Ambasadori rus: Familja “Rama”, kontigjent i shkollës ruse

Ambasasori rus ka bërë një deklaratë mjaft intersante në një kohë që Rama ka intensifikuar zhurmën për ndikimin rus tek opozita. Vetë ambasadori rus në Tiranë e ka hedhur poshtë këtë tezë të Ramës, por ai ka shkuar më tej.

Ai ka deklaruar se familja Rama është pjesë e shkollës ruse, duke i kujtuar të atin, i cili ka qenë pjesë e këtij kontigjenti. “Babi i Kryeministrit tuaj është shkolluar në Rusi”, ka deklaruar Karpushin. Prej disa ditësh qeveria dhe mediat pranë saj kanë nisur një fushatë, ku akuzojnë opozitën se po proteston e ndihmuar dhe nga rusët.

Po ashtu sa i përket kontratave të lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara, ata thonë se janë paguar nga rusët. Por ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, ka një përgjigje për këto akuza.Sipas tij akuzat janë të pabaza, ndërsa ka dhe një mesazh për politikën shqiptare.

“Ne e kuptojmë shumë mirë se atje lart e dinë që këto akuza janë të pathemelta dhe të rreme. Dhe ne e kuptojmë se është shumë më e lehtë të akuzosh rusët për të gjitha mëkatet e botës, sesa të merresh me zgjidhjen e problemeve me të vërtetë të ngutshme të vendit: të luftosh korrupsionin dhe krimin, të ndalosh emigrimin e popullsisë në moshë pune, dhe t’u bësh ballë shumë sfidave të tjera, me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e rajonit.

Për fat të mirë, populli shqiptar e kupton këtë gjë dhe nuk i merr seriozisht këto spekulime, ashtu si edhe shumica e ekspertëve dhe analistëve të këtij vendi”, tha Karpushin për A2 CNN.

Sipas ambasadorit rus, është shqetësuese që deklaratat e udhëheqësve shqiptarë nganjëherë bien në kundërshtim të plotë me faktet kur thonë se Rusia është kundër integrimit të Shqipërisë në BE.

“Zbavitëse është kur deklarata të tilla bëhen në Itali, me të cilën Rusia ka tradicionalisht marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe kulturore, si edhe ndërveprim shumë intensiv politik”, shtoi Karpushin.

Në vëmendje është rikthyer së fundmi hetimi i prokurorisë mbi burimin e parave që Partia Demokratike ka përdorur për lobim në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017, për të cilat është akuzuar se janë fonde ruse. i pyetur nëse ka financuar Rusia Partinë demokratike, kryetarin Lulzim Basha, figura të tjera politike apo media shqiptare, Karpushin u shpreh se këto janë vetëm hamendje.

“Kryesorja është që nuk shpjegojnë motivet apo, të paktën, ndonjë arsye të financimit të Partisë Demokratike nga burimet ruse. Madje, unë dyshoj se biznesmenët rusë kanë dëgjuar ndonjëherë për ekzistencën e saj. Përse duhet t’i japin para Partisë Demokratike?

Mos vallë është më proruse sesa Partia Socialiste? Jo, aspak. Sot ne shohim se njësoj si mazhoranca, ashtu edhe opozita nuk janë të prirura për të bashkëpunuar me Rusinë dhe janë futur në garë me njëra-tjetrën se kush bën më shumë deklarata antiruse.

Në të njëjtën kohë, aleatët e demokratëve në parlament organizojnë aktivitete rusofobike në Uashington me mbështetjen e kongresmenëve amerikanë. Nga të gjitha këto, çfarë mund ta shtyjë Rusinë, të paktën teorikisht, për të mbështetur opozitën shqiptare?”, tha ambasadori rus.

“Ka edhe një moment tjetër interesant që dua ta përmend. Pak kohë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë një politikan me përvojë, e paraqiti lajmin e rremë për financimin e Partisë Demokratike si një fakt të vërtetuar.

Ai deklaroi haptazi se kandidatët për postin e Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit shqiptar caktohen dhe madje paguhen nga Moska. Kjo deklaratë më duket një gabim”, shtoi Karpushin. Por a jep Rusia financime publike për shqiptarët?

Ambasadori rus tregoi se kjo është një gjë e natyrshme, duke filluar nga bursat për studentë shqiptarë që studiojnë në universitetet ruse. “Në Rusi ekziston një program i posaçëm shtetëror, sipas të cilit qeveria u ofron çdo vit maturantëve të huaj bursa falas për të studiuar në universitete ruse. Dhe ky program realizohet edhe sot”, tha Karpushin.

“Universitetet ruse janë prestigjioze dhe tërheqëse për studentë nga e gjithë bota. Në vitin 2018 në kuadër të këtij programi më shumë se 15 mijë aplikantë nga e gjithë bota morën bursa studimi, duke përfshirë edhe 53 studentë nga Shqipëria. Këtë vit do të fillojnë studimet e tyre në Rusi edhe 51 studentë të tjerë shqiptarë.

Gjithsej, në Rusi janë diplomuar disa qindra shqiptarë, përfshirë këtu ambasadorë aktivë dhe drejtorë të drejtorive në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Të mos përmendim mijëra shqiptarë që studiuan në universitetet e Bashkimit Sovjetik, si për shembull shkrimtari Ismail Kadare i cili ka mbaruar në Moskë, apo babai i Kryeministrit aktual të Shqipërisë që është diplomuar në Akademinë e Arteve në Shën Petërburg”.