Shehi: Nëse policia e tepron, do t’i përgjigjemi si në të gjithë botën, do…

Opozita nuk do të jetë më pasive ndaj dhunës së ushtruar nga policia. Deklarata vjen nga Kryetari i LZHK, Shehi.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, thotë se ky është vetëm fillimi i protestave. I ftuar në Abc News, ai tha se demonstratat do të bëhen më të mëdha dhe do të rrethohen edhe institucione të tjera.
“Ky është një sezon i deklaruar protestash. Nuk ka asnjë gjë të re që të çuditesh. Demonstratë do jetë deri kur të mbarojë. Ky është vetëm fillimi. Do vazhdojë të bëhet gjithnjë, më e rëndë situata. Demonstrata do i bëjmë më të mëdha, do rrethojmë institucione të tjera. Nuk ka ç’të çuditesh tani. Ai që çuditet bën pjesë në rolin e budallait. Do vazhdojmë të bëjmë këtë punë derisa ai zotëria të jetë atje”, tha Shehi.
Sa i përket deklaratës së kryedemokratit se opozita nuk njeh më as policisë, Dashamir Shehi e shpjegoi në këtë mënyrë: “Nëse policia do e përdorë shkopin më shumë se duhet do i përgjigjemi policisë si në të gjithë botën. Këta kanë punë të mbajnë rendin. Për policinë jemi dy palët njësoj, si ata brenda parlamentit, si ne jashtë. Nëse policia nuk e kupton dhe shkel vijën e kuqe bën një gabim të madh dhe policët fillojnë rrezikojnë veten. S’është më policia Enver Hoxhës, është polici demokratike”.