Jo vetëm në Fier, por edhe në Tiranë po protestohet: Gratë e ”Astirit” sfidojnë Ramën!

Ndërsa në Fier protestues të shumtë janë hedhur në protestë duke I bllokuar rrugën Ramës dhe janë përplasur me policinë, protesta ka edhe në Tiranë.
Këtë 8 Mars gratë e Astirit, shtëpitë e të cilave do të shemben nga projekti i Unazës së Re kanë dalë sot në protestë me parullat: “Shtëpia jonë, motoja jonë”.
Kërkesa e vetme që kanë është që kryeministri Rama të dalë publikisht e të ndalojë projektin korruptiv, siç e quajtën ato, atë të Unazës së Re.
“Duam të na dëgjohet zëri. Jam një banore e Unazës së Re. Ne nuk do ishim sot këtu, do festonim nëse Edi Rama nuk do vidhte 40 milionë euro, nëse nuk do bënte këtë projekt. Sot është dita e 126 e protestës sonë. Ne do rrimë këtu deri sa të dalë Rama e të thotë që projekti është anuluar. Ne jemi shumë, shumë më shumë do bëhemi”, tha njëra prej tyre.
Kryetarja e Gruas në PD, Albana Vokshi u shpreh gjatë fjalës së saj se, sot kemi 1001 arsye për të protestuar, dhe ne gratë e opozitës vendosëm të ishim me ju sepse ju na mësuat se shtëpia duhet të mbrohet me gjak.
Fjala e Vokshit
“Rama është duke ikur dhe në Fier e kanë pritur ashtu siç e meriton, me protesta. Është kthyer në kryeministrin më të urryer të të githë shqiptarëve. Dua të falenderoj nga zemra gratë dhe vajzat banore të Unazës së Madhe. Faleminderit për atë që keni bërë në 4 muaj protesta pavarësisht burgosjeve politike, kërcënimeve, presioneve ju keni ditur të mos mposhteni. Jeni kthyer në simbolin e qëndresës së grave shqiptare, të rezistencës ndaj qeverisjes kriminale, korrupsionit galopant.
Sot është një tjetër 8 mars i trishtë për të gjitha nënat dhe vajzat shqiptare. Sot kemi 1001 arsye për të protestuar, dhe ne gratë e opozitës vendosëm të ishim me ju sepse ju na mësuat se shtëpia duhet të mbrohet me gjak. Të bashkojmë të gjitha kauzat dhe të bëhemi bashkë,me ju dhe gjithë femrat e shqiptëri. Sic mbrojtët shtëpitë tuaja të mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë!”