Revolta në Parlament, nxihet Rama!

301

Shpërthen revolta në Parlament. Edi Paloka e gjuajti me bojë kryeministrin Edi Rama, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit.  Gjuatja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik.
Pasi Paloka hodhi bojë të zezë në fytyrën e kryeministrit Edi Rama, kreu i Kuvendit kërkoi me insistim që Paloka të dilte nga seanca. Në të kundërt do të kërkonte që të mblidhet Byroja e Kuvendit për përjashtimin e tij.
Paloka ka refuzuar të dalë nga salla, ndërkohë që shërbimi i Gardës në parlament i ka dalë përpara për të mos lejuar një sulm të dytë mbi kryeministrin.
Seanca është ndërprerë nga Ruçi dhe do të vijojë kur Paloka të ketë lënë sallën.

Reagimi i Berishës
Ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh për mediat para selisë së Kuvendit se, Rama shau kryetarin e opozitës Lulzim Basha.
“Kryetari i pseudo mazhorancës të fyejë kryetarin e opozitës. Merrni shihni kamerat se çfarë i tha kryetarit të opozitës. Kryetari i opozitë tha ato fjalë që ja thotë çdo shqiptar atij, por ai u lëshua me fjalë që ishin ofenduese. Nuk ka gjë më të rëndë sesa kryeministri shan në çdo moment opozitën dhe kreun e saj. Kryeministri një sharës i lindur. Këta janë gangsterë të pafytyrë”, tha Berisha.
Pyetje: Zoti Berisha, e dinte Edi Paloka që do të shante Edi Rama, ndaj mori bojë me vete në seancë?
Berisha: Urdhëro?! Po ku e di ti në mori bojë apo ishte stilografi?! Më thuaj, se ju po bëni dhe dedektivin tani! Po ai mund të kishte një stilograf me vete.
Pyetje: Duket nga pamjet e shpërndara nga PD-ja se kishte një shiringë.
Berisha: Kush?
Pyetje: Zoti Paloka…
Berisha: Mos ngatërroni gjë stilografin me shiringën, apo jo?! Ngatërron stilografin me shiringën!
Pyetje: A nuk është shkelje etike të bëhen skena të tilla, kur kishit edhe një mysafir në Kuvend?
Berisha: A ka gjë më të rëndë sesa kryetari i qeverisë në çdo dalje, shan opozitën?! Nuk ka asgjë më të rëndë. Nuk ndodh kund në botë. Vetëm në Venezuelë, me Maduron ndodh kjo. Këta janë gangsterë!