Politikat e mbrapshta të kësaj qeverie, po zbrazin Shqipërinë, vetëm në 2018 u mbyllën 250 shkolla

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka reaguar në ditën e festës së mësuesve mbi situatën në të cilën gjendet arsimi në përgjithësi në Shqipëri,
“Në kohën kur urimi duhet të ishte për mesuesit, të cilët investohen për një brez të ri, sot jemi përballë një situate alarmante të braktisjes së vendit jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga mësuesit”, shkruan Çupi në një shenim në faqen e saj në Facebook.
Ish-deputetja demokrate shkruan se “afërisisht 250 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit”.
Postimi i saj i plotë
Boshatisen shkollat nga nxënësit dhe mësuesit. Vetëm në 2018 u mbyllën 250 shkolla
Shqipëria po zbrazet, nga mungesa e alternativës për të investuar e jetuar në këtë vend. Politikat e kësaj qeverie në 6 vjet kanë bërë që me mijëra të rinj e të reja të marrin rrugët e Europës, e po ashtu edhe me qindra intelektualë të braktisin profesionin e të marrin të njëjtën rrugë.
Në kohën kur urimi duhet të ishte për mesuesit, të cilët investohen për një brez të ri, sot jemi përballë një situate alarmante të braktisjes së vendit jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga mësuesit. Sipas të dhënave të INSTAT sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30 për qind që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve, ndërsa numri I shkollave u reduktua me 35 për qind.
Afërisht 250 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit. Me politikat e mbrapshta të kësaj qeverie, Shqipëria po zbrazet. Ky është një fakt tronditës, ndaj të cilit duhen marrë masa për parandalimin një orë e më parë të kësaj zbrazje.
Partia demokratike ka programin e qartë dhe konkret edhe në fushen e arsimit për Shqipërinë dhe Shqiptarët.