Mbahet në burg pa prova, Dorian Protoduari: Më nxirrni një foto të vetme, prokurori po bën punën që i kanë thënë…

166

Teksa mbahet në burg që prej protestës së opozitës në 21 Mars, Dorian Protoduari ka pasur sot një komunikim me Fax News, ku ka sqaruar se nuk ka asnjë provë kundër tij. Protoduari u shpreh se ai nuk ka kryer asnjë nga veprat për të cilat akuzohet, ndërsa shton se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë material filmik, ku ai të ketë ushtruar akte dhune në drejtim të punonjësve të Policisë, apo institucioneve shtetërore.

“Mariglen Doçi fatmirësisht u lirua ditën e djeshme, në datën 21 Mars unë kam qenë 50 metra larg vijës së policisë, më akuzojnë për organizator, ndërkohë që protestën e organizonte PD-ja.

Unë nuk jam sekretar i PD-së, nuk kanë asnjë provë kundër meje, më mbajnë në burg se Dorjanit duhet ti mbyllet goja. Shpresoj te Gjykata, unë dua vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër. Nuk kam dalë të Parlamenti për asgjë tjetër veç mbrojtjes së shtëpisë sime.

Më akuzojnë se kam qëlluar me sende të forta tek Drejtoria e Policisë, ndërsa unë në atë kohë që ata flasim, unë kam qenë në ambientet i drejtorisë i arrestuar. Iu kam thënë që të më nxjerrin qoftë edhe një foto të vetme, nuk dua të përmend emra, se në kushtet që jam kjo më bën dëm”, është shprehur Protoduari.

Ndërkohë që i pyetur nga gazetarja Armela Ferko nëse çështja ka prapavijë politike, Protoduari rrëfeu sulmet e vazhdueshme që i janë bërë familjes së tij. Ai shtoi se do të bëjë vetëgjyëqësi në rast se nuk vepron politika.

“T’i bllokosh jetën një 30-vjeçari që ka dy fëmijë të mitur, këtë nuk do ja falja as zotit. Prokurori po bën punën që i kanë thënë, unë do dal nga burgu dhe ata persona e kanë personale me mua.

Unë do vij sërish në burg, por këtë herë me burgim të përjetshëm. Më jepni një provë, një provë të vetme, do isha i gatshëm që të vuaja dënimin maksimal. Drejtësia vonon por nuk harron, unë po bëj burgun për Damian Gjiknurin dhe Afrim Qendron.

Unë kam frikë vetëm Zotin, nuk kam frikë asnjë person, dihet që çështja ime është kthyer politike, që në kohën e Enver Hoxhës, dhe deri tani në kohën e Edi Ramës”, përfundoi Protoduari lidhjen e tij telefonike me Fax News nga burgu i Vaqarrit.