Europë, ku po shkon?

Pasi largësia midis dy brigjeve të Atlantikut – të paktën gjatë presidencës Trump – është e destinuar që të rritet, për Europën bëhet vendimtare të vendosë se cila rrugë është më komode të ndiqet lidhur me të ardhmen e saj gjeopolitike. Zgjedhja duket se reduktohet në dy hipoteza alternative, për më tepër prej kohësh në diskutim. Me një të tretë si rezervë, që përbën një sintezë të emergjencës për të shmangur e asaj çka është arritur deri më tani në fushën e bashkimit. Rruga e parë është ajo e autonomisë politiko – diplomatike, e prirur ndaj përsosjes së integrimit kontinental (mitikët “Shtete të Bashkuara të Europës”, sot për më tepër tejet jopopullore në opinionin publik europian), specifikisht jo e drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por e çliruara e mundshme prej tyre. një hipotezë e tillë është bërë paradoksalisht më e thjeshtë dhe më e zbatueshme me vendimin e Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Europian, e kushtëzuar qysh nga paslufta prej “special partnership” me Uashingtonin dhe jo e gatshme të sakrifikojë kuota në rritje sovraniteti në favor të projektit unitar.
Vetëmjaftueshmëria strategjike e Kontinentit të Vjetër duket se është linja e parazgjedhur nga mirëkuptimi i rinovuar franko – gjerman midis Presidentit të ri francez Emanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, e konfirmuar në qeveri nga zgjedhjet politike e shtatorit, pavarësisht një rënie të konsiderueshme konsensusi, por e ngecur menjëherë në një problem të rëndë qeverisjeje, që e ka penguar deri më tani Gjermaninë të formojë një ekzekutiv të ri. Momenti i dobësisë thelbësore të vendit lider të Europës kushtëzon në fakt në mënyrë negative zgjedhjen franko – gjermane për ta rianimuar procesin e integrimit kontinental. Ky objektiv kërkon forcimin e një impenjimi jetëgjatë politiko – financiar (pjesërisht i lehtësuar nga rigjallërimi ekonomik në rrugë konsolidimi në të gjithë kontinentin) dhe rilançimin e politikave të përbashkëta europiane. Me një efekt anësor, sa delikat, aq edhe i pashmangshëm, i përbërë nga politika e mbrojtjes së përbashkët. Ajo duket se ka hedhur një hap të rëndësishëm falë adoptimit të Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm (PeSCo), i parashikuar qysh nga Traktati i Lisbonës (2007), por asnjëherë i zbatuar konkretisht deri në dhjetorin e 2017, kur 23 shtete (mbesin jashtë vetëm Britania e Madhe, Danimarka, Irlanda, Malta e Portugalia) kanë vendosur të adoptojnë një bashkëpunim të forcuar në këtë fushë.

Dy shtylla themelore janë “Global Strategy for the European Union’s Foreign and Security Policy”, e promovuar në qershorin e 2016 nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë, në të cilën theksohet për herë të parë “autonomia strategjike” e kontinentit, dhe “European Defence Action Plan”, e adoptuar nga Komisioni i Bashkimit Europian në nëntorin e kaluar. “Global Strategy” sqaron në preambulën e saj se Bashkimi Europian nuk ka synime angazhimi në nivel botëror dhe se referimi hapësinor i zbatimit mbetet Europa dhe rajonet e afërta me të. Ndaj tyre në fakt drejtohet projektimi i vetëm i vërtetë i fuqisë ushtarake europiane aktualisht në zhvillim (nëqoftëse përjashtohet prania detare kundër piraterisë në Oqeanin Indian e zhvilluar me misionin “Atalanta”), atë të kryer nga Franca në Afrikën Perëndimore dhe në disa vende të Lindjes së Mesme në funksion antiterrorizëm.
