“Tërmet” në Holandë për lirimin e vrasësit Arben Frroku

Arben Frroku dhe lirimi i tij në Holandë, duket se ka shkaktuar një tërmet të vërtetë dhe në mediat atje.
Gazeta më e madhe në vend shkruan se avokati i ‘vrasësit të policit’, Arben Frroku, nga Shqipëria, kërkoi dje nga gjykata lirimin e klientit të tij. Ministri Grapperhaus dëshiron të shmangë me çdo kusht që vrasësi të mbetet këtu, duke përfunduar i lirë në rrugë
Nga Mick van Wely, De Telegraaf
Arben Frroku është arrestuar tre vjet më parë në aeroportin e Schiphol-it me një pasaportë false. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për ekzekutimin e një shefi policie të rangut të lartë në Tiranë.
Frroku mund përfundojë shumë shpejt në liri. Shqipëria kërkon që ‘vrasësi i policit’ të ekstradohet, por Frroku dhe avokati i tij i janë kundërvënë ekstradimit.
Gjykata e Amsterdamit zhvilloi dje një seancë pas kërkesës së pezullimit nga avokati i Frrokut, Gerald Roethof. Kjo gjykatë, por edhe ajo e Hagës, vendosën pas një urdhri të përkohshëm që ekstradimi i tij është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të njeriut. Kjo për shkak se ekstradimi i tij në Shqipëri nënkupton burgim të përjetshëm.

Sipas avokatit, Roethof, nuk ka më asnjë arsye për ta mbajtur Frrokun në qeli pas vendimit të gjykatës. Prandaj, ai kërkoi lirimin e tij. Javën e shkuar, ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë, Grapperhaus, tha për gazetën De Telegraaf se ai dëshiron që të parandalojë që shqiptari të përfundojë në rrugë këtu. Dje ai e bëri një koment të tillë edhe gjatë seancës parlamentare.
Ministri ka autorizuar një hetim të ri mbi mënyrën e ekzekutimit të dënimit me burgim të përjetshëm në Shqipëri. Sipas Grapperhaus, ka të dhëna se ekziston një rishikim periodik i dënimeve të përjetshme, në bazë të së cilës mund të përcaktohet nëse një i dënuar ka të drejtë për lirim të parakohshëm. Ai i referohet një rasti konkret.
Gjykata pritet të japë vendimin mbi lirimin e Frrokut më 7 mars.

arben frroku 1 1461703323 6473563 1461938352 5998644