishin përgjithësisht të papërshtatshme për vizita mjekësore, e të pa pajisura me materiale ndihmëse.

Vonesa dhe mangësi paraqiten në pajisjen e të dënuarve/paraburgosurve me libreza shëndetësore apo me të dhënat elekronike në sistemin e sigurimeve shëndetësore në shumicën e IEVP-ve, që sillnin si pasojë moszbatimin e skemës së rimbursimit të ilaçeve dhe probleme në furnizimin me medikamente.

Vështirësi në realizimin e konsultave, ekzaminimeve dhe analizave laboratorike specifike si dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, vëreheshin ende në disa prej IEVP-ve, për arsye të lidhura me mungesën e mjekëve me kohë të plotë në organikë apo mungesën e autoambulancave, me rezistencën e spitaleve rajonale për të trajtuar personat për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në to, etj.

Probleme të ofrimit të shërbimit stomatologjik në IEVP që vinin si rrjedhojë e mungesave në aparatura dhe materiale ndihmëse. Shërbimet dentare, përveç ekstraksioneve, kryheshin me vështirësi në poliambulancat publike apo në klinikat private me shpenzimet e vetë të dënuarve.

Në shumicën e rasteve të dënuarit/paraburgosurit nuk i sigurohet ngrohja sipas parashikimeve ligjore. Sistemet qendrore të ngrohjes, pothuajse në të gjitha IEVP-të, ku ishin të instaluara nuk funksiononin si rezultat i defekteve teknike ose të mungesës së karburantit.

Mungesat në furnizimin me produktet bazë të higjienës personale (pastë dhëmbësh, furçë dhëmbësh, shampo, etj.) dhe të detergjenteve të nevojshme për të pastruar ambientet e IEVP-ve, si dhe mungesat në uniforma dhe doreza gjatë shpërndarjes së ushqimit u konstatuan në shumicën e IEVP-ve.

Mungesat në dollapë e rafte të rrobave bënin që ato të mbaheshin nga të dënuarit/paraburgosurit në qese plastike ose në thasë, kryesisht poshtë shtretërve. Kjo problematikë ndeshej kryesisht në IEVP Lezhë, Tepelenë, Korçë, Durrës, “Jordan Misja”, Sarandë, Kukës, Rrogozhinë e Tropojë.

Problem i hasur në të gjitha institucionet e inspektuara, ishte konstatimi i çmimeve të larta të produkteve të dyqaneve të IEVP-ve.
Cilësia dhe larmia e ushqimit mbetej shqetësuese thuajse në të gjitha IEVP-të.

Shpërblimet për punën e kryer në të gjitha institucionet, bëheshin me ditë ulje nga dënimi, gjë që nënkupton paragjykim të fajësisë për kategorinë e të paraburgosurve.

Po në këtë kuadër, për punën që kryenin të paraburgosurit në këto institucione, nuk paguhej vlera përkatëse e sigurimeve shoqërore, gjë që sjell mos vlerësimin e kohës së punës në institucion si kohë vjetërsie në punë, si dhe mohimin e një të drejte, atë të përfitimit të pensionit të pleqërisë. Të dënuarit nuk ishin të pajisur me librezë pune dhe as me atë të kontributeve shoqërore