AQSHF, si “ishulli i thesarit”

Eshtë e çuditshme se si në këtë vend, media i jep rëndësi diçkaje që nuk meriton aq shumë vëmendje, ku po ndodh ajo që thotë populli, “qimen e bëjnë tra”. Këtu hajduti, një krim i rëndomtë, një vjedhje apo një postim koti në rrjete socale, merr aq shumë vëmendje sa nuk merr dot një shembull te mirë, një arritje personale në botë, një fotografi apo një investim a një bamirësi. Këtu një sharje nga “Vip”-at mbushen portalet e gazetat me spekullime. Kësaj situate i shkon për së mbari ajo thënia “serioziteti i gjërave të kota”.
E njëjta gjë ndodh edhe me lajmin se Arkivi Qendror Shteteror i Filmit, shkurt Arkivi i Filmit po zbulon “thesare”. Në faqet zyrtare në facebook e në ndonjë media po shkruhet për “suksesin” që po korr me “thesaret” e zbuluara, drejtoresha Iris Elezi e cila po lumturohet aq shumë në “gjetjen” e vet, më shumë sesa koha kur zbuloi, për herë të parë, Amerikën… Ajo që më ngacmon është fjalia “bombastike” se “këto “thesare” zbulohen” për herë të parë dhe se në ndonjë rast, si ky i fundit, drejtuesit e mëparshëm paskan dashur t’i zhdukin…. Spekulime, mashtrime, gënjeshtra! Si shumë drejtues të tjerë te rinj, që fatkeqësisht po e mbushin administratën shtetërore, edhe Irisi e ka sëmundje që çdo gjë fillon nga koha kur ajo ka nisur punë dhe se më parë asgjë nuk ka ekzistuar, ose ca më keq, është bërë gabim. Por historia nuk nis sot, sidomos me Irisin, por ka nisur herët. Madje edhe historia e Irisit në AQSHF nis, të paktën dhjetë vjet më parë…
1.
Aty nga fundi i 2008, në AQSHF, mes vizitorëve të shumtë që vinin asokohe, vjen edhe një vajzë me trup të imët, që prezantohet si regjisore, e cila i dorëzon ish-drejtorit të ndjerë, Artan Minarolli, një dosje me filmin e saj të parë me metrazh të shkurtër, për hir të së vërtetës një film me cilësinë e një filmi eksperimental, i cili as nuk u pa dhe as nuk u degjua më. Ishte Iris Elezi. Kujtoj se me Minarollin ra fjala se regjisorja i kishte kërkuar një mundësi për ta “sistemuar” diku. Në vitet që pasuan, me pretekstin “për të përfituar sa më shumë nga pasuria filmike e Arkivit të Filmit, dhe e shoqëruar gjithnjë nga bashkëjetuesi i saj aktual, Tomas Logoreci, hynte e dilte lirisht, e mikëpritur nga stafi dhe titullarët e mëparshëm të AQSHF-së, Artan Minarolli e Elvira Diamanti. Natyrisht, duke krijuar dhe një pretekst të fortë, të ashtuquajturin “projekti” ACP (Albanian Cinematographic Project), ku Irisit (roli i të cilës ishte inekzistent edhe këtu, me përjashtim të faktit që ishte gruaja e Tomas Logorecit, njërit prej pjesëmarrësve në këtë projekt) po i digjej xhani për filmin shqiptar. (Historia e saj me AQSHF të kujton fabulën vjetër të vreshtit dhe gramit, ku gramit iu dha pak mundësi nga vreshti, por që më pas grami zaptoi vreshtin). Gjatë viteve që ju referohemi 2009 e tutje, Arkivi ka punuar pa lodhur, për të vazhduar punën e atyre punonjësve të vjeter të Arkivit që e kishin krijuar këtë ndërmarrje të madhe të ruajtjes së prodhimit filmik: godinë e restauruar, një kinema e re me mbi 80 vende, botime cilësore, aktivitete përkujtimore e promovuese të regjisorëve e artisteve të vjetër e të rinj, shfaqje filmash, restaurime filmash të dëmtuar apo dekoloruar, etj. (Por nuk mendon kështu Iris Elezi, e cila bërtet vend e pa vend “Shpëtoni Arkivin!!!” në aktivitetet që “organizon” me shumë zhurmë, por me pak spektatorë, dhe ata familjare e miq te saj, dhe asnjë regjisor, aktor apo specialist filmi.
