Batërdi me legalizimet në bregdet, ja skandalet e Lames me fondet dhe tenderat

149

Skandalet e ALUIZNI-t nuk kanë të sosur. Çdo ditë gazeta po nxjerr në pah shkeljet e kryera nga ky institucion, çka provojnë se nuk është mbajtur premtimi për rregullimin e procesit të legalizimeve dhe zgjidhjen e hallit të qytetarëve pa i vërdallisur.
Auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk i ka shpëtuar as ALUIZNI i Sarandës, i cili, ashtu si zyrat e tjera rajonale, ka shkelje të shumta ligjore dhe ka bërë batërdi me legalizimet. Një ndër shkeljet që mund të përmendim është abuzimi me fondin limit në tendera. Sipas raportit të KLSH, ALUIZNI Sarandë nuk ka përllogaritur fondin limit për rastet kur ka pasur blerje me vlera të vogla. Po ashtu, ka patur edhe nga ato raste kur fondi limit është llogaritur pa u bërë testimi i tregut. 

“Drejtoria e ALUIZNIT Sarandë, nuk ka hartuar plan vjetor dhe nuk ka bёrё përllogaritje të fondit limit në asnjë prej 12 procedurave pёr blerjet me vlera tё vogla gjatë periudhës 2016- 30.06.2017. Fondi i prokuruar i referohet buxhetit të miratuar të institucionit. Në disa raste testimi i tregut është bërë pasi është përcaktuar fondi limit për objektin që do të prokurohet, duke mos bërë përllogaritjet e tij, veprim në kundërshtim me VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” kreu II, neni 9, pika 1, dhe udhëzimit nr. 3, datë 27.01.2015 “Për procedurën e prokurimit me vlerë të vogël””, thuhet në raport.
Po ashtu, KLSH, ka konstatuar se në Drejtorinë e ALUIZNIT Sarandë nuk është ngritur komision për kolaudimin dhe marrjen e mallrave, punimeve dhe shërbimeve në dorëzim. “Në të gjitha procedurat mungon procesverbali i marrjes në dorëzim të mallrave ose kryerjes së shërbimit, veprime në kundërshtim me pika 42, 43, 52 dhe 60, të Udhëzimit nr. 30, datë 27.12.2011, “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik””, shtohet më tej në audit.

Batërdi me legalizimet në bregdet
ALUIZNI i Sarandës nuk ka mundur të shmangë as shkeljet me lejet e legalizimit të dhëna në bregdet. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vënë re sesi në 9 raste kjo zyrë rajonale ka legalizuar objekte pa respektuar distancën ligjore nga brigjet detare.
“Në 9 raste rezultoi se janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga brigjet, ku sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si genplani, harta dixhitale e paraqitur, rezulton se objektet ndodhen në një distancë prej buzës së detit me pak se 100 metrash veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006, të ndryshuar, ligjin nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar, nenin 4, pika 8 a dhe b, VKM nr. 280, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje” , pika 4”, theksohet dokumentin e KLSH.
Midis skandaleve nuk mungojnë as legalizimet e objekteve në zona arkeologjike, në parqe apo në zona të mbrojtura. Për këto shkelje KLSH ka kërkuar që ALUIZNI i Sarandës të marrë masa që me plane konkrete të shqyrtojë kërkesat për të zbatuar afatet ligjore për shqyrtimin e praktikave të legalizimit me qëllim rritjen e transparencën publike dhe respektimin e ligjeve. /Agjencia e Lajmeve Sot/