“Vatra” në krye të Diasporës që refuzon Samitin farsë të qeverisë Rama

Nga DALIP GRECA

Të shkosh në një Samit aq të fryrë nga propaganda qeveritare, aq pompoz, ku janë parashikuar 3 ditë aktivitete dhe mijëra Euro shpenzime, në një kohë kur vendi është në kaos, në krizë totale dhe i trazuar nga protestat që kërkojnë largimin e “kryeparit” të akuzuar për korrupsion, nuk ka asnjë kuptim tjetër, veçse të tentosh t’i vendosësh një patericë mbajtëse Qeverisë në kohë të vështira dhe t’u bësh karshillëk atyre që protestojnë dhe kërkojnë ikjen e tij.
– Të shkosh dhe të shpenzosh për 3 ditë paratë e shqiptarëve që vuajnë për bukën e gojës, është një tjetër karshillëk që u bëhet qytetarëve të varfër të atij vendi….
– Është më shumë se sa një Farsë e gjithë kjo komedi. Një qeveri që ka nda e përça shqiptarët në Atdhe si mund të bashkojë mërgimtarët nëpër Botë, një pjesë të të cilëve i ka përzënë ajo vetë duke ua bërë të pamundur jetesën në Vendlindje!?
Të Enjten, 28 Shkurt 2019, ora 7.00 P.M. fillon Samiti fasadë i Diasporës, organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko nën kujdestarinë e organizatorit real, Kryeministrit aq të përfolur e aq të kontestuar prej shqiptarëve.
Ministri i Diasporës, për gati dy vjet, u përpoq shumë që të bënte “babaxhanin” për t’ia mbushë mendjen Diasporës se ky Samit nuk do t’i ngjajë atij të parit, të Ramës, kur përveç fotografisë me Naltmadhninë e Tij-Kryeministrin, nuk ka mbetë asnjë gjurmë pas.
Majko bëri të pamundurën për t’u mbushë mendjen emigrantëve që të bëheshin pjesë e Samitit sepse “kohët paskan ndryshuar” dhe se në krye është ai vetë! Vetëm naivët mund t’i besojë premtimeve të një qeverie që i ka detyruar shqiptarët të marrin rrugët e Botës dhe çdo ditë zbrazin vendin. Të shkosh në një Samit aq të fryrë nga propaganda qeveritare, aq pompoz, ku janë parashikuar 3 ditë aktivitete dhe mijëra Euro shpenzime, në një kohë kur vendi është në kaos, në krizë totale dhe i trazuar nga protestat që kërkojnë largimin e “kryeparit” të akuzuar për korrupsion, nuk ka asnjë kuptim tjetër përveçse të tentosh t’i vendosësh një patericë mbajtëse Qeverisë në kohë të vështira dhe t’u bësh karshillëk atyre që protestojnë dhe kërkojnë ikjen e tij.
Vetë Ministria që mbanë emrin e Diasporës s’është gjë tjetër veçse një Ministri Fantazmë, që përveç shëtitjeve të Ministrit në SHBA , Kanada e Evropë me paratë e shqiptarëve, në përpjekjet e dëshpëruar për ta çuar në Samit, asgjë tjetër nuk i ka ofruar mërgimtarëve.