Për lexuesin, dy fjalë se kush është Iris Elezi?
Në vitin 2014, Iris Elezi arriti, falë ndihmës bujare edhe të Artan Minarollit (si kryetar i QKK) të përfundojë filmin e saj të parë e të vetëm, “Bota”. Ngjarjet e filmit zhvillohen ne Karavasta, një vend qe as Irisi dhe ca me pak bashkëjetuesi i saj amerikan, Tomas Logoreci, nuk e njihnin. Çfarë kishte ndodhur? Pas daljes në kinema të filmit “Bota”, intelektuali i mirënjohur, arkitekti, piktori dhe shkrimtari Maks Velo bën një ankesë publike e ligjore ndaj Iris Elezit, sepse ajo e kishte ndërtuar filmin “Bota” mbi romanin e tij, “Klubi Karavasta”. Në bisedë me Maks Velon, thotë se ai ia kishte dhënë personalisht për ta lexuar librin Irisit. Pas disa kohësh, si neper filmat me mashtrues, Irisi, së bashku me Tomasin, duke u hequr si shumë të mahnitur nga skenari i librit, dhe kuriozë për të pare vendet ku zhvilloheshin ngjarjet e librit e marrin me makinë Maks Velon per t’ju treguar nga afër vendin ku bëhej fjalë në libër. Pas disa kohesh, filmi “Bota” doli me skenar të saj, pa përmendur asgjëkundi se ishte mbështetur mbi motivet e librit të Maks Velos. Pas padive në shtyp, ankesave deri te vetë ministerja Kumbaro, Velo e hodhi në gjyq Irisin, një gjyq që vazhdon ende duke u zvarritur deri në lodhje apo, më keq akoma, pushim të çështjes “për mungesë provash”…

Emerimi i Iris Elezit në krye të AQSHF
Ndërsa Ministrija Mirela Kumbaro, buzëqeshte dhe bënte veshin e shurdhër për ankesat e Maks Velos, nuk munguan edhe gradimet për vjedhjen e Iris Elezit. Një skenar katakombesh në korridoret e Ministrisë, për të hequr titullaren aktuale Elvira Diamanti. Detyrë e vështirë sepse flitej për një drejtuese dhe njeri me emër të mirë si Elvira Diamanti, por jo e pamundur për Iris Elezin e cila vazhdonte të endej nëpër Arkiv, duke mbledhur (sajuar) informacione jo zyrtare, per t’ia servirur ato më pas Ministres Kumbaro dhe stafit të saj. Si konkluzion: Një dorëheqje dinjitoze nga një drejtoreshë qe i kishte dhënë për më shumë se 7 vjet Arkivit një emer të mirë në Shqiperi dhe jashtë saj, nje emërim i shpejtë brenda muajit i Iris Elezit.
Skenari tashmë nuk ishte i vjedhur, ishte ai i zakonshmi që përdoret në administratën e sotme shtetërore: konkurs i sajuar, kërkesa specifike për kandidatin (të cilat mund t’i sajonte vetëm Iris Elezi) për të shmangur pretendimin e ndonjë regjisori për të drejtuar Arkivin, kandidim me vetëm dy veta (Iris Elezi dhe një shoku i saj i panjohur) etj. Letra të kopsitura mirë e mirë, në ministri, nga ata që edhe vetë kishin të tilla probleme dhe që, pa diploma e shkolla të larta, kanë zënë vendet në krye të ministrisë. Turp e faqja e zezë e kësaj ministrie!

“Bëmat” e Iris Elezit në AQSHF
Emërimi i Iris Elezit në krye të AQSHF-së ishte si puna e promocioneve të dyqaneve në prag festash, “2 në 1”, pra, bashkë me të u “emërua” në AQSHF edhe Tomasi, si “studjues e njohës” i filmit. Tashmë, edhe pse jo zyrtarisht, ai është pjesë e AQSHF, pasi hyn e del lirshëm, madje nëpër zyra, në magazina, si në shtëpinë e vjehrrit të vet. Të jesh titullare e një institucioni nuk mjafton të kesh “disa vite eksperiencë pune restaurimi dhe asgjë tjetër”. Duhet të njohësh filmat shqiptarë, proceset e punës së restaurimeve filmike, të jesh në gjendje që me njohuritë dhe pasionin tënd të shfaqesh para të huajve nivelin e filmit shqiptar. Por këtë Irisi nuk e bën dot, dhe fatkeqësisht as ndihma e Tomasit nuk po jep rezultat.
