Ronaldo festoi si Simeone, nga Spanja kërkojnë dënimin e tij

Super ylli portugez, Cristiano Ronaldo, beson se Juventusi e kishte transferuar atë pikërisht për paraqitje të tilla, si ajo që e bëri ai dje kundër Atletico Madridit, duke ia siguruar italianëve një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Juventusi kishte pësuar disfatë me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kundër Atleticos. Ronaldo i shënoi tri gola në ndeshjen kthyese dhe Juventusi e zuri një vend në çerekfinale, me rezultat të përgjithshëm 3:2, transmeton Gazeta Express.
Ylli portugez e shënoi një gol në pjesën e parë për ta përgjysmuar epërsinë e madrilenëve, para se ta barazonte rezultatin në pjesën e dytë. Në minutën e 86-të të ndeshjes, ai e shënoi golin e fitores, nga pika e penalltisë.
“Kishim nevojë për një natë me të vërtetë të veçantë dhe ashtu ishte. Nëse vazhdojmë kështu… ne nuk kemi fituar ende, por kemi arsye për të qenë krenar sepse jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Ronaldo, menjëherë pas ndeshjes.
“Kjo është arsyeja pse Juventusi më transferoi dhe unë tentova ta jap më të mirën time. Është një natë magjike. Atletico është kundërshtar shumë i vështirë, por ne e dëshmuan se jemi ekip i madh. I marrim të gjitha hap pas hapi, do ta shohim”.
Para kësaj ndeshjeje, Ronaldo kishte qenë më i heshtur se zakonisht në Ligën e Kampionëve, pasi e kishte shënuar vetëm një gol në gjithsej gjashtë paraqitjet e tij në këtë garë.

Mos harroni gëzimin e Diego Simeone në ndeshjen e parë, mes Atletico Madrid dhe Juventusit (2-0). Një gjest drejtuar nga tribuna, me të vërtetë jo “fisnik”. Për këtë gjest, “Cholo” kërkoi falje, tha se nuk kishte të bënte me bardhezinjtë. Megjithatë, një proces disiplinor u hap nga UEFA, e cila më pas zgjodhi të mos e skualifikojë trajnerin argjentinas, por ta gjobisë me 20 mijë euro.
E pra, në ndeshjen e mbrëmshme, të fituar 3-0 nga Juventusi, Cristiano Ronaldo iu përgjigj gjestit të Diego Simeone. Tripletë, kualifikim me përmbysje i bardhezinjve dhe festë e çmendur për yllin portugez. Në “harbimin” e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” u simulua, të paktën në pamje të parë, ngazëllimi i Simeone në “Ëanda Metropolitano”.
Një gjest, nëse është e mundur, edhe më i dukshëm dhe i hapur, i bërë nga lojtari më i mirë i ndeshjes, tek i cili ishin të gjithë prozhektorët. Arsyetimi me mendje të ftohtë të bën të mendosh se yllin e Juventusit mund ta presë i njëjti fat si Simeone, edhe pse do të jetë e nevojshme të presim si do të procedojë UEFA.
Në Itali nuk flitet për këtë gjë, por në Spanjë theksojnë se gjesti, në disa mënyra është edhe më i dukshëm se i Simeone. Prandaj, kush e di, Ronaldo mund të rrezikojë edhe një lloj ndëshkimi ndryshe nga UEFA. Gjoba si në rastin e Simeone është e sigurt, sipas mediave spanjolle, por mund të ketë edhe diçka më shumë, ndoshta pezullim me një ndeshje. Sidoqftë, duhet të presim disa ditë për të kuptuar se si do të sillet everia europiane e futbollit, që në kompeticione të tilla, për hir të imazhit, nuk toleron aspak.

ronaldo1