“Bashkimi Europian është perandori”

143

Një intervistë me Wolfgang Streeck

 Kanë kaluar 2 vjet qysh kur qeveria ka aktivizuar procesin e Nenit 50. Tashmë Britania e Madhe duhet të jetë jashtë Bashkimit Europian, por përtej kapitullimit të Kryeministres përballë Brukselit në negociatat për daljen dhe shpërfilljen nga ana e Parlamentit për rezultatin referendar, a ka arsye strukturore më të thella që shpjegojnë se pse lënia e Bashkimit Europian është demonstruar kaq e vështirë? Për sociaologun dhe ekonomistin, Profesorin Wolfgang Streeck, Bashkimi Europian është një “perandori liberale”. Streeck është Drejtor i Merituar i Max Planck Institute for the Study of Societies në Gjermani. Revista “Spiked” e ka takuar për një bashkëbisedim.

 Si janë zhvilluar roli dhe prioriteti i Bashkimit Europian në dekadat e fundit?

Në fillim, Bashkimi Europian ishte një organizatë për planifikimin e përbashkët ekonomik midis 6 vendeve kufitare. Planifikimi kishte të bënte me sektorë të caktuar, të kufizuar në nxjerrjen e qymyrit dhe industrinë metalurgjike, më pas edhe energjinë bërthamore, në kontekstin e kapitalizmit të drejtuar nga shteti e periudhës së pasluftës. Kështu që është transformuar në një zonë të tregëtisë së lirë, gjithnjë e më shumë e konsakruar që të përhapë internacionalizmin neoliberal, sidomos qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe forcës së punës, sipas rregullave të tregut të brendshëm.

Ndërsa rriteshin bazhdimisht numri dhe heterogjeniteti i shteteve anëtare, “integrimi pozitiv” u bë gjithnjë e më i vështirë. Në të kundërt, ka pasur një integrim “negativ”: heqja e normativave themelore që pengonin shkëmbimin e lirë brenda zonës. Pas rënies së komunizmit në 1989, Bashkimi Europian u bë një projekt gjeostrategjik, ngushtësisht i lidhur me gjeostrategjinë e Shteteve të Bashkuara në raport me Rusinë. Nga 6 vendet fillestare, që bashkëpunonin në menaxhimin e pak faktorëve kyç të ekonomive të tyre, Bashkimi Europian është bërë një perandori neoliberale me 28 shtete shumë heterogjenë. Ideja ishte ajo që të disiplinoheshin këto shtete në nivel qendror nëpërmjet detyrimit që t’i bënin të abstenonin nga ndërhyrja e shtetit në ekonomitë e tyre.

 A është i reformueshëm Bashkimi Europian?

Kushtetuta faktike e Bashkimit Europian konsiston në Traktatin e Bashkimit Europian, që është praktikisht i pamundur të modifikohet, dhe në vendimet e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian, që vetëm vetë gjykata mund ta ndryshojë. Bërthama neoliberale e institucionit Bashkim Europian dhe rezultatet e integrimit europian, në qëllimet e autorëve të tyre, janë të destinuar që të jenë të përjetshëm e të pakthyeshëm. Kjo është treguar nga kundërshtimi i ashpër i Brukselit ndaj daljes së Britanisë së Madhe dhe nga qëllimi për ta bërë sa më të papëlqyeshëm që të jetë e mundur.

Kjo edhe mund të shikohet dhe ndoshta në mënyrë akoma domethënëse në paaftësinë e institucioneve të Bashkimit Europian për t’ju përgjigjur në mënyrë konstruktive kërkesave për një autonomi më të madhe kombëtare, siç konfirmohet nga kundërlëvizjet e ndryshme “populiste”. Këto lëvizje po bllokojnë sot procesin e integrimit europian dhe ekziston një rrezik i madh që këmbëngulja e Berlinit, Parisit dhe Brukselit në shtyrjen dhe zgjerimin e institucioneve europiane do të shkaktojë konflikte të rënda midis vendeve europiane, siç nuk kemi parë më nga viti 1945.

 Pse kundërshtimi ndaj Bashkimit Europian shikohet si imoral?