Në fund të vitit 2018 na shfaqet një botim me titullin “Ditar Kinema-tografik”, dedikuar filmit shqiptar (përvojë e njohur kjo për arkivat e filmit në botë, dhe për vetë Arkivin e Filmit), i cili ka firmën e tij në shumë botime të mrekullueshme, para dhe pas vitit 1990.
Për një lexues të çfarëdoshëm botimi, përveç cilësisë jo të mirë të letrës dhe të lidhjes sidomos, (pas dy shfletimesh, mund të të mbetet në dorë ndonje foto ose letër e shkëputur nga libri), ky ditar mund të jetë një nismë e radhës që zhvillohet në përgjithsi nga insitucionet. Por nëse ulesh dhe e shfleton me dëshiren e mirë për të njohur figurat e shquara te kinematografise shqiptare, artistët, skenaristët, regjisorët, ve re me habi se aty mungojnë emra të rëndësishëm që kanë bërë historinë e flmit shqiptar (ose ata që janë kanë gabime në datat e lindjes), dhe janë vënë emra të parëndësishëm, pa ndikim. Te vret syrin kur sheh datelindjen e Dhimitër Anagnostit, (1963 në vend të 1936), Edi Luarasi ka dy datelindje, Birçe Hasko e ka gabim në mars, dhe mungesen e emrave qe bene historine e kinematografise shqiptare si : Demir Hyskjes (1 janar 1937), Sulejman Pitarkës (2 shkurt 1924), Liza Laska (6 shkurt 1926), Violeta Manushi (5 mars 1926), Llazi Serbo (9 mars 1945), Aleksander Moisiu (2 prill 1879), Esat Musliu (22 prill 1945), Serafin Fanko (24 maj 1937), Nikolin Xhoja (27 maj 1926), Prokop Mima, Viktor Zhusti, Viktor Gjoka, Ilia Shyti, Pjetër Gjoka, Besnik Bisha, Kristaq Skrami, Kico Blushi, Petrit Ruka, Loro Kovaçi, Ferdinand Radi, Ndreke Luca, Hamdi Ferhati, Teodor Laço, Dritero Agolli, Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja, Dhimiter e Dhorke Orgocka, Mihal Popi, Marianthi Xhako, Gezim Kame, Kujtim Gjonaj, Kristaq Antoniu, etj. etj. Lista pa fund… Këta janë emra të rëndësishëm, me kontribute të mëdha, pa llogaritur me dhjetëra të tjerë që nuk janë, por që edhe mund të ishin, duke pasur parasysh se ka emra me kontribute modeste (përzgjedhje shoqërore apo “aq di, aq bën”, ose janë lënë jashtë se mendon se vetëm ata që ka përzgjedhur ajo janë të rëndësishëm.
Atëherë çfarë vlere informuese për publikun shqiptar ka ky “Ditar” ku, me sa duket, nuk ka marrë fare mendimin e specialistëve. Mungese kujdesi, profesionalizmi, asistence nga studiues dhe rregjisore shqiptare, dhe menjëherë e kupton se ky botim është bërë thjesht që Irisi e bashkëshorti i saj të marrin ca para nga buxheti i varfër i AQSHF . Në 2017 Tomas Logoreci ka hartuar një projekt me Galerine kombetare te Arteve, për posterat e filmit, ekspozitë e botim (mjaft cilësor, në krahasim me “Ditarin”, sepse aty Drejtor projekti ishte ish-drejtori i GKA, Artan Shabani), një projekt që i solli disa të ardhura të konsiderueshme, por sigurisht jo të mjaftueshme për çiftin Elezi-Logoreci. Dhe kupton se është e njëjta lëndë, me ndryshime të vogla fotosh e skicash (nis me Stefan Taçin, vijon me të e mbyllet përsëri me Stefan Taçin), dhe pastaj sheh dhe kupton se janë të njëjtët njerëz që kanë punuar për të dy projektet: (Tomas Logoreci e Genti Gjikola (kuratorë e autorë teksti e përkthyes), Iris Elezi (drejtues projekti, redaktore e korrektore), por kanë ndërruar vendet me njëri-tjetrin. Dhe pastaj kulmi kur lexon falënderimin në faqen e parë për punën e palodhur të Tomas Logorecit dhe kujtohesh se ndoshta do ishte mirë që të kishin marrë edhe ndonjë rregjisor apo studiues shqiptar, i cili me siguri nuk do harronte emrat e artistëve të shquar. Por cilin? Në ambjentet e Arkivit, prej kohësh, sikur nuk sheh më regjisorë, ca me pak të vjetër… Drejtoresha ka vënë orar edhe për ta, pasi ka punë të mëdha e projekte…! Kur flet me disa prej tyre, mëson se drejtoresha u paska thënë se “nuk ka më tolerime për askënd, (sa mire sikur të ishte vërtet kështu) dhe u kërkon lekë edhe për t’u mbledhur në sallën e kinemasë së AQSHF-së për organizimet e tyre, gjë që nuk ka ndodhur kurrë ëm parë. Ka qenë pikërisht regjisori i mirënjohur Vladimir Prifti që tha publikisht se Irisi i kërkoi 5000 lekë për aktivitetin që kishte menduar të organizonte në arkiv.
