SHBA: Kosova të pezullojë tarifat, po dëmton partneritetin

Zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley, për dy ditë me radhë kanë takuar udhëheqësit e Kosovës dhe kanë paralajmëruar masa të reja nëse nuk pezullohen tarifat ndaj mallrave serbe për t’u hapur rrugë bisedimeve.
Pjesëmarrësit në takime thanë se në kuadër të masave të mundshme ata kanë përmendur madje edhe mundësinë e largimit të rreth 650 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe prania e tyre shihet si thelbësore për sigurinë e Kosovës.
Po ashtu zyrtarët amerikanë kanë theksuar se nuk ka ndonjë dokument të shkruar të ndonjë marrëveshjeje e cila duhet të hartohet nga palët dhe duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.
Ambasada amerikane në Prishtinë, nuk ka dhënë hollësi por theksoi të enjten se të dy zyrtarët u kanë thënë udhëheqësve të institucioneve të Kosovës se tarifat ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja, duhet të pezullohen, meqë e pengojnë përparimin dhe dëmtojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Në një njoftim të ambasadës thuhet se dy zyrtarët që qëndruan edhe në Beograd, përforcuan porosinë e presidentit Donald Trump “për të shfrytëzuar këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”.
Në të dyja kryeqytetet, thuhet në komunikatë, ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se “dialogu duhet kthyer në binarë dhe se të dyja palët duhet të ndërpresin veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për t’u kthyer në tryezën negociuese”.
Zyrtarët amerikanë përsëritën mesazhin e tyre nga letra e 11 shkurtit, se “tarifat ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës janë pengesë në rrugën drejt përparimit, dëmtojnë partneritetin tonë dhe duhet të pezullohen, në mënyrë që dialogu me Serbinë të ecë përpara”. Ata theksuan urgjencën që “Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik”, thuhet në komunikatë.
Dy bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, i pohuan Klan Kosovës kërkesat amerikane ndërsa theksuan se ata janë shprehur të gatshëm të negociojnë me Serbinë në emër të Kosovës për kushtet e pezullimit të tarifave ndaj Serbisë

Qëndrime të ndara të udhëheqësve të Kosovës
Pas takimeve të se enjtes me delegacionin shtetëror të Kosovës për bisedime me Serbinë dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, zyra e këtij të fundit përmes një komunikate bëri të ditur se është biseduar për procesin e bisedimeve përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e përkohshëm të tarifave ndaj mallrave serbe.
“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për pezullimin e e tarifave dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit Thaçi.
Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëriti sërish qëndrimin se tarifa nuk është pengesë për bisedimet me Serbinë dhe se këtë ka provuar ta shpjegojë në takimin e së mërkurës me zyrtarët amerikanë.
“Ekzistojnë dy mënyra pra se si të shihet tarifa; njëra është të shihet si pengesë për t’u kthyer në dialog, tjetra është si ndihmesë për ta arritur marrëveshjen më shpejt, për shkak se koha tashmë nuk i kushton vetëm Kosovës por edhe Serbisë besoj. Pra për aq kohë sa tarifat janë në fuqi koha i kushton edhe Serbisë, pra ekzistojnë këto dy efekte besoj unë”, tha kryeministri Haradinaj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkë kryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, pas takimit shkroi në rrjetin social Facebook se i ka siguruar mysafirët se po punohet për një qëndrim të përbashkët rreth çështjes së tarifave që të mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve amerikanë”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu keqardhjen që “Kosova aktualisht ndodhet ne pikën më të ulët të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe ky duhet të jetë shqetësim për politikën dhe shoqërinë në Kosovë”.
Marrëdhëniet u sfiduan për shkak të refuzimit të Prishtinës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, të cilat kanë pezulluar edhe procesin e bisedimeve, meqë Beogradi i kushtëzon ato me heqjen e tyre.
Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë vizë udhëtimi fillimisht kryeministrit të Kosovës dhe vizat me pas u janë refuzuar edhe zyrtarëve të tjerë.
Një vizitë e planifikuar e gjeneralit amerikan të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr në Kosovë me rastin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë së saj u anulua për shkak të tarifave, ndërsa javën që lamë pas u anuluan ftesat për 14 pjesëmarrës nga Kosova në disa konferenca që lidhen me sfidat e sigurisë ndërkombëtare e rajonale.