Mbyllet Banka e Kreditit të Shqipërisë!

219

Banka e Kreditit të Shqipërisë, një bankë me aktivitet minimal ka kërkuar pranë institucionit monetar qendror likuidimin e aktivitetit të saj. Burime nga Banka e Shqipërisë pohuan se kjo kërkesë e tyre është pranuar tashmë.

Banka e Kreditit të Shqipërisë ka filluar aktivitetin e saj që vitin 2003, me një grup aksionerësh kuvaitianë ( AlKharafi), të cilët më parë kishin në zotërim edhe hotel Sheraton në Shqipëri, nga i cili hoqën dorë mëse një vit më parë, kur ia shitën grupit shqiptar Kastrati.

Banka e Kreditit të Shqipërisë ka pasur historikisht një aktivitet tepër minimal dhe të papërfillshëm  në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të 2018-s, banka zotëronte vetëm 0.08% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Banka nuk ka dhënë kredi dhe depozitat në të janë sa 0.01% e totalit të depozitave të gjithë sistemit, në fund të 2018-s.

Si rrjedhojë, dalja e saj nga tregu nuk pritet që të ketë asnjë efekt në sistemin bankar, përveç uljes së numrit të tyre.

Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë mjaft aktiv në drejtim të shitjeve e blerjeve. 2018-a u mbyll me 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të vitit, pasi banka greke NBG u ble nga Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Intesa Sanpaolo bank përthithi bankën Veneto, në linjë me të njëjtin proces të bankave mëmë në Itali.

Ndërkohë, Union Bank është në proces të finalizimit të blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB), që pritet të përfundojë brenda këtij viti, duke e çuar numrin e bankave në 12.

Transaksione të tjera ishin blerja e Societe Generale nga hungarezët e OTP-së, të cilët u prezantuan së fundmi zyrtarisht në Tiranë duke deklaruar se kishin plane ambicioze në drejtim të zgjerimit, kredidhënies, dixhitalizimit dhe shërbimeve të reja. Tashmë banka është shndërruar në OTP bank Albania.

Në proces finalizimi është dhe blerja e Tirana Bank, nga grupi shqiptar Balfin nga grekët e Bankës së Pireut, të cilët hoqën dorë nga rajoni, pas krizës që mbërtheu sistemin bankar grek. Tirana bank do të vijojë të ruajë identitetin e saj (të mbajë të njëjtin emër) dhe pas ndryshimit të pronësisë.

Bankierët pohojnë se procesi i konsolidimit bankar pritet të vijojë dhe në vitet e ardhshme. Edhe Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht konsolidimin që po ndodh në sistemin bankar.  “Ndryshimet që po ndodhin në strukturën e sektorit bankar, janë shoqëruar me rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe uljen e numrit të bankave. Ky proces, pritet të kontribuojë pozitivisht në ecurinë e ndërmjetësimit financiar”, thotë Banka në deklaratën e fundit të stabilitetit financiar.

Aktualisht banka më e madhe në vend është BKT, me 29% të totalit të aktiveve, e ndjekur nga Raiffeisen (15.5%); Credins (13.5%); Intesa Sanpaolo (11.8); OTP bank -ish Societe (5.8%); Alpha bank (5.2%); Abi bank (5.2%); Tirana bank (4.8%); Union Bank+ICB (4.24%); Pro Credit (2.3%);  FIBank (1.7%); Banka e Bashkuar e Shqipërisë (0.6%).

/Monitor.al/