Megjithatë, mbetet akoma larg objektivi për të krijuar, edhe në periudhën afatmesme, një instrument efikas për të luftuar kërcënimet që kontinentit i duhet të përballojë. Ato janë me natyra të ndryshme: konvencionale (sidomos riarmatimi rus, nëse me Moskën nuk do të arrihej të rivendosej një dialog politiko – strategjik në gjendje që të ripropozojë forma bashkëpunimi midis partnerësh të barabartë dhe reciprokisht përfitues që parashikojnë një deeskalim ushtarak reciprok) dhe asimetrike. Në mënyrë të veçantë, terrorizmi i markës islamike, që pas disfatës së ISIS-it i ka spostuar sulmet e tij në brendësi të vendeve europiane, duke shfrytëzuar sidomos pakënaqësinë e emigrantëve të keqintegruar për të rekrutuar “martirët” e tij.
Por duhen mbajtur parasysh edhe konfliktet e shumta me intensitet të ulët që zhvillohen në dyert e Bashkimit Europian, nga Ukraina lindore në Osheci, nga Çeçenia në Nagorno-Karabak, pa harruar Transnistrinë dhe Kosovën, vetëm formalisht të pavarura e të paqëtuara. Për të realizuar një mbrojtje të përbashkët efikase duhet për pasojë të rritet niveli i integrimit i sektorit industrial ushtarak. Për këtë qëllim Komisioni Europian ka vendosur që të caktojë 500 milion euro në vit (ama vetëm duke filluar nga 2020) për të fuqizuar kapacitetet zhvilluese e sistemeve të reja të armës, duke favorizuar bashkëpunimin në nivel shtetëror dhe të kompanive, dhe 1 miliard në vit për bashkëfinancimin e furnizimeve ushtarake. Lëvizje dommethënëse për nga qëllimi, pork a mundësi akoma e pamjaftueshme në aspektin material, pasi brenda një kohe të shkurtër duhet planifikuar rinovimi i shumë sistemeve të mëdha europiane të armës sot në përdorim, që i përkasin epokës së Luftës të Ftohtë – nga mjetet për superioritet ajror tek tanket dhe në shumë tipe anijesh – dhe për të realizuar të rinj, si dronet e tipit të avancuar.

Nga njëra anë, kjo bën të nevojshëm një integrim gjithnjë e më të ngushtë produktiv për të ulur kostit (të marra në konsideratë bilancet kronikisht të ulëta në fushën ushtarake), nga ana tjetër, rrit presionet të markës patërtisht politike për të bërë të fitojë një konsorcium apo një kompani ndaj të tjerave. Në sektor janë faktikisht në zhvillim përplasje të egra (frut edhe i nevojës për të reduktuar numrin e kompanive për të ruajtur në aktiv në planin kontabël aktivitetet prodhuese), siç e demonstron ndodhia e blerjes së kantiereve detare STX – France të Saint-Nazaire nga ana e italianes Fincantieri, për një kohë të gjatë e bllokuar në shpërfillje të marrëveshjeve të arritura në fazën finale e presidencës Hollande. Një problem i madh për t’u zgjidhur, sidomos në rastin e mirë të një integrimi progresiv europian edhe ushtarak, mbetet veç të tjerash ai i armatimit bërthamor francez. Çështja rezulton pjesërisht e thjeshtëzuar nga Brexit dhe nga kthimi në autonomi të plotë i forcës bërthamore britanike, duke mos u dashur më të shkrihen dy tipologji heterogjene armatimesh, dy struktura komanduese dhe dy filozofi përdorimi tejet të ndryshme. Por sidomos duke mos u dashur më të zgjidhet se cili prej dy gishtave do të duhej të shtypte, në rast nevoje, butonin fatal atomik.
