Komploti i ish-drejtuesve të FBI për rrëzimin e Trump, reagon Presidenti i SHBA

126

Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi të hënën se zyrtarë kryesorë të zbatimit të ligjit kanë kryer “tradhëti” kur në vitin 2017 kanë shqyrtuar mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për ta larguar atë nga detyra, ndërsa do të hapnin një hetim kundër tij për pengim të drejtësisë.
Nga vendpushimi i tij në Florida, Presidenti Trump kritikoi ish-drejtorin në detyrë të Byrosë Federale të Hetimeve Andrew McCabe. Ky i fundit të dielën gjatë emisionit televiziv “60 minuta” që transmetohet në CBS tha se ai dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin diskutuar rreth përdorimit të amendamentin të 25-të Kushtetutës që i jep mundësinë nënpresidentit dhe një shumice prej 15 anëtarësh të kabinetit, të shpallin një president të paaftë për të trajtuar detyrat presidenciale, duke bërë që nënpresidenti të marrë për pasojë pozitën e presidentit në detyrë.
Zoti McCabe tha se me shkarkimin nga detyra të ish-drejtorit të FBI-së James Comey në maj 2017 nga Presidenti Trump “mund të jetë kryer një shkelje e ligjit”. Gjatë kësaj periudhe zoti Comey drejtonte hetimin që po kryente agjencia rreth lidhjeve të zotit Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Disa ditë më vonë presidenti Trump tha se po mendonte lidhur “me Rusisë” kur vendosi të shkarkojë zotin Comey.
Vetë zoti McCabe i cili u shkarkua më vonë pas një veprimtarie 21 vjeçare në FBI, tha se: “nëse një president ka penguar drejtësinë, ka shkarkuar drejtorin e FBI-së për të ndikuar negativisht apo për të mbyllur hetimet mbi aktivitetin keqdashës të Rusisë dhe ndoshta në mbështetje të fushatës së tij, si një agjent i kundër-zbulimit, duhet të pyesësh veten, pse do ta bënte këtë një president i Shteteve të Bashkuara?’
“Të gjitha këto fakte na bënë të pyesim nëse ka një marrëdhënie të papërshtatshme, një lidhje mes këtij presidenti dhe armikut tonë më të frikshëm, qeverisë së Rusisë?”, shtoi zoti McCabe.

Ish-drejtori në detyrë i Byrosë Federale të Hetimeve tha se zoti Rosenstein, i cili do të largohet së shpejti nga Departamenti i Drejtësisë, ishte “absolutisht” dakort lidhur me çështjen e pengimit të drejtësisë si dhe hetimin ndaj zotit Trump.
Disa ditë pas shkarkimit të ish-drejtorit të FBI-së James Comey, zoti Rosenstein caktoi Robert Mueller-in si Prokuror të Posaçëm për të marrë përsipër hetimin ndaj Rusisë. Zoti Rosenstein u ngarkua me mbikëqyrjen e hetimit, pasi Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm Jeff Sessions hoqi dorë për shkak të bisedave të tij me ish-ambasadorin rus Sergej Kislyak gjatë fushatës zgjedhore. Një vendim që çoi zotin Trump në shkarkimin e zotit Sessions vitin e kaluar.
“Wow, kaq shumë gënjeshtra deri tani nga drejtori i turpëruar i FBI-së, Andrew McCabe”, tha Presidenti Trump në një postim në Twitter. “Ai dhe Rod Rosenstein, i cili ishte punësuar nga Jeff Sessions (një tjetër bukuri), duket sikur po planifikonin një akt shumë të paligjshëm dhe u kapën”.
Presidenti Trump shtoi se: “Duhen shumë shpjegime për miliona njerëzit që sapo e kishin zgjedhur një president që me të vërtetë e dëshironin dhe që ka bërë një punë të madhe për ta me ushtrinë, veteranët, ekonominë dhe shumë më tepër. Ky ishte një veprim i paligjshëm dhe prej tradhëtari”.
Zoti McCabe tha se kërkesa e Presidentit Trump në fillim të punës së administratës së tij ndaj ish drejtorit të FBI-së James Comey për të ndalur hetimin e FBI-së ndaj ish-këshilltarit të sigurimit kombëtare, Michael Flynn dhe diskutimet e tij me ish ambasadorin rus në Uashington, Kislyak gjithashtu kontribuan në dyshimet e FBI-së ndaj veprimeve të Presidentit Trump.
“Së bashku, këto rrethana ishin fakte që tregonin se mund të ishte kryer një krim “,tha McCabe. “Presidenti mund të thuhet se ka qenë angazhuar në pengimin e drejtësisë me shkarkimin e (drejtorit të FBI-së) James Comey-it.”
Zoti McCabe tha se Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rosenstein në një moment ofroi të pajisej me përgjues për një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump për të dokumentuar bisedat e tyre. McCabe tha se komenti i zotit Rosenstein u bë në një bisedë rreth shkarkimit të zotit Comey, por Departamenti i Drejtësisë tha vitin e kaluar se komentet e tij ishin me shaka e jo të një natyre serioze.

Andrew McCabe u shkarkua vitin e kaluar nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, një ditë para se të kualifikohej për të marrë pension të plotë nëse dilte nga puna. Departamenti i Drejtësisë tha se ai u shkarkua për shkak se ai kishte mashtruar hetuesit gjatë një hetimi të brendshëm mbi rrjedhjen e informacioneve për gazetën Wall Street Journal. McCabe ka hedhur poshtë këtë pretendim.
“Unë besoj se u shkarkova për shkak se hapa hetimet për një çështje kundër Presidentit të Shteteve të Bashkuara,” tha ai.
Senatori Lindsey Graham, ligjvënës republikan nga Karolina e Jugut, i cili është një nga mbështetësit më të fortë të Presidentit Trump, tha të dielën se ai ka në plan të hap një hetim për pretendimet e zotit McCabe, se kishte diskutime mbi një përpjekje për të rrëzuar Presidentin Trump në bazë të një amendamenti kushtetues.
“Prokurori i Përgjithshëm e mohon këtë,” tha Graham. “Do të kemi një seancë dëgjimore për të mësuar se kush thotë të vërtetën, se çfarë ndodhi në të vërtetë”.
Graham shtoi: “Ne jemi një demokraci, njerëzit zbatojnë ligjin, nuk mund ta marrin atë në duart e tyre. Pra, a ishte kjo një përpjekje burokratike për grusht shtet? Nuk e di”.
Robert Mueller 21 muaj më parë filloi hetimet mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, në rolin e Presidentit, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të pengonte hetimin.
Hetimet e tij kanë rezultuar në dënime për vepra të ndryshme të pesë zyrtarëve kryesorë të Presidentit Trump, përfshirë gjeneralin Flynn, ish-menaxherin e fushatës Paul Manafort dhe zëvendësin e tij, Rick Gates, ish këshilltarin për punët e jashtme George Papadopoulos dhe ish-avokatin Michael Cohen, ndërsa ndaj ish këshilltarit të zotit Trump, Roger Stone janë ngritur akuza kriminale.
Presidenti Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për bashkëpunim me Rusinë gjatë fushatës zgjedhore, si dhe akuzat se ka penguar drejtësinë.