Vihen në provë marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Europës

Presidenti kinez Xi Jinping u takua këtë javë me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë dhe nënshkroi marrëveshje në një përpjekje për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Analistët thonë se përpjekjet kishin për qëllim të zbusnin kufizimet tregtare dhe investimet kineze në Evropë, por nuk ka të ngjarë që vizita e tij të dobësojë qëndrimin e BE-së.

Turneu evropian i presidentit Xi përfshinte ndalesa në Itali, Monako dhe Francë. Por Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kreu i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shkuan në Paris për të takuar udhëheqësin kinez.

Analistët thonë se vizita ka përmirësuar atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kinës, por reagimi evropian dhe qëndrimi ndaj kompanive kineze dhe investimeve të tyre nuk ka gjasa të ndryshojë.

“BE nuk do të zbutë qëndrimin mbi kërkesat e saj thelbësore (për lidhje të drejta dhe reciproke ekonomike, përfshi eliminimin e transferimeve të detyruara të teknologjisë dhe respektimin e standarteve bazë të BE-së), pavarësisht nga zgjerimi i miqësisë dhe marrëveshjeve të mëdha që u arritën gjatë vizitës së presidentit Xi”, tha Sourabh Gupta, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Studimeve Kino-Amerikane në Uashington.

Gjatë vizitës, presidenti Xi nënshkroi 29 marrëveshje me vlerë 2.8 miliardë dollarë me Italinë dhe vendosi urdhër për blerjen e 300 avionëve Airbus me vlerë 34 miliardë dollarë në Francë, të njëjtin numër të avionëve Boeing që bleu nga Shtetet e Bashkuara gjatë vizitës së Presidentit Donald Trump në vitin 2017 në Pekin.

Nga ana e saj, Italia u bë vendi i parë i Grupit të Shtatëshes që nënshkroi të ashtuquajturën Rrugë e Re e Mëndafshit, një projekt ambicioz infrastrukturor, pavarësisht kritikave të Uashingtonit që e quan “projektin e kotësisë” kineze.

Motivi i presidentit Xi
Ajo që e motivoi vizitën e presidentit Xi ishte rreziku i presionit të dyanshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për të ndryshuar disa nga sistemet e brendshme, si subvencionet shtetërore dhe financimet e kompanive kineze.

Shumë nga çështjet e ngritura nga Brukseli dhe Uashingtoni janë të ngjashme, por disa kërkesa shtesë nga Evropa po i shtojnë problemet për Pekinin. Ana Andrade, analiste në ekipin për Evropën të Njësisë së Inteligjencës Ekonomike, thotë se ka një dallim të madh në mënyrën se si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i qasen Kinës.

“Kërkesat e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës nuk janë plotësisht identike. BE është shumë e vetëdijshme për rëndësinë e Kinës si një partnere tregtare,” thotë ajo, duke shtuar se,” BE nuk është e interesuar të shkëputet nga Kina apo të krijojë një konflikt dypalësh siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara”.
Kina është tregu më i madh për mallrat luksoze evropiane dhe tregu më i madh për Airbusin.

Avantazhi konkurrues
Kërkesat e BE-së për reforma në Kinë u intensifikuan që kur Shtetet e Bashkuara filluan një seri veprimesh tregtare agresive duke ngritur tarifat për mallrat kineze që çuan në një luftë tregtare gati nëntë muaj më parë.

“Strategjia e BE-së është të shfrytëzojë momentin e krijuar nga presioni i administratës Trump mbi Pekinin për ta angazhuar Kinën të bëjë reforma që do të lejonin konkurrencën e drejtë dhe do të hapnin tregun”, thotë zoti Gupta.

Analistët kinezë, megjithatë, argumentojnë se kërkesat e BE-së nuk janë domosdoshmërisht presion shtesë ndaj Pekinit dhe se ato përputhen me reformat e kërkuara nga SHBA.

“Nëse Kina do të bëjë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për disa nga çështjet, mendoj se kjo nuk do të zbatohej vetëm për Shtetet e Bashkuara. Kina do të përshtasë pozicionin e saj ndaj të gjitha vendeve”, thotë Shen Dingli, një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shangaj. Ligji i ri i investimeve të huaja, i miratuar nga parlamenti kinez këtë muaj, do të zbatohet për të gjitha vendet dhe jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, vë në dukje analisti.

Si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja u nxitën të bënin presion për shkak të shqetësimeve se qeveria kineze ka kohë që u jep kompanive kineze mbështetje konkurruese perms subvencioneve, mungesës së transparencës, standardeve të dobëta për mbrojtjen e punës, mjedisit dhe pronës intelektuale.

Ding Yuan, dekan në Fakultetin e Biznesit Ndërkombëtar, nuk pajtohet me vlerësimin se mungesa e transparencës në marrëdhëniet e biznesit i jep ndërmarrjeve kineze një avantazh konkurrues ndaj homologëve të tyre në pjesën tjetër të botës.

“Mungesa e transparencës nuk është kurrë një përparësi. Nëse mungesa e transparencës do të ishte avantazh, Kina nuk duhet të kishte bërë reformat ekonomike dhe hapjen e tregut, dhe Bashkimi Sovjetik do të ishte ende gjallë, më i fortë se Shtetet e Bashkuara” thotë ai.

Zoti Ding beson se kritikët dhe rivalët e biznesit mund të punojnë për qëllime të ndryshme. Ata po e ndihmojnë në fakt Kinën që të vazhdojë planin e reformave dhe të konsolidojë pozicionin e saj në botën industriale.

“Duke fajësuar Kinën për rolin që luan shteti, duke promovuar idenë e ndërhyrjes së qeverisë kineze si avantazhin kryesor konkurrues të historisë të suksesit, në të vërtetë kritikët janë duke ndihmuar autoritetet kineze për të konsoliduar qasjen e tyre”, thotë zoti Ding.