Megjithatë, mbesin pengesa të jashtëzakonshme ndaj krijimit të një arsenali atomik autonom europian, edhe respektivisht të NATO-s. Në fakt i duhet bërë ballë kthesës së fortë të fuqisë kontraktuese franceze në shkallë kontinentale, për taktin se është tashmë monopolisti europian i këtij lloji armatimesh. Por sidomos duhet zgjidhur problemi (politikisht dhe psikologjikisht mjaft delikat) i rolit që duhet të luajë Gjermania, duke u bërë në fakt “aksioner i mazhorancës” të një ushtrie komunitare të pajisur me armë bërthamore. Sidomos nëse, me shifrat në dorë, do të jetë Berlini ai që do t’i mbështesë kuotën kryesore të shpenzimeve, nga momenti që Parisi ka vështirësi të mëdha të mbështesë barrën simultane e një “force de frappe” atomike dhe të një ushtrie të fortë konvencionale. Është e qartë se Rusia, përpara kësaj perspektive shqetësuese për të, nuk do të rrijë duarkryq, duke ju frikësuar arritjes nëpërmjet rrugës “paqësore” të asaj që nuk qe në gjendje të realizojë Gjermania hitleriane.
Në këtë rast, patjetër që nuk do të mjaftonin sigurimet formale, anipse solemne, për ta qetësuar Moskën, sidomos pas “dredhisë” që akoma i djeg nga zgjerimi i NATO-s në “hapësirën jetike” e vjetër të saj (proces zyrtarisht akoma i pambaruar), pavarësisht premtimeve formale verbale (domethënë lehtësisht të zhdukura në hiç), të formuluara nga George Bush senior për Mikhail Gorbaçiovin, se Aleanca nuk do të zgjerohej në vendet ish sovjetike, sidomos në ato që i përkisnin Bashkimit Sovjetik. Por edhe në Uashington perspektiva e një përfshirjeje të drejtpërdrejtë gjermane në një forcë atomike europiane nuk do të shihej mirë, edhe në optikën e çekuilibrave që do të shkaktonte në brendësi të NATO-s: përtej Atlantikut mbretëron gjithmonë “formula e artë: e shpallur në 1952 ngq Sekretari i Parë i Aleancës i atëhershëm, britanikut Lordi Hastings Lionel Ismay, në momentin e emërimit të tij: «Rusia jashtë, Amerika brenda dhe Gjermania poshtë». Tema e raporteve midis një Europe që dëshiron të jetë në gjendje të mbrohet vetë dhe NATO-s mbetet kështu e pazgjidhur, sidomos sepse përtej Atlantikur nuk fshihet irritimi i qartë për ato që janë parë si iniciativa iluzive dhe, gjithsesi, shpërdoruese resursesh politike e materiale sigurisht jo të bollshme.

Rruga e dytë që ka përpara Europa, në rast se e para do të rezultonte jo e përshkueshme, është vazhdimi i politikës së “shtyrjes” të ndjekur në 20 vjeçarin e fundit, me vendet më të mëdha (që sot, na pëlqen apo jo, janë gjithmonë dhe vetëm Franca e Gjermania, megjithëse mjaft të dobësuara karshi të kaluarës së vonshme për arsyet e sipërpërmendura) të impenjuar në mbrojtjen e fortë e interesave të tyre brenda Bashkimit Europian, pa hapësirë për vënien në emërues të përbashkët të resurseve, por edhe të problemeve të mëdha kontinentale të sigurisë ende të pazgjidhura (nga ai e mbrojtjes tek ai, i konsideruar akoma sot më kryesori nga opinion publik, i menaxhimit të masës së madhe të emigrantëve që mëshon për të hyrë në Kontinentin e Vjetër nga Jugu). Ndërsa eurokracia e Bashkimit Europian do të mbetej pre e ndërmjetësimeve të lodhshme afatshkurtëra, duke privilegjuar në fakte aksionin kombëtar dhe duke e anashkaluar metodën ndërqeveritare, në vend që të lëvizë më arësyeshëm drejt një integrimi më të madh. Dhe më vendet më të vogla të bunkerizuar në mbrojtjen e privilegjeve modeste dhe në ruajtjen e thërmijave të siguruara nga bilancet komunitare. Jashtë do të mbizotëronte kërkimi i ndërmjetësimeve dhe i mbrojtëse “ad hoc”, në bazë të rajoneve dhe të zonave të prirjeve. Në thelb, do të rezulonte akoma mjaft dominuese influence e Shteteve të Bashkuara, sidomos në Lindje. Është haraçi që prej më shumë se një dekade vende të ndryshme të rajonit, mirënjohës, paguajnë lidhur me ndihmën e marrë për t’i shpëtuar influencës sovjetike duke kaluar nën ombrellën politiko – ekonomike perëndimore.
