Me 30 Qershor nuk mund dhe nuk do të ketë zgjedhje!

Haris VONGLI

Zgjedhjet në kuptimin politik të fjalës janë institucioni qendror i qeverive përfaqësuese demokratike, pasi në një demokraci, autoriteti i qeverisë rrjedh vetëm nga pëlqimi i qytetareve.

Prandaj, mekanizmi themelor për shndërrimin e votës së qytetarit, në autoritetin për të qeverisur, është zhvillimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, dhe jo thjesht zhivllimi i një procesi votimi, të kontrolluar, manipuluar deri në pikën e shpikjes së opozitës në proces përballë partisë shtet.

Në të gjitha vendet mbahen procese votimi, por demokracitë zhvillojnë në fakt zgjedhje, madje dhe zgjedhjet qe zhivllohen nuk janë të gjitha demokratike. Regjimet totalitare, radikalët e krahut të djathtë në botë dhe qeveritë monopartiake, zhvillojnë gjithashtu procese votimi, për t’i dhënë kështu sundimit të tyre fytyrën e legjitimitetit.

Në procesin e votimit që supozohet të mbahet më 30 Qershor mund të ketë vetëm kandidatë të Monopartise Rilindase dhe jo një listë kandidatësh nga opozita e vërtetë, me një alternativë të besueshme.

E vërteta është se ky proces votimi mund të ofrojë kandidatë thjeshtë për të plotesuar vendet në zyrat e bashkive, por kurrë nuk do të ofrojë zgjedhje të mirëfillta demokratike.