Nishani: Nëse kjo situatë nuk ndalet së shpejti, pasojat do të shfaqen në 20 vitet e ardhshme

Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-Presidenti Bujar Nishani, ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin ‘Byro Politike’ në AbcNews.
I pyetur nëse kishte dijeni përpara se Lulzim Basha të njoftonte se opozita do digjte mandatet, ish-kreu i shtetit tha para vendimit ka pasur një proces konsultimesh.
Mimoza Koçiu: E dinit që do digjeshin mandatet?
Bujar Nishani: Ka pasur një proces konsultimesh. Nuk e di kush e ka ditur më parë. Ka qenë një proces diskutimi i kryetarit me paketën dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së tha ndër të tjera se, qytetarët duhet ta shikojnë situatën politike si ndërpartiake. Nëse kjo nuk ndalet së shpejti, sipas Nishanit, atëherë pasojat do të shfaqen në 20 vitet e ardhshme.
‘Unë mendoj që çdo qytetar duhet ta shikojë situatën si ndërpartiake. Jemi në situatë e cila nëse nuk ndalet shpejt, do fillojë ta japë impaktin e vet të fatalitetit, në 20 vitet e ardhshme. Po rrezikojmë një zhbërje, të këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Kemi 4-5 vite që ka hemorragji masive të resurseve njerëzore.
Për shumë arsye. Nga njëri ekstrem te tjetri. Unë e kuptoj pse ka hemorragji njerëzore nga Afrika, Siri, Lindja e Mesme, por që të kishim këtë hemorragji të rikthyer, unë mendoj që sot është një përgjegjësi e madhe dhe është një shoqëri që ka hyrë në ngecje.
Zotëria që është kryeministër, nuk lëviz, sepse nëse lëviz duhet të marrë përgjegjësinë si autori kryesor i kësaj katandisje. Kemi një kolaps të tërë shoqëror, social, tani dhe institucional’, tha Nishani.