Polonia në radhë të parë, por edhe Rumania, Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe vendet balltikase janë në fakt më shumë besnikë ndaj Uashingtonit sesa ndaj Brukselit. Me një çikë influencë ruse në sfond dhe, për kë do dëshirojë të jetë original, edhe me pak Kinë, sot kaq e pasur me investime në kuadër të iniciativës kolosale “One Belt, One Road”. Bëhet fjalë për një rrugë të vështirë që të përshkuhet, edhe pse ka treguar se është shumë e paqartë, pak shpërblyese dhe ka mundësi shkatërruese edhe në profilin ngushtësisht ekonomik. Por, në fakt, shumë sektorë të eurokracisë komunitare dhe të vendeve të veçanta duket e privilegjojnë këtë opsion, që në optikën perverse të “kujdes për të mos lëvizur”, ka objektivin që të vetëpërjetësojë pushtetin e një kaste tashmë të madhe (një vlerësim i matur i 2013 i vlerësonte në 55000 funksionarët e Brukselit dhe ata që për llogari të tij operojnë në nivel kombëtar), që tenton ta maksimalizojë dobishmërinë e saj individuale në shpenzime të mirëqënies kolektive dhe sociale.

Përballë këtij rreziku, “rruga e shkurtër” që mund të profilohet në vendet më të forta e të integruara është ajo e një Europe me shumë shpejtësi. Deri në zgjedhjen e Macron, ishte dukur zgjidhja e preferuar e Gjermanisë. «Kemi mësuar nga historia e viteve të fundit – theksonte akoma në shkurtin e 2017 Kancelarja gjermane – se mund të ketë një Europë me shpejtësi të ndryshme dhe se jo të gjithë do të marrin pjesë në hapat e ndryshëm e integrimit europian». Konstatimi lind nga fakti që, sidomos pas Brexit, të gjitha vendet anëtare nuk do të mund të procedojnë me të njëjtën ecuri. Nga ana tjetër, ky është tashmë një element i fituar. Jo të 27 vendet e kanë adoptuar euron (dhe kush është mirë ruhet mirë që të futet, pavarësisht detyrimit ligjor për ta bërë, herët apo vonë); jo të gjithë marrin pjesë në zonën Schengen, sot për më tepër në krizë të thellë; jo të gjithë kanë të njëjtat objektiva në fushën fiskale, për shembull mbi taksimin e transaksioneve financiare apo të fitimeve të shumëkombësheve të mëdha amerikane të informacionit dhe të argëtimit.
Kalimi nga një e dhënë faktike në një angazhim formal do të përbënte një kthesë epokale, të cilës do të ishte e vështirë t’i parashikohen efektet afatgjata në raportet midis partnerëve të Bashkimit Europian. Do të bëhej fjalë për një akt pragmatizmi në dhënien përgjigje ndaj shtytjeve centrifuge në veprim, për t’i atribuar çdo vendi mundësinë që të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Europian, duke u dhënë ndërkohë përgjigje kombëtare qytetarëve të tyre gjithnjë e më të pakënaqur. Natyrisht që ideja bart rreziqe: me t’u hapur porta shpejtësive të ndryshme, domëthënë të sanksionohet se secili mund ta zgjedhë një shkallë integrimi “à la carte”, ka mundësi që të mbizotërojë fragmentimi, që secili të ndjehet i legjitimuar të bëjë zgjedhje vetëm në bazë të interesit kombëtar, pa pasur më kufizime të përbashkëta. Nga ana tjetër, Europa e bashkuar nuk mund të jetë më një detyrim: funksionon vetëm nëse është një zgjedhje e menduar dhe e dëshiruar.