Për të mos e zgjatur edhe disa fjalë për dy veprimtari të Irisit në Arkiv. Prej kohësh ka nisur një cikël “Thesaret e Arkivit”, ku zhvillon shfaqje filmike me prodhme të ndryshme kinematografike, me një pakicë shikuesish, duke trumbetuar me forcë se ka zbuluar “Thesare”, që të tjerët i kaën zbuluar me kohë, dhe më e keqja është se ato ua tregon atyre që i kanë bërë, pra atij brezi kineastësh ka hequr të zitë e ullirit dhe sot u shton edhe komente të zeza pas, ashtu si di e si i do qejfi, duke ngjallur reagime të ashpra në sallë, pasi çdo gjë duhet kuptuar e interpetuar në kohën e vet. Iris Elezi ka paturpësinë të shkruajë te “Ditari” i saj se “në dimrin e 2017-s kanë filluar projeksionet filmike në kinemanë e AQSHF, duke lindur kështu kinemateka shqiptare” (që përkon me fillimin e punës së saj), kur kineastët e dinë shumë mirë se shfaqje në atë sallë kinemaje ka pasur që në fund të viteve ‘90-të kur e ngriti për herë të parë drejtoresha Natasha Lako dhe më pas me asistencën e projekteve të huaja dhe falë përkushtimit të titullarëve Minarolli e Diamanti mori pamjen e një kinemaje moderne, me standarte të mira, ashtu siç është edhe sot. Shfaqja ka pasur vazhdimisht e dinjitoze, ku edhe Irisi vetë ka qenë e pranishme, por cmira ia ka bllokuar kujtesën dhe kujton se koha e shkëlqimeve nis me të.
Duke ju rikthyer zanafillës së këtij shkrimi, do të doja ta mbyllja me “thesaret” më të fundit të Iris Elezit. Jo me larg se një javë më parë, në kinema “Agimi”. Ndonëse pa ftesë, pasi për Irisin i vetmi grup bashkëpuntorësh që ju çohen ftesa janë miqtë e facebookut, shija e hidhur që kish lënë ai aktivitet te spektatorët, u përcoll edhe tek unë.
Filmi i titulluar “Në flakët e revolucionit” i Endri Kekos, u prezantua si një film i pashfaqur kurrë më parë dhe si një “thesar” i Arkivit, fakt që i shtyu spektatorët kuriozë dhe artdashës të shihnin këtë vepër, qoftë edhe me bileta. Theksoj se është hera e parë në historinë e Arkivit të Filmit, që shfaqet një film me pagesë për publikun. Ky film shumë mire mund të shfaqej pa pagesë në sallën e kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (e cila në numër vendesh nuk është më e vogël se kinema “Agimi”). Kjo do të ishte dhe një prezantim akoma më i mirë për Arkivin e Filmit, sepse do t’u jepte mundësinë filmdashësve të shihnin ndoshta jo me kokoshka dhe birra, por me shijen e mirë të një hapësire që flet me gjuhën e dashur të filmit shqiptar, dhe do t’i hapte rrugën këtij Arkivi për bashkëpunime të mëtejshme. Por këtë Irisi nuk mund ta bëjë, sepse nuk ka aftesitë e duhura menaxheriale, ka vetëm disa vite eksperience restaurimi filmik (?!!!)
