Zidane i mban pezull të gjithë, pret vetëm një telefonatë…

Në Itali këmbëngulin: me Champions të fituar, ose jo, e ardhmja e Massimiliano Allegrit do të jetë larg Juventusit. Trajneri livornez, pas 5 vitesh suksesi me bardhezinjtë, do të ishte gati për ta mbyllur eksperiencën në Torino dhe për të provuar një tjetër të re jashtë vendit, ndoshta në Premier League.
Juventusi nuk do që të gjendet i papërgatitur në rast të lamtumirës së Allegrit dhe mes alternativave për të zëvendësuar atë është Zinedine Zidane. Madje, ky i fundit, siç njofton këtë të mërkurë “Tuttosport”, ka kërkuar kohë nga Chelsea (që i ka bërë ofertë), sepse e josh ideja e kthimit te Juventusi, tashmë si trajner, ndaj pret një telefonatë nga presidenti Agnelli.
Në të shkuarën është folur edhe për interesim të Manchester United për trajnerin francez, por tashmë duket se po shkohet drejt konfirmimit të Ole Gunnar Solskjaer, edhe për faktin se Zidane nuk ka dhënë ndonjë sinjal pozitiv për mundësinë e drejtimit të Red Devils.
Marrëdhëniet mes Zidane dhe presidentit Agnelli mbeten mjaft të mira. Edhe “Zizou” është i joshur të rikthehet te bardhezinjtë, ku ka shkëlqyer si futbollist, sepse aty do të gjejë Cristiano Ronaldon dhe ndoshta mund të marrë nga Real Madridi dy ish-lojtarë të tjerë të tijtë, me të cilët fitoi tri herë radhazi Champions-in, Isco dhe Marcelo.
Ardhja e ish-trajnerit të “Los Blancos” mund të shihet në funksion të përmbushjes së objektivit, të kthyer në obsesion tashmë, fitimi të Ligës së kampionëve. Me CR7 në fushë dhe Zidane në stol, Juventusi do të ishte një ndër favoritët e mëdhenj të këtij kompeticioni, edicionin e ardhshëm.
Nëse gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur me Zidane, që të marrë vendin e Allegrit, atëherë mund të zgjidhet një tjetër francez, gjithashtu ish-lojtar e trajner i Juventusit. Fjala është për Didier Deschamps, që fitoi Kupën e Botës verën e vitit të kaluar me Francën e tij, të cilën e drejton akoma.