Shumë thjesht, mendoj se natyrale neoliberale dhe gjeostrategjike e Bashkimit Europian pas1990 nuk duket i aftë që të gjenerojë asgjë të ngjashme me legjimitetin e nevojshëm me qëllim që një regjim politik të jetë i mbështetshëm. Duhet të shpiket çdo lloj narrative sentimentale për ta bërë popullsinë që të harrojë zhveshjen e politikës demokratike kombëtare që është në themelin e ndërtimit të Bashkimit Europian. Sot, ideali i internacionalizmit i së majtës liberale është kidnapuar nga antistatalizmi neoliberal dhe solidariteti ndërkombëtar identifikohet me tregun e lirë. E gjitha kjo është pastërtisht ideologjike dhe nuk flet mirë për mprehtësinë e shtresës së mesme të majtë që e ka përthithur versionin “Rrugë e Tretë” të paqes dhe të miqësisë ndërkombëtare. Për shembull, në asnjë moment të historisë së socializmit nuk gjendet ideja që punëtorët janë moralisht të detyruar që të konkurrojnë deri sa të humbasin punën me punëtorët në vende ku rrogat janë shumë më të ulëta. Në të vërtetë, solidariteti ka nënkuptuar gjithnjë që punëtorët të bashkëpunojnë, në kuptimin që të organizohen bashkë, për t’u mbrojtur ndaj tentativave të punëdhënësve për t’i vënë njëri kundër tjetrit.

Pastaj është Bashkimi Monetar Europian, që funksionon si një regjim ndërkombëtar gold-standard. Dihet qysh nga vitet ‘30 të ‘900 se gold-standard është i papajtueshëm me demokracinë dhe paqen ndërkombëtare. I vë qeveritë kundër popujve dhe popujt njëri kundër tjetrit, në konkurrencë për tregjet ndërkombëtare. Propaganda e Bashkimit Europian rekruton dëshirën për paqe dhe miqësi të popujve për t’i zhveshur nga trashëgimia e tyre institucionale më e rëndësishme: shteti – komb. Shteti – komb është vendi i vetëm për një politikë të favorshme ndaj diçkaje si një shtet rishpërndarës apo një demokraci egalitare.

 Pse e majta është bërë kaq e ngjitur pas Bashkimit Europian?

Do të doja ta dija. Ndoshta sepse ngatërrojnë Bashkimin Europian me Europën? Bashkimi Europian është një ngrehinë institucionale turpërisht andidemokratike, aq kompleks sa që nuk mund të kuptohet sesi funksionon përjasht investigimet e detajuara, por edhe atëhere mund të mos kuptohet mirë se për çfarë bëhet fjalë. Kjo nënkupton që mund mund të lexohet thuajse gjithçka. Mund ta identifikosh më ëndërrat e tua personale për një botë të lirë nga barrat e historisë. Ose mund ta shikosh si personifikimin e një stili të pëlqyeshëm konsumistik jetese: të drejta pa detyrime, qarkullim i lirë, asnjë taksë, krah pune emigrant, një treg ndërkombëtar pune për të diplomuar që flasin anglisht. “Europa” është molusku personal: një park lojërash për klasën e re të mesme, bobos-ët siç i quajnë francezët: Bohémien-ët borgjezë, kozmopolitët e vetëshpallur që besojnë se duke importuar krah pune me kosto të ulët për familjet e tyre po bëjnë diçka për progresin e njerëzimit.

Shumë njerëz sot duan të lënë pas krahëve bagazhin e tyre historik kombëtar. Për shumë qytetarë britanikë, Mbretëria e Bashkuar nënkupton kolonializëm. Duket se besojnë që “Europa” nuk ka pasur kurrë koloni, kështu që duan të jenë “europianë” më shumë sesa “anglezë të vegjël”. Në Gjermani, për arsye të kuptueshme, është akoma më keq. Nëqoftëse je jashtë, kudo në botë, dhe takon dike që vjen e të thotë se vjen “nga Europa”, mund të jesh i sigurtë se është nga Gjermania.

 Në çfarë mase Bashkimi Europian të kujton një perandori?

Bashkimi Europian ka një qendër dhe një periferi, me një gradient pushteti në rënie midis të parës dhe të dytës. Qendra imponon dhe bën që të respektohet rendi i saj politik dhe ekonomik në periferi, në formën e monedhës së përbashkët, “4 lirive” të tregut të përbashkët dhe detyrimit të përgjithshëm për të aderuar në “vlerat europiane”.

