Anulohet takimi Pompeo – Merkel

Departamenti amerikan i Shtetit, tha se është anuluar takimi i planifikuar ndërmjet sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Sekretari Pompeo planifikonte të takohej të martën me kancelaren Merkel dhe ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në Berlin.

Departamenti i Shtetit tha se takimet duhet të ri planifikohen për shkak të “çështjeve të ngutshme”, por nuk ofroi ndonjë shpjegim tjetër për ndryshimin e planeve.

Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm as nga zyra e kancelares Merkel dhe as ajo e ministrit Mass. Sekretari Pompeo mori pjesë në një takim të Këshillit të Arktikut në Finlandë. Nuk është e qartë se ku do të udhëtojë ai më pas.

Departamenti i Shtetit tha se sekretari Pompeo “mezi pret që të jetë së shpejti në Berlin” për të mbajtur “serinë e rëndësishme të takimeve” që ishin planifikuar.

Sipas planeve fillestare, sekretari Pompeo pritej të diskutonte me kancelaren Merkel çështje “të interesit të përbashkët” si Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor.