Biznesi i huaj: Të zgjidhet kriza politike, po ndikon negativisht në sistemin tonë politik dhe ekonomik

Biznesi i huaj në Shqipëri ka bërë thirrje për zgjidhjen e krizës politike, pasi pasiguria ndikon në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) po ndjekin me shqetësim të thellë situatën aktuale politike në Shqipëri.

‘Shumë nga anëtarët tanë kanë shprehur frustrim lidhur me pasigurinë politike që po ndikon drejtpërdrejt negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare’, thuhet në deklaratën publike.

‘Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë.

Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare.

Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira – veçanërisht Qeveria dhe Opozita – të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend’, thuhet në deklaratën e shoqatave të biznesit të huaj në Shqipëri.