Denoncimi i gazetarit: ”Deputeti i PS na mori në telefon, na bëri ofertë që bashkëshortja të pranojë mandatin”

Nisin denoncimet e para publike për joshjen e kandidatëve për deputetë në listat e partive. Gazetari Elio Laze deklaron se ai dhe bashkëshortja e tij, Ira Vejsiu, janë kontaktuar nga një deputet i PS dhe i kanë bërë një ofertë në këmbim të pranimit të mandatit për bashkëshorten e tij.
I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Laze tha se, oferta ishte konkrete dhe e majme por që është refuzuar. Ira Vejsiu është kandidate e LSI për Tiranën e 21-ta në këtë listë. Ky është rasti i parë që mazhoranca denoncohet publikisht për joshje të një mandate dhe për një rast konkret . Më poshtë denoncimi i bërë gjatë emisionit nga Elio Laze:
“Sipas procedurave që po ndiqen bashkëshortes sime Ira Vejsiu do ti vi radha për t’u thirrur nga KQZ. Ajo është e 21-ta në listën e kandiatëve të LSI për Tiranën. Por problem nuk është kur thërret KQZ-ja por kur thërret PS-ja. Sepse është hapur merkatoja. Si familje kemi patur një ofertë jo më larg se dje.
Jemi kontaktuar nga një person që në rastin në fjalë është deputet por unë nuk po e bëj publik tani emrin. Dhe kanë bërë një ofertë të këndshme jo për të kaluar me Partinë Socialiste por thjesht për të pranuar që të marrë mandatin e deputetes. Është ofertë për të pranuar mandatin. Por unë deklaroj publikisht që bashkëshortja ime nuk do ta pranojë këtë mandat”.