Protestë në Vlorë: “Duam punë, duam bukë, o të vdesim ne, o të vdesi ai që na ka hedhur në rrugë”

Mëngjesin e sotëm 60 ish-punonjës të Shërbimit Urban në Vlorë kanë zhvilluar një protestë përpara Bashkisë.
Arsyeja e protestës së tyre është se ata kanë mbetur pa punë që prej muajit janar kur në mbledhjen e fundit të Këshillit bashkiak për 2018, u vendos shkrirja e Parkut Urban për shkak të mosmenaxhimit dhe borxheve të mëdha të akumuluara nga ky institucion.
Ish-punonjësit kërkojnë rihapjen e entit duke qenë se janë 60 kryefamiljarë që kanë mbetur pa punë.
Gazetarët e Fax News të interesuar pranë Bashkisë janë informuar se ish-punonjësve i është ofruar një kontatë pune për t’u punësuar në shërbime alternative por që ata nuk kanë pranuar. Sipas punonjësve të Bashkisë bëhet me dije se një pjesë e ish-punonjësve kanë marrë rrogën dhe 3 muaj pas mbylljes ndërsa një pjesë tjetër do të paguhet dhe për 8 muajt e ardhshëm dhe pse këta të fundit kanë ende borxhe të papaguara ndaj Bashkisë.
Një nga protestuesit u shpreh me tona të larta se përgjegjësit për vjedhjen duhet të shkojnë në burg.
“O të vdesim ne, o të vdesi ai që na ka hedhur në rrugë. Kush i ka vjedhur lekët e parkut të vejë në burg, nëse i kam vjedhur unë të shkoj unë në burg. Kryetari i Bashkisë t’i japë zgjidhjen kësaj, ta marri hajdutin ta cojë në burg, do t’i japi 100 milionë lekë, mua me jep 130 mije lekë”.