Banorët e Unazës së Re-Ramës: Me ty do të flasim kur të vësh byzylykët…

Qindra qytetarë, banorë të Unazës së Re janë mbledhur sërish sot në ditën e 118-të të protestës së tyre. Ata kanë lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe i kanë kujtuar se ,“fundi do t’i vijë pikërisht nga protesta e tyre”.
Si zakonisht, në krah të qytetarëve protestues ka qënë PD përmes deputetit Klevis Balliu.
Lidhur me mesazhin e fundit të Ramës për dialog me opozitën, Balliu u përgjigj prerë: Do flasim kur të vësh byzylykët e të shkosh në burg.
Balliu theksoi se, ky projekt i qeverisë për Unazën e Re po u heq të drejtën e pronës qytetarëve shqiptarë.
Ai ka dhënë një mesazh edhe për kreun e delegacionit të PE që ishte në Shqipëri dje.
“Ky Niçja jonë këtu është narkotrafikant. Ne nuk dimë që në BE, të ndodhë që një narkotrafikant të vendosë kush do bëhet deputet.
Ky Niçja jonë është marrë me trafik droge e armësh. Ka ikur koha kur një organizatë të vendoste fatet e shqiptarëve.
Ky projekt te Unaza po u heq të drejtën e pronës qytetarëve shqiptarë. Këtu jemi në një krizë, prej 6 vjetësh. Nuk ka Gjykatë të Lartë as Kushtetuese. Djegia e mandateve ishte efekt i kësaj krize dhe për zgjidhjen e saj”, u shpreh Balliu.