Veç kësaj, besnikëria shpërblehet nga transferimet fiskale, sidomos fondet strukturore dhe sociale. Qendra – qoftë kjo Gjermania vetëm apo Gjermania dhe Franca bashkë është një pikëpyetje ende pa përgjigje – i ofron mbrojtje ushtarake vendeve të periferisë në shkëmbim të besnikërisë perandorake (të shikohen sidomos Polonia dhe shtete balltike).

Vendet periferike që nuk ndjekin rregullat, si Greqia nën qeverinë Syriza, ndëshkohen nga institucionet si Banka Qendrore Europiane, ndërsa vendet qendrore si Franca i shmangen ndëshkimit. Nganjëherë, qeveri të paparashikueshme në vendet anëtare periferike zëvendësohen nga qendra me guvernatorë perandorakë, siç ka ndodhur me zëvendësimin e Silvio Berlusconi me Mario Monti në Itali, apo me zëvendësimin e George Papandreou me Lucas Papademos në Greqi. Dhe dalja nga perandoria, megjithëse e mundur, është bërë sa më e vështirë që të jetë e mundur, për të shmangur që vendet periferike të negociojnë terma qëndrimi në bllok më të përshtatsthme për situatën e tyre të veçantë.

 Nëqoftëse Britania e Madhe do ta lërë ndonjëherë Bashkimin Europian, a do të arrijë ta bëjë sukses Brexit?

Varet nga ajo që nënkuptohet me sukses. Lejomëni të përqëndrohem tek e majta britanike, që duket se është në favor të Remain në mënyrë dërrmuese. Sipas meje, nuk ka të majtë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara më të demoralizuar dhe më disfatiste se majta proBashkimit Europian në Mbretërinë e Bashkuar. Arsyeja kryesore për të cilën e konsiderojnë të domosdoshme përkatësinë në Bashkimin Europian është se kanë frikë që pa të konservatorët do ta fusin në dorë vendin përgjithmonë dhe do të heqin edhe mbrojtjet minimale – absolutisht minimale – për punëtorët që duhet të mbrojnë sipas Traktatit të Maastricht. Me fjalë të tjera, besojnë se nuk do të mund të mbrojnë as standardet e copëtuara minimale të garantuar atyre nga Brukseli.

E njëjta vlen për politikën rajonale, që në Britaninë e Madhe është e financuar në pjesën më të madhe nga lëmosha e Bashkimit Europian. Edhe pse pabarazitë rajonale në Britaninë e Madhe mbesin dramatike – më të këqija se në pjesën më të madhe të vendeve europiane, përjashto Italinë – e majta proBashkimit Europian e nxit popullsinë që t’i jetë bekimeve të shpërdiruara të fondeve strukturore europiane. Supozimi duket të jetë se nëqoftëse do të hiqen këto dhurata të vogla europiane, e majta dhe ata që supozohet se përfaqëson nuk do të bëjnë asgjë, do të rrinë ulur, me rripat e sigurimit lidhur dhe do të vuajnë në heshtje. Nuk e ndaj këtë vizion.

Prej frikës nga Thatcher dhe ndjekësve të saj aktualë e të ardhshëm, e majta britanike proBashkimit Europian ua ka shitur konceptimin e parë antikapitalist pë supën e një të drejte minimale europiane pak ditë nga leja lindjes. Njerëzit mund të kërkojnë më shumë, siç kanë bërë me sukses në të gjithë vendet e tjera të pasura të Europës. Por e djathta i tregon atyre se këto masa do të nënkuptonin punësim më të pakët dhe ata duket se u besojnë. Britania e Madhe është një prej vendeve më të pasura të botës, por e majta është bindur se pasja e një politikë rajonale kërkom paratë e taksave europiane, anipse kjo nuk ka sjellë asnjë diferencë në pabarazitë rajonale.

Me t’u tërhequr nga tregu anestetikët europianë, punëtorët dhe votuesit mund të kujtojnë traditën britanike e sindikatave të fuqishme dhe një shtet social universal, të mblidhen sërish, të bëjnë greva për kushte më të mira pune dhe të zgjedhin një qeveri laburiste të denjë për këtë emër. Nëse ky mund të rezultati i Brexit, atëhere nuk do t’ia vlente barra qiranë që të paktën të “merrej kontrolli”?

Përgatiti

ARMIN TIRANA