Zbardhet top-formacioni i Realit, Zidane me pesë yje të rinj

Mediat franceze (L’Equipe) kanë publikuar një model të formacionit titullar të Real Madridit për sezonin e ardhshëm. Përveç nënshkrimeve të mëdha, që parashikohen të materializohen kësaj vere, në zgjedhjet e trajnerit Zidane ka vend edhe për “pesha të rënda” të eksperiencës së tij të parë si trajner në “Santiago Bernabeu”.
Nëse në kohën e Solarit, emra të tillë si Keylor Navas dhe Marcelo përfliteshin për t’u larguar, ngaqë nuk po gjenin hapësirë, tashmë ata do të rifitojnë statusin që kishin, me francezin në krye. Spanjollja “AS” ka sqaruar përmes një videoje jo vetëm formacionin, me të cilin pritet të startojë Zidane sezonin e ardhshëm, por edhe vendosjen e tyre sipas pozicioneve përkatëse në fushë.
Kjo 11-she do të përbëhej nga këto emra, sipas modulit 4-3-3: Navas – Marcelo, Ramos, De Light, Carvajal – Casemiro, Rabiot, Pogba – Hazard, Mbappe, Benzema. Pra, duket qartë se kemi pesë prurje të reja, të piketuara në kokën e drejtuesve të “Los Blancos”.
Interesant është fakti se i bie të ulen në stol edhe emra të tillë, si Modric apo Toni Kroos, me Isco që e ka provuar tashmë këtë status, pa llogaritur elementët e rinj, që morën mjaft hapësira këtë sezon, me Lopetegui dhe Solari në stol. Kujtojmë se ditën e djeshme ishte “L’Equipe”, që bëri me dije se Real Madridi ka përgatitur 500 milionë euro për merkaton e kësaj vere.

222 1