Ndërsa spektatori përcjell me interes filmin, fundi i tij ishte surprizues. Iris Elezi kishte ftuar në sallë një “profesor”, Ardian Ndreca, i cili mbajti për shikuesit, pasi panë filmin dhe paguan lekët, një kumtesë të gjatë me titull “figurativ” “Përse nuk duhet parë ky film?!!”. Pa falënderuar ata njerëz të cilët realizuan filmin 45 vjet më parë, u nxitua të fillohej me vërejtjet mbi filmin, që nga titrat qe ishin ngjyre gri (!!!), i kujtojmë se filmi ishte bardhë e zi, dhe nuk e di se në çfarë ngjyrash i priste titrat Irisi Elezi, apo me zërin “monoton” të folësit të dokumentarit, me përshkrimin e planeve “të shëmtuara filmike”, etj. Pra, për një orë u dëgjua një ligjëratë e gjatë, e saktë dhe interesante në aspektin fetar, por aspak e thelluar në atë filmik, shpeshherë e thyer me ndonjë pyetje akoma dhe më pa lidhje të moderatores së aktivitetit, që ishte po vetë Iris Elezi. Sigurisht që kjo solli reagime nga salla. Një dokumentarist i vjetër, Mihal Ciko, i kujtoi Irisit se duhet ta niste me prezantimin e autorëve të këtij dokumentari dhe duhet të jetë më e saktë në komentet mbi filmat e para ’90-s, sepse kjo është një temë që kërkon përballje nga të dyja palët e interesit u përball me shprehjen: “Ti je një vazhdim i asaj kohe që kaluam)!!!” Me pas pati një dëshirë për debat nga një djalë i ri, i icili i surprizuar nga mënyra e organizimit të aktivitetit, i drejtoi pyetjen që vinte natyrshem nga të gjithë: “Mos vallë këtë film e shfaqet në kuadër të debatit te madh nëse duhet të shfaqen apo jo filmat e Kinostudios??”. Sigurisht që Iris Elezi nuk ka si t’i përgjigjet kësaj pyetje. Nuk ka as nivelin e duhur të inteligjencës, as eksperiencën e një moderatoreje, as autoritetin e një drejtoreshe. E vetmja përgjigje qe del nga goja e saj është shpifja e rradhës: “Titullarët e mëparshëm kanë dashur ta djegin këtë film, prandaj e shfaqa!!!!”. Si ka mundësi të abuzohet deri në këtë pikë nga një drejtoreshë, e cila nuk ka respektin më të vogël për ish-drejtuesit para saj, duke nisur nga Natasha Lako, Ilia Xhokaxhi, Artan Minarolli, Elvira Diamanti etj. Kush prej tyre ka dashur ta zhdukë?! Kujtoj se me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri Arkivi e ka shfaqur këtë film si në Muzeun kombëtar ashtu dhe në aktivitete të tjera, pa llogaritur edhe festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Do ishte mirë që në vend të merrej me ato “thesare”, të merrej më shumë me Arkivin, që të vinte publiku te Arkivi jo Arkivi të shkojë te publiku, madje edhe duke paguar para… Këtë funksionin e fundit e kryejnë më së miri televizionet! Irisit i ikën java duke menduar për “thesrin” e radhës, për shfaqjen që do të japë në kinema “Agimi”, për të ftuarit, etj, ky është angazhimi real i saj. Sa vlerë e sa dobi ka kjo për Arkivin?
Ka vite që Arkivi nuk është lyer. Ambjentet kundërmojnë era myk, mure që po bien, makineri të prishura, sepse askush nuk po ve më dorë mbi to, fotografi dhe punime nga emra të panjohur, kinema e braktisur, magazina që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente. Eshtë koha që ministria bashke me Irisin të japin llogari për shpërdorimin e miliona lekëve për një botim skandaloz, keqinformues, sipërfaqesor, si një keqmenaxhim fondesh që nuk shkojnë aspak në të mirën e Arkivit, por për të mbushur xhepat e shpuar të Irisit, Tomasit dhe të miqve e klientëve të saj, si botues.
Si konkluzion, pasi, për fat të keq “bëmat” e saj nuk kanë të sosur, por e ftoj të reflektojë dhe të vazhdojë rrugën e saj si kineaste, pra të zgjedhë atë që di të bëjë më pak keq, sepse Arkivi Qendror Shteteror i Filmit është barrë shumë e rëndë për supet e brishta të Irisit të vogël, tashme e mbetur vetëm, pa Mirela Kumbaron, që e mbështeti në këtë rrugëtim (pa krye), duke mbajtur në ndërgjgjen e saj një vit pune aspak të suksesshëm dhe të shkuar dëm.
Sajmir LAMI