Këto zhvillime hipotetike natyrisht që mbeten të lidhura me ekuilibrat politikë që do të krijohen shpejt në kontinent, sepse nëse 2017 ka rezultuar mjaft pozitiv për këdo që kishte frikë se, me provat e tyre elektorale, Hollanda, Franca e Gjermania mund të bëheshin pre qeverishë antieuropeiste (por Berlini, siç është theksuar tashmë, ka dalë gjithësesi i dobësuar nga zgjedhjet e tij), 2018 do të jetë pothuajse vendimtar, pasi do të mbahen zgjedhje politike e presidenciale në 11 prej vendeve anëtare: Belgjikë, Republikë Çeke, Qipro, Finlandë, Irlandë, letoni, Luksemburg, Slloveni, Suedi, Hungar dhe sidomos në Itali. Në fakt, fati i Bashkimit Europian duket i lidhur me avancimin ose jo të partive populiste dhe euroskeptike: megjithëse në thelb të mundura në tri vendet e mëdha e sipërpërmendura, sigurimi i mundshëm i pushtetit nga ana e tyre “me njollë leopardi” do ta vinte në rrezik të ardhmen e integrimit kontinental.

Recetat sempliste të populizmit për të zgjidhur problemet më shqetësuese të Kontinentit të Vjetër, duke përkëdhelur instinktet më të ulëta të opinioneve publike europiane, kanë vënë tashmë në vështirësi qeveri të ndryshme kombëtare. Lidhur me temat e sigurisë, partitë më radikale kanë propozuar masa kufizuese të lirive personale, nga formimi i milicive vullnetare për kontrollin e rendit publik dhe të flukseve migratore tek ndërtimi i mureve që evokojnë periudha historike të tjera dhe më pragjike. Jo rastësisht, emigracioni ka qenë çështja kryesore e fushatës proBrexit. Por ajo është një temë e planit të parë për të gjitha lëvizjet e djathta populiste, nga True Finns finlandezë tek Front National francez, nga Partia e Lirisë austriake e hollandeze tek Lega Nord dhe Casa Pound italianë. Në fushën ekonomike, kërkojnë daljen e vendeve të tyre nga bashkimi monetar, falimentimin tout court e bankave në krizë dhe anullimin (total ose të pjesshëm) të borxhit publik, në fakt moskokëçarës për efektet dramatike që mund të shkaktonin masa të tilla.
Ndërsa establishmenti propozon zgjidhje të gjata e komplekse të krizës politiko – institucionale, në tentativën e vështirë për të shmangur kundërgoditje dhe efekte anësore negative, lëvizjet antisistem ofrojnë zgjidhje të shpejta e të “lehta” në dukje, por me pasoja potencialisht të këqija për demokracitë tona. Veç kësaj është ndërprerë rrugëtimi i afrimit midis Europës Perëndimore e asaj Lindore dhe, ajo që është më e keqja, është krijuar një polarizim mjaft i spikatur midis vendeve të Veriut dhe të Jugut të Europës, duke përmbysur një tendencë historik konvergjence drejt shoqërive më të avancuara. Por duhet pranuar se, nëse partitë e sotme populiste kanë sukses, kjo ndodh edhe pse sistemimi aktual europian është në krizë. Bashkimi Europian nuk është tamam konfederal, por nuk është as krejtësisht federal: është një hibrid që duket se përmbledh shumë difekte dhe pak të mira të dy formulave. Ka një monedhë të vetme, por balance shtetërore; kufij të përbashkët, por doganierë kombëtarë; një survejim kreditor unik, por garanci kombëtare mbi depozitat bankare; ka krijuar një treg të përbashkët, por ruan sisteme politike dhe fiskale kombëtare; synon në një mbrojtje të përbashkët, por mbetet i nënshtruar ndaj një NATO-je gjithnjë e më shumë të lidhur me interesat amerikane.
