Nard Ndoka tërbon Ramën: U kap me presh në dorë, do ikë me preshin aty ku s’thuhet…

I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” kreu i PDK, Nard Ndoka komentoi edhe dhunën në protestën e 16 shkurtit, për të cilën tha se ishte qytetare edhe pse u tentua nga protestuesit të futen brenda.
“Pse ca është kryeministria, është një godinë që futesh e del, për qytetarët është edhe ajo. Madje ishte shumë mirë edhe që u tentua të prishet streha e vendosur te kryeministria, se është ndërtim pa leje. Kërpudha dhe streha, ajo ishte pasuria e tij në këto 6 vite. Te kërpudha u bë nami u hodhën disa ‘bomba’ me gaz. Kjo i provokon qytetarët. Unë jam ndjerë i provokuar nga Edi Rama, kur jam përballur me këtë gaz, që çdo njeri nuk e ka marr veten për 3-4 ditë. Janë të dëmshme për shëndetin. Aq më tepër kur dihet sa të dëmshme janë ato, e kur dihet që janë dhuratë nga Serbia, ky është kulmi, që përdor disa mbetje, që kanë mbetur nga lufta me Kosovën”, tha Ndoka, ndërsa theksoi se Rama e ka të qartë se kjo është një revoltë që nuk do të përfundojë asnjëherë.
Për kreun e PDK, Rama është tashmë jashtë sistemit ndaj duhet të largohet, dhe kjo është një përgjegjësi kombëtare e opozitës.
“Është momenti final. Çdo ditë nën qeverisjen e Edi Ramës është një fatkeqësi kombëtare, dhe këtë edhe vetë Rama e kupton. Ai personalisht nuk ka mundësi të dialogojë me opozitën, të firmosë një marrëveshje me opozitën. Prandaj e para është largimi i tij dhe më pas do të jetë një rrugë e hapur për mënyrën se si do të kemi një qeverisje për zgjedhjet e parakohshme. Çdo kosto ka vetëm një emër Edi Rama, është kapur me presh në dorë dhe do ta largojmë me presh aty ku nuk thuhet”, tha Ndoka.

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka thotë se asnjëherë nuk e ka menduar të mos i bashkohet vendimit ekstrem politik të opozitës për të mos e dorëzuar mandatin e deputetit. Ndoka thotë se opozita nuk mund të vijonte të ishte pjesë e një parlamenti ku të drejtat e saj ishin të mohuara, ku kryeministri nuk kishte lënë më hapësira për bashkëpunim me opozitën.
“Kryeministri sot qeveris pa gjykata, madje refuzon edhe kontrollin e lartë të shtetit të cilat janë dy kandidatura që i ka kthyer, është një institucion që e kontrollon kryeministrin dhe kabinetin e tij, një kryeministër që tashmë kërkon të kapë të gjithë shtetin, dhe në këtë sens opozita po mbante një kosto të madhe politike dhe morale”, tha Ndoka për emisionin “Kjo Javë”.
Për Ndokën vendimi i opozitës ka kostot e saj, pasi nuk ka një bashkëpunim institucional me maxhorancën.
“Propaganda e kryeministrit ishte aq e madhe sa qytetarët filluan ta quajnë edhe opozitën si bashkëfajtore, pra si dy pjesë të kalbura të këtij sistemi për faktin që ata mendonin se si një kryeministër i kapur duke vjedhur votat e tyre vijon të qeverisë akoma. Si ka mundësi që një kryeministër me kaq shumë skandale vazhdon të qeverisë akoma. Dhe hedhin fajin te opozita, pse kjo opozitë nuk është e aftë të largojë këtë maxhorancë. Vendimi i guximshëm i opozitës, e ndan tashmë qartazi fajin”, u shpreh Ndoka.

