Injorimi, ministri i Jashtëm i Malit të Zi nuk e pret në takim Gentin e Edit

I ashtuquajturi, “Ministri i Jashtëm” i Edi Ramës, Gent Cakaj duket se ka vendosur që të bëjë prova për të fituar autoritetin e nëpërkëmbur brenda vendit nga vetë kryeministri, duke planifikuar vizita zyrtare nëpër vende të ndryshme.
Këtë eksperiment, për tu pranuar në një detyrë që nuk e ka edhe pse kështu thotë Rama, e ka nisur nga një vend modest të vogël, siç është fqinji ynë Mali i Zi.
Por pritja që i është rezervuar aty është injoruese dhe nuk shkon as në nivelin e një zëvendësministri, siç ishte më parë zyrtarisht.
Sipas njoftimit të vetë institucionit që drejton si i komanduar nga Rama, gjatë vizitës së tij në Malin e Zi Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj u prit dhe zhvilloi një takim me Kryenegociatorin e Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Aleksandar Drljevic si dhe me me Zv.Kryetarin e Parlamentit, shqiptarin, Genc Nimanbegu.
Pavarësisht se në këtë njoftim, Cakaj cilësohet “kryediplomati shqiptar”, ai jo vetëm që nuk është pritur nga ministri i Jashtëm i Malit të Zi, por as nga zëvendësit e tij. Takimet e Cakajt ishin të denja, vetëm për zyrtarë të mesëm të një shteti dhe në fakt ashtu u prit.