Të shkosh dhe të shpenzosh paratë e shqiptarëve, që vuajnë për bukën e gojës, është një tjetër karshillëk që u bëhet qytetarëve shqiptarë.
Është ironike kapja pas Bashkimit folklorik Kombëtar, emërtimit patriotik, që ka zgjedhë qeveria për ta shitur Samitin në Ditën historike të Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës si akt Kombëtar në kohët e reja!!!! Është më shumë se sa një Farsë e gjithë kjo komedi. Një qeveri që ka nda e përça shqiptarët në Atdhe si mund të bashkojë mërgimtarët nëpër Botë, një pjesë të të cilëve i ka përzënë ajo vetë duke ua bërë të pamundur jetesën në Vendlindje!?
VATRA ndjehet mirë që i doli parashikimi për Samitin e shkuar të Ramës. Ajo e denoncojë atë si fasadë të Kryeministrit siç kishte bërë para atij Samiti edhe me mjekët shqiptarë nëpër Botë; që i mblodhi, u fotografua me ata dhe bëri të kundërtën e këshillave të tyre. Propozimet e mjekëve i mori era, ndërsa shërbimi mjekësor ka shënuar nivelet më të ulta.
Pavarësisht peshës që përpiqen t’i japin vetes ata që shkuan në SAMIT, Diaspora në SHBA, është në krye të refuzimit të atij Samiti. Katër degët e Vatrës në Florida, dhe jo vetëm degët e Vatrës por asnjë shoqatë tjetër me peshë në komunitet nuk shkoi në Samit, ashtu si edhe në Nju Jork, ku me përjashtim të ndonjë përfaqësuesi-shoqërues të ndonjë shoqate lokale, Organizatat serioze nuk e morën mundimin të shkojnë pas qeverisë. E njëjta gjë ndodhi në Michigan kur Vatra e refuzoi prerazi, dhe haptazi Ministrin Majko që në ballafaqim me komunitetin, siç refuzoi VATRA edhe në Toronto, por jo vetëm Vatra, edhe organizatat e tjera të Kandasë me përjashtim të pjesëmarrësve të Samitit të parë, të tjerët nuk u bënë pjesë e farsës.
Po të nisemi nga ajo ç’ka kanë bërë publike organizatorët, në panele do të diskutohet :Të Drejtën e Votës për emigrantët, Zhvillimi ekonomik dhe i qëndrueshëm si dhe Identiteti Shqiptar. E drejta e votës është e drejtë Kushtetuese që nuk ka nevojë ta tjerrësh në Samite, ndërsa për Identitetin, Shqiptarët në Diasporë i kanë dhënë leksion shtetit shqiptar për më shumë se 100 Vjet, pastaj një Kryeministër që shpërfytyron Simbolet Kombëtare nuk mund të japë leksione për identitetin Kombëtar.
Ka një mijë arsye pse Vatra i tha Jo Samitit të Dytë të Diasporës, por në thelb, arsyet janë po ato të refuzimit të Samitit të parë, janë arsye logjike, parimore. Po sjellim të plotë tekstin e refuzimit që i bëri VATRA Samitit të parë, pa bërë asnjë ndryshim. Shiheni vetë nëse I qëndroi kohës parashikimi i Vatrës.

****
PËRSE VATRA I THA JO SAMITIT TË EDI RAMËS?
Edhe pak ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi ”Samit i Diasporës” i kryeministrit të Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelktorale të kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë,( tash e ka bashkuar ne një zgiq, gjoja zyre, por vetëm zyra nuk mund te jene, një hapësirë ku te zihet fryma nga ngushtësia)… Dhe kjo ndodh ne SHBA, ku jetojnë së paku gjysëm milion shqiptarë.
Vendimi i Federatës “Vatra” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesëmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan kryeministri. Me vota të hapura u vendos që Vatra të mos bëhej pjesë e një farse paraelektorale të Kryeministrit me argumentin se pjesëmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit.
Edhe Këshilli Drejtues i Vatrës, i mbledhur me 1 Tetor 2016, e la në fuqi vendimin e Kryesisë për mospjesmarrje në Samitin e nëntorit, që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë. Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se Vatra duhet të marrë pjesë në Samitin e Ramës ,me qëllim që ajo të mos ”vetëizolohej” apo “vetëpërjashtohej” nga samiti. Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që Vatra të ishte pjesëmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se ky Samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq por, ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar( Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj.

Por ku dhe si t’ia thoje Ramës të gjitha këto në një 5 minutëshin, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për organizatat historike, siç është Vatra me 104 vite jetë në SHBA?
Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotogarfisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky samit kanë për të mbetur pas: Fotografitë e Ramë(edhe në Fb), shëtitjet e planifikuara në qytetet turistike, dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të tij.
Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propaganduar me aq zë nga ambasada në Washington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa Vatrës i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një përfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?
Mënyra se si po e organizon kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeminstri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.
Ka zëra që thonë se Vatra nuk shkon në Samitin e Ramës sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e presidencës së Republikës së Shqipërisë.

Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por Vatra i ka dalë për borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e Partisë së Shpëtim Idrizit (Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “ Vatra më sheh si një njeri të dyshimtë”….
Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh Vatrën me dyshim. Vatra e takoi Kryeministrin Edi Rama më 26 shtator 2013 në hotelin”Four Sizen” në Manhattan, dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptar.
Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e veteraneve patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të persekutuarëve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shenja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vrenjtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist.
Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të më parshme, arritje të suksesshme në dobinë e vendit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.”
Vatra i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, Jo.

Vatra ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formularin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi Vatra në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht.
Ai ka ardhë shpesh në SHBA, pas atij takimi me Vatrën, por ndërkohë që ka pasë kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pa miratuar, por nuk ka pasë kohë që të vijë t’i hedhë një sy Vatrës, nga e cila kanë dalë Kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm… Nuk është Vatra që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë Vatrës.
Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbet të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelektorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe pakësojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj)
Ia pafsh hajrin këtij Samiti farsë i nderuar Kryeministër!