Komisioneri: 22% e emërimeve në administratë, të paligjshme

259

Emërimet në administratë përgjatë vitit të kaluar nuk duket se kanë respektuar në të gjithë rastet kuadrin ligjor. Institucionet kanë preferuar në një pjesë të mirë t’i lenë vendet vakante ndërkohë që në 22 për qind të rasteve nga monitorimet e bëra nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është vënë re se janë bërë në kundërshtim me ligjin.

“Janë mbikëqyrur 1592 pozicione pune, nga të cilat janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligjit; janë evidentuar 357 raste, të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, të institucioneve të mbikëqyrura, ku përfshihen emërime të kryera në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, si dhe raste të nëpunësve ekzistues të cilët nuk plotësojnë kriterin e nivelit të diplomës së arsimit të lartë, ose nuk plotësojnë kriteret për pozicionin e punës ku janë të emëruar; si dhe 275 pozicione janë evidentuar të pa plotësuara” thuhet në raport.

Lidhur me këto raste nga ana e Komisionerit është urdhëruar që personat përgjegjës të rregullojnë pasojat e paligjshmërisë, duke filluar me ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe duke vijuar njëkohësisht me shpalljen e vendeve të lira dhe zhvillimin e rekrutimit, në përputhje me ligjin.

Largimet dhe gjyqet
Raporti i Komisionerit ndalet edhe në largimet nga shërbimi civil të cilat kanë përfunduar nëpër gjykata. Referuar shifrave një pjesë e mirë e atyre që janë shkarkuar duket se kanë rifituar të drejtën për t’u rikthyer në pozicionin që kanë pasur.

“Në institucionet e administratës shtetërore qendrore dhe ato të varësisë 32% (100 raste) e nëpunësve gjyqfitues, janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ndërsa 68% (209 raste) e tyre janë ende në pritje për t’u rikthyer në pozicione pune në shërbimin civil.

Ndërkohë, në institucionet e vetëqeverisjes vendore, në kategorinë e bashkive, në 61 institucione dhe 12 Këshillat e qarqeve janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 41% (62 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 59% (90 raste) e tyre janë ende në pritje për ekzekutimin e vendimit.

Në kategorinë e institucioneve që përfshijnë Këshillat e Qarqeve, gjendja paraqitet më mirë, pasi janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 60% (38 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 40% e tyre janë ende në pritje të ekzekutimit të vendimit (25 raste)” thuhet në raport.