Momenti kur 40,000 tifozë festuan me Ronaldon…

I gjithë stadiumi i Juventusit, Allianz, shpërtheu kur Cristiano Ronaldo e shënoi golin e kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, nga pika e penalltisë.
Juventusi kishte pësuar disfatë me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kundër Atleticos. Ronaldo i shënoi tri gola në ndeshjen kthyese dhe Juventusi e zuri një vend në çerekfinale, me rezultat të përgjithshëm 3:2, transmeton Gazeta Express.
Ylli portugez e shënoi një gol në pjesën e parë për ta përgjysmuar epërsinë e madrilenëve, para se ta barazonte rezultatin në pjesën e dytë. Në minutën e 86-të të ndeshjes, ai e shënoi golin e fitores, nga pika e penalltisë.
Pasi kjo penallti kishte jashtëzakonisht shumë rëndësi për fatin e Juventusit në Ligën e Kampionëve, kishte shumë presion mbi Ronaldon për ta shënuar golin.
Megjithatë, portugezi e dëshmoi pse ai është pesë herë fitues i Topit të Artë, duke e shënuar golin e fitores dhe kualifikimit me qetësi. Ai shkoi të festonte në mënyrën e tij të zakonshme me tifozët.
Në atë moment, 40 mijë tifozë të Juventusit iu bashkuan portugezit duke brohoritur “SIIIIII”.
Para kësaj ndeshjeje, Ronaldo kishte qenë më i heshtur se zakonisht në Ligën e Kampionëve, pasi e kishte shënuar vetëm një gol në gjithsej gjashtë paraqitjet e tij në këtë garë.