Ndoka sqaron se vendimi për dorëzimin e mandatit, diskutohej prej kohësh brenda opozitës dhe nuk ishte kryedemokrati Basha iniciator i saj.
“Basha është një politika i një formati europian. Basha asnjëherë nuk e donte hapin ekstrem. Pasi gjithmonë ka tentuar të ketë një frymë kompromisi, konsensusi në politikën shqiptare e ka provuar një gjë të tillë edhe me marrëveshjen e famshme të 17 majit, pati jashtëzakonisht probleme për atë marrëveshje për faktin se ishte një marrëveshje krize dhe jo një marrëveshje e një logjike normale politike e një konsensusi të ngritur në mënyrë institucionale, në këtë sens nuk ka qenë Basha iniciator i djegies së mandateve, kanë qene shumë zëra brenda, kanë qenë edhe kryetarët e partive opozitare”, u shpreh Ndoka.
Sa i takon plotësimit të vakancave në parlament, Ndoka thotë se Rama tashmë po luan lojën e matrapazëve, duke theksuar se ky është momenti për të njohur njerëzit.
“ I erdhi dita, që po vijon blerjen e mandateve. Sot kemi një parti politike me tre deputetë në parlament, partia e çamëve, dhe ia ka blerë të tre deputetët. Dhe këtë e ka bërë Edi Rama”, vijoi Ndoka. Për demokristianin Ndoka, tashmë është në fushën e tij.
Duke komentuar qëndrimin e deputetes Rudina Hajdari e cila ende nuk e ka dorëzuar mandatin e deputetes, Ndoka i kërkon asaj të mendojë pse PD e afroi në parti për t’u bërë deputete.
“Unë kam njohje të thella me znj. Hajdari. Kam qenë një mik dhe bashkëpunëtor me Azem Hajdarin, ajo thjesht përfaqëson një emblemë. Ajo thjesht duhet ta ketë të qartë se nuk vlerat e saj personale, se ishte një emër i panjohur por PD e afroi se përfaqësonte një emblemë të PD të historisë së kësaj partie dhe unë gjykoj e mendoj se Basha bëri mirë e futi në parlament. Sot është momenti për të treguar vlerat e veta. A do ta gjejë rrugën znj.Hajdari? Kjo është përgjegjësi e saj”, deklaron Ndoka.

Lidhur me plotësimin e vakancave në Parlament, me deputetë të rinj, Ndoka thotë se kjo është një lojë e Edi Rama, ndërsa i thekson këtij të fundit se opozita nuk mund të zëvendësohet. “Jemi përballë kolapsit më të madh të pluralizmit shqiptar dhe këtë e bëri Edi Rama”, tha Ndoka.
Si ish-aleat i Ramës në opozitë, pjesëmarrës gjithashtu në protestën e 21 janarit, kreu i PDK flet me tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, për të cilin thotë se mbetet një burracak që nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e një burri shteti.
“Me PS kemi qenë pjesë e një opozite të përbashkët. Unë kam qenë më 21 janar me PS në protestë, për standardet për zgjedhjet, që këto Rama i shkeli me këmbë. Unë shoh edhe sjelljet e dy liderave në të dy protestat. Edhe protestën që ne bëmë kundër qeverisë së z.Berisha në atë kohë me z.Rama edhe sjellja e asaj kohe të jep një shije të hidhur. Unë kam besuar gjithmonë dhe kam shpresuar që z.Rama nuk do ti përsërisë ato gabime që janë bërë më parë, edhe në hapësirat që lejon për të protestuar.
Nuk është se ne protestuam të lirë edhe në atë kohë e provuam trysninë e pushtetit dhe mendoja në çdo moment kur shikoja z.Rama të strukur diku në atë protestë që kaloi në protestë të dhunshme përballë policisë së shtetit lideri i opozitës është institucion, dhe nuk duhet të provojë trysninë e shtetit. Garancia më e madhe për sistemin është opozita. Ndërsa sot z.Rama duke u ndodhur në pozita të tjera, që ka përgjegjësinë e pushtetit, gjithmonë e mendoja që do të ketë një tolerancë, ky po bën krejt të kundërtën, madje po e tejkalon edhe z.Berisha edhe arrogancën që ka përdor ai pushtet përpara, duke përdorur gazin lotsjellës. Këto janë shenja të agonisë të z.Rama” u shpreh më tej Ndoka, ndërsa e shpreh se e vetmja rrugë për të rrëzuar Ramën nga pushteti janë protestat.