Bashkimi Europian nuk arrin të ofrojë zgjidhje efikase dhe bindëse pasi, në fakt, masat e propozuara në nivel kontinental vazhdojnë që të jenë shumatore e ndërhyrjeve kombëtare në vend se të jenë frut i një aksioni të vetëm komunitar. Strategjia nuk është më në sintoni me zhvillimet e fundit institucionale të Bashkimit Europian.

Jo vetëm që ka rezultuar e papërshtatshme, duke dhënë përshtypjen se avantazhon vendet më të qëndrueshme dhe penalizon ato të më të dobët, por pikërisht pse e papërshtatshme kontribuon në një ndjenjë frustrimi dhe zhgënjimi që projektohet mbi të gjithë ngrehinën europiane. Imazhi i Bashkimit Europian rezulton aq i kompromentuar në sytë e opinioneve publike, sa që establishment politik gjithnjë e më shumë është tunduar që të distancohet nga procesi i unifikimit.
Dy fenomene e shënojnë në mënyrë të prekshme suksesin e partive populiste: nga njëra anë kriza e thellë simetrike e partive të së majtës demokratike, që gjatë viteve të fundit kanë regjistruar në të gjithë Europën rënie të forta konsensusi (të fundit e të cilave, më elokuentet, në zgjedhjet e fundit në Francë dhe në Gjermani) dhe vetëm në Itali e në Greqi rezistojnë akoma (por nuk dihet se edhe për sa kohë) në qeveri. Nga ana tjetër suksesi i lëvizjeve indipendentiste, në të vërtetë jo gjithmonë kundër qëndrimit në Europë dhe në intensifikimin e procesit unitar (si në Skoci dhe, pjesërisht, në Katalonjë), por ku populizmi, si në Flandër, insinuon me mesazhe të thjeshta tërheqësie që çon në shikimin e Bashkimit Europian me armiqësi, sikur të ishte vetëm një “përbindësh burokratik” shtypës.
Ëmbëlsira në fund, Europës i është dashur të ndeshet me këtë grumbull vështirësishë duke u mbështetur mbi një Komision Europian shumë të dobët. Qysh në muajt e parë e mandatit të tij, i filluar në fundin e 2014, projekti i Jean-Claude Juncker për të udhëhequr një ekzekutiv komunitar fuqimisht të spikatur në planin politik nuk u ka pëlqyer shumë qeverive, të cilat janë ndjerë të zhveshur në autoritet në faktet. Disa propozime kurajoze legjislative kanë shkaktuar kritika edhe të ashpra midis 28 vendeve anëtare: nga rishpërndarja e detyrueshme në të gjithë Bashkimin Europian e refugjatëve të ardhur në Itali e në Greqi tek formimi i trupe europiane kufitarësh e autorizuar që të futet në territorin e një shteti anëtar pa autorizimin e qeverisë së tij. Vizioni tejet federalist i Juncker ka gjeneruar irritime dhe ftohtësi, aq më shumë që është shoqëruar me një zbatim të tepruar diskrecional apo të paktën i konsideruar i tillë të rregullave të bilancit të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes. Raporti i besimit që duhet të lidhë ekzekutivin komunitar me qeveritë kombëtare duket se është prishur. Tashmë shumë qeveri, duke përmbysur një process të nisur me vështirësi prej disa dekadash, mbështesin në mënyrë eksplicite rëndësinë e Këshillit Europian ndaj Komisionit Europian dhe të metodës ndërqeveritare ndaj asaj komunitare.
(Paolo Migliavacca është ekspert çështjesh strategjike, ushtarake dhe energjitike)

Përgatiti
ARMIN TIRANA