I dënuari për kontrabandë që merr mandatin e deputetit

Ylli Shehu është rikthyer në sallën e Kuvendit si deputet i LSI-së, duke marrë mandatin e dorëzuar nga Floida Kërpaçi.
KQZ nisi sot miratimin e listës së deputetëve të rinj për të plotësuar vakancën e krijuar në Kuvend, pas dorëzimit në grup të mandateve nga deputetë të opozitës, PD dhe LSI.
Pro Shehut kanë votuar 5 anëtarët e pranishëm në mbledhjen e KQZ-së, ndërsa në formularin e dekriminalizimit ai ka paraqitur edhe dënimin për një vepër penale. Ai ka deklaruar dënimin me 200 mijë lekë gjobë, pasi është shpallur fajtor në vitin 2007 nga Gjykata e Tiranës, sipas nenit 174/i të Kodit Penal për veprën penale të “kontrabandës së mallrave të tjera”.
Gjithashtu në formularin e dekriminalizimit, Shehu ka deklaruar ndryshimin e gjeneraliteteve, duke sqaruar se më parë ka mbajtur mbiemrin “Lala”.
Ylli Shehu ka nisur karrierën politike me Partinë Republikane, ndërsa më pas i është bashkuar LSI-së. Rreth dy vjet më parë, ai deklaroi se nuk do të rikthehej në politikën aktive, por tashmë ai ka pranuar të marrë mandatin e ligjvënësit, pasi emir i tij ndodhej në listën shumëemërore të depozituar në KQZ nga LSI për qarkun e Tiranës.
Ylli Shehu ka përfunduar studimet për Juridik pranë Universitetit “Kristal” në sistemin 3+2 dhe e ka përfunduar atë në vitin 2006-2011.
Ylli Shehu në CV e tij ka deklaruar se ka punuar si Jurist në Prefekturën e Kukësit, ka qenë këshilltar në Bashkinë e Kamzës, si dhe ka drejtuar prej dy muajsh, Agjencinë Rajonale të Mjedisit në Qarkun e Tiranës.
Shehu ka qenë këshilltar i ministrit të Mjedisit, ndërkohë që në shtator të 2013 ai mori mandatin e deputetit

“Boldnews.al”