Basha: Nuk ka për të pasur fasadë opozitë, nuk i njohim klonimet e Ramës!

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka bërë të ditur sot se zëvendësimi i deputetëve që dogjën mandatet, me emra të tij nga listat, nuk janë tjetër përveçse klonime të dështuara që kryeministri Edi Rama do t’i shesë si opozitë fasadë. Por, as ata dhe as vendimet e Kuvendit ilegjitim nuk do të njihen nga opozita.
“Ne si opozitë do të qëndrojmë krah për krah qytetarëve në çdo betejë duke nisur me nesër në orën 10:00, ku ftoj të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së njoftuar nga opozita për të shprehur mospajtimin tonë dhe kundërshtimin absolut me këtë parlament ilegjitim dhe me klonimet e dështuara që Edi Rama do të përpiqet të shesë nesër si fasadë opozitë. Nuk ka për të pasur fasadë opozitë, orët e këtij sistemi kanë nisur të numërohen mbrapsh më 16 shkurt dhe nesër është një ditë tjetër për të treguar që shqiptarët janë të vendosur të marrin atë që ua kanë vjedhur, të drejtën e sovranit për të përcaktuar vetë qeverinë, parlamentin…
Çdo hap i Kuvendit ilegjitim nuk njihet nga ne. Çdo vendim i këtij Kuvendi që përfaqëson interesat e një grushti hajdutësh nuk njihet nga ne. Këto janë vendime që nuk kanë asnjë efekt në rrugën që kemi nisur.”
Basha ka dhënë një deklaratë për median. Ai i fton qytetarët që t’i bashkohen protestës së ditës së nesërme që të marrin atë që u kanë vjedhur padrejtësisht.

“Janë ditë dhe orë intensive. Edhe 16 shkurti është një ditë shprese që do mundë sistemin e frikës nga Rama, dhunë, kërcënime, propagandë dhe mashtrime.
Por sot makineria e Ramës është shkërmoqur, dhe këtë e shohim me vendimin absurd për të mbrojtjur me regjimin ushtarak parlamentin nesër. Ushtarakët e veshur si policë duan t’i mohojnë qytetarëve të drejtën për tu shprehur me protestë kundër parlamentit dhe qeverisë legjitime. Nesër në orën 10:00 ftoj të gjithe qytetarët t’i bashkohen protestës së njoftuar nga opozita për të shprehur mospajtimin total për këtë parlament ilegjitim dhe për këto klonime të dështuara që Edi Rama do përpiqet të shesë. Nuk do të ketë fasadë-opozitë. Shqiptarët do kërkojnë të marrin atë që u kanë vjedhur”, u shpreh Basha.
Më tej ai shtoi se dosja 339 është makthi i Edi Ramës, bashkë me dosjen 184 që dëshmon vjedhjen e votave në Dibër, që shumë shpejt, sipas Bashës do të zbardhet përmbajtja e tre.
“Dosja 339 është makthi yt, Edi Rama, Uroj ta dish se çfarë përmban edhe dosja 184. Dosja 184 do kemi kohë për të zbuluar çdo informacion që na vjen”, tha kryedemokrati.
Më tej, i pyetur për nëse do të ketë një opozitë të re pas marrjes së mandateve nga kandidatët në listat e LSI dhe një të PD, Basha u shpreh; “Çdo hap i kuvendit ilegjitim nuk njihet nga ne. Janë vendime që nuk kanë asnjë efekt në rrugëm qe ne kemi nisur”.