Basha: Ramën e kërcënojnë me një video të manipulimit të votave, do të largohet nga qeveria

Kryetari i PD, Basha deklaroi se Ramën e kërcënojnë me një video të manipulimit të votave, ndërsa shtoi se tashmë edhe ndërkombëtarët janë bindur për rolin që Rama ka patur në manipulimin e zgjedhjeve. Basha deklaroi prerë se Rama do të largohet nga drejtimi I qeverisë. “Në secilin prej vendeve të BE-së, nëse do të kishte ndodhur një nga këto qindra skandale që kanë dalë dhe dalin ditë për ditë, për secilin prej tyre do të kishte rënë qeveria. Kjo qeveri ka vetëm frikën e kriminelëve. Janë arrestuar disa kriminelë dhe janë liruar përsëri dhe shumë shpejt besoj do të keni prova për këtë gjë. Janë liruar sepse kanë treguar filmimet që kanë bërë zgjedhjeve të 2017-ës duke mbushur fletët e votimit dhe me këtë video kanë kërcënuar drejtpërdrejtë qeverinë, kanë kërcënuar Edi Ramën dhe vartësit e tij. Dhe unë besoj se shumë shpejt këto të dhëna do të publikohen nga media e lirë dhe e pakapur. E kuptoni ku kemi ardhur?! Është një kryeministër që i merr vendimet nga frika ose hatri i kriminelëve dhe oligarkëve. Nuk niset dhe as nuk bitiset me interesin e njerëzve, as për dëshirën për t’i shërbyer apo dashuri për popullin e vet, as për frikën ndaj popullit. Por këto janë dy motivet që ka një qeveritar: e bën për pasion, e bën për mision, ose e bën se ka frikë, se po se bëri nesër qytetarët do ta heqin me votë. Ky nuk ka asnjë nga këto të treja. Pse?! Sepse fatin nuk e ka lidhur me njerëzit, fatin e ka lidhur me kriminelët, fatin e ka lidhur me oligarkët dhe nga mëngjesi deri në darkë është në shërbim të tyre. Kjo duhet të marrë fund dhe do të marrë fund me largimin e tij, me një qeveri tranzitore dhe njerëzit do të vendosin me zgjedhje të lira, të padiktuara nga krimi, një parlament që t’ju përgjigjet atyre dhe një qeveri që t’ju përgjigjet atyre. Ky është realiteti i demokracisë”, tha Basha.

Kryetari i PD Lulzim Basha tha më tej në emisionin “360 gradë” “Stabilitet pa demokraci nuk mund të ketë. Presim nga ndërkombëtarët të flasin për problemet e rënda që ka Shqipëria me demokracinë”. Basha deklaroi se komuniteti ndërkombëtar po ndërgjegjësohet se nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci. “Nuk ka rezistencë për faktorin ndërkombëtar. Duhet të kuptojmë dy gjëra, që tu flasim hapur ndërkombëtarëve. Për një kohë të gjatë, interesi i tyre ka qenë stabiliteti dhe kanë mbyllur ndonjëherë ndonjë sy edhe kur kanë parë udhëheqës autokratë të korruptuar, të cilët kanë përdorur fasadën e stabilitetit për të akumuluar pushtet e pasuri në kurriz të qytetarëve. Por tani po kuptohet se stabilitet pa demokraci nuk mund të ketë, se stabiliteti i rremë, pas njerëzve të fortë, të cilët bëjnë aleanca me të tjerë njerëz të fortë, shkatërrojnë institucionet dhe vjedhin popullin e tyre, në fund të fundit çojnë në destabilizim të situatës. Ne kemi detyrë që propagandës së madhe që Rama ka bërë në drejtim të faktorit ndërkombëtar ti kundërvëmë faktet dhe të vërtetat. Ai ka avantazhin e një makinerie të madhe e të shtrenjtë, ne kemi një avantazh më të madh, ne kemi faktet, argumentet dhe të vërtetën.mbi bazën e këtyre elementëve, duket qartë se ne kemi në anën tonë edhe qytetarët. Kërkesa që ne i shtrojmë faktorit ndërkombëtar është fare e thjeshtë: ne duam që ju të flisni hapur për problemet që ka Shqipëria me demokracinë, me zgjedhjet e lira, me respekrtimin e lirive, me ndarjen e pushtetit, me drejtësinë e kapur, me mediat nën presion, etj. Ne kërkojmë që në këto fusha të zbatohen të njëjtat parime e standarde siç zbatohen në vendet e tyre. Kështu do ta ndihmojnë Shqipërinë që të dalë nga kjo krizë dhe të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane”, tha Basha.