Prokurorja e komunizmit që dënoi qytetarin me 10 vjet burg pse nuk donte Enverin emërohet nga Rama anëtare e KLP

Nga Boldnews.al

Nurihan Seiti, sot anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ka qenë prokurore e procesit kundër Aleksandër Zarka, i dënuar me 10 vjet burgim në vitin 1989, pasi i pandehuri nuk ka shprehur dashuri për Enver Hoxhën.
Seiti, e cila sot është angazhuar për të realizuar “Drejtësinë e Re”, në periudhën e komunizimit ka qenë e angazhuar për realizimin e ‘Njeriut të ri”. Këtë qëllim ajo ka synuar ta realizojë, sidomos në proceset gjyqësor për “agjitacion e propagandë”.
Disa muaj më parë, Partia Demokratike publikoi disa dokumenta gjyqësore, në të cilën prokurorja Seiti kishte kërkuar dënime të rënda për persona që nuk ishin dakord me regjimin komunist. Por, periudha kur u publikuan këto dokumenta, ishte e ngarkuar politikisht dhe detajet nuk u panë me vëmendje nga publiku.
“Boldneës.al” po risjell ato dokumenta, duke dhënë detajet, për të kuptuar më qartë se cilët janë personat, të përzgjedhur sot për të reformuar sistemin e drejtësi, i cili pritet t’i hapë Shqipërisë rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Gjykata e Rrethit Fier, në dt. 12.06.1989, me pjesëmarrjen e prokurores Nurihan Seiti mori në shqyrtim çështjen gjyqësore kundër Aleksandër Zarka, punëtor, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë”.
…Nga hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje, del se i pandehuri Aleksandër Zarka është nga qyteti i Fierit dhe kohët e fundit i papunë. Ai, ndonëse rrjedh nga një familje me qëndrim të mirë, për vete, që në moshë të re, është karakterizuar nga mbeturina të huaja dhe mendime anti-socialiste, ku ka arritur që të futet në rrugën e tradhtisë ndaj atdheut…

…I pandehuri, pasi ka siguruar më parë lëndë grafiti, në orët e natës të datës 30.04.1988, është futur në shkallët e pallateve të ndryshme të lagjeve ‘Konferenca e Pezës”, “Kongresi i Përmetit”, të lagjes “Liri” dhe asaj “Apollonia” dhe, në muret e tyre, në katet e dyta, ka shkruajtur parulla me përmbajtje armiqësore, duke shprehur fjalë fyese në drejtim të themeluesit të Partisë, e pastaj është larguar prej andej.
Rreth orës 20.30, i pandehuri futet në një pallat të lagjes “Apollonia” dhe aty, në një mur, midis katit të parë dhe katit të dytë, shkruan të njëjtën parrullë, me përmbajtje armiqësore, duke shprehur fjalë fyese për shokun Enver Hoxha.
Në këtë moment, punonjësi i policisë, dëshmitari K.B., i cili kishte dyshuar më parë për veprimet e të pandehurit, e survejon atë dhe sapo ai del prej pallatit, i afrohet dhe e kap pranë një çezme, ku po lante duart.
I pandehuri, si në hetuesi, ashtu edhe në gjyq, nuk pranoi akuzën…
Por pretendimet e tij janë të pabazuara dhe hidhen poshtë me prova bindëse. Kështu, dëshmitari K.B., i cili është treguar shumë i mprehtë dhe vigjilent, duke dyshuar për veprimet e tij, i ka parë të gjithë lëvizjet e tij, derisa e ka arrestuar në flagrancë…
Në përfundim të këtij procesi gjyqësor, i pandehuri Aleksandër Zaka u dënua me 10 vjet burgim.

a 4

b 3

c 2