Ish-Presidenti- delegacionit të PE: Nuk jeni në anën e shqiptarëve

Bujar NISHANI

Shumë e mirëpritur ishte vizita e disa parlamentarëve të Parlamentit Evropian në Shqipëri, për të adresuar situatën e një krize të rëndë politike, institucionale, ekonomike dhe shoqërore që po e çon këtë vend drejt kaosit me impakt të rëndë në të gjithë rajonin.
Për fat të keq rezultati i kësaj vizite rezultoi për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, zhgënjyese.
Mesazhi kryesor që shqiptarët dëgjuan nga disa prej parlamentarëve ishte artikulimi i një ndasie të madhe midis shqiptarëve.
E pasaktë kjo tezë, të nderuar parlamentarë !
Një ide e gabuar për ta kanalizuar kështu krizën e madhe në Shqipëri.
Vërtetë që edhe ne shqiptarët kemi angazhime, përkatësi, ndjeshmëri të ndryshme politike në kuptimin partiak.
Por ne jemi shumë pak që të jemi aq të ndarë sa ç’dëshiron klani anarkist i “rilindjes”.
Demokratë, socialistë, liberalë, konservatorë janë çdo ditë me njëri tjetrin në vendet e tyre të punës, në blloqet e tyre të banimit, në kafenetë e lagjes, madje edhe brenda familjeve të tyre.
Nuk ka asnjë urrejtje apo ndasi midis shqiptarëve, zotërinj !
Ndasia dhe urrejtja është midis qytetarëve me krimin e organizuar, që tek ne për fat të keq ka kapur pushtet politik.
Përballja dhe dallimi i madh është midis popullit që vidhet dhe pushtetarëve që zhvasin popullin më të varfër të Evropës.
Shqiptarët dëgjuan disa mesazhe për bashkëpunimin, respektim institucionesh, integrimin evropian.
Mesazhe këto shumë të mirëpritura.

Por, për fat të keq, shqiptarët nuk dëgjuan asnjë mesazh kundër krimit të organizuar, asnjë mesazh kundër korrupsionit të kthyer në kult dhe sistem, asnjë fjalë kundër përdorimit të vrasësve serial, bosëve të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe detashmenteve partiake në policinë e shtetit, në blerjen e votave dhe shantazhimin e votuesve të së djathtës.
Kongresi Amerikan (Voice of America), shumë më larg (në kontekstin gjeografik) ka mundur ta shoh dhe ta denoncoi blerjen e votave nga krimi i organizuar.
Deputetët e Parlamentit Evropian që vizituan Tiranën nuk e kanë parë dot atë maskaradë elektorale.
Mediat prestigjoze italiane, gjermane, britanike, franceze kanë paraqitur fakte dhe prova se si grupet e krimit të organizuar dhe trafikantët ndërkombëtar të drogës kanë tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se po pregatiten të vendosin rezultatin në zgjedhjet e ardhëshme.
Zëri i këtyre mediave prestigjoze nuk ka mbërritur ende tek parlamentarët që vizituan Tiranën.
Mekanizma të specializuar të Parlamentit Evropian konstatuan se 20% e votave u blenë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
20% e votave në sistemin tonë do të thotë që kjo “shumicë” e sotme, me rezultatin që mori, nuk do të mund të kishte më shumë se 60 vende në Parlament.
Për rrjedhojë do të ishte minorancë dhe jo maxhorancë.
Njëri prej parlamentarëve u tregoi shqiptarëve se kur këto ndodhin në vendin e tij, me këtë çështje merret drejtesia !!!!
Ne shqiptarët e dimë mirë se në vendin e tij, kurrë nuk ka ndodhur e nuk ndodh që bandat e vrasësve dhe trafikantët ndërkombëtar të drogës të përfshihen në proceset zgjedhore e jo më ti sigurojnë 20% të rezultatit partisë qeverisëse.

Deri këtu jo, ju lutem mos na fyeni !
Shqiptarët nuk dëgjuan asnjë fjalë se çfarë mendojnë parlamentarët evropian për 5 prioritetet e procesit të integrimit evropian.
Si mundet të flitet për integrimin pa gjykuar për procesin drejt tij ?
Njëri prej deputetëve shkoi deri atje sa të inkurajonte kthimin e sistemin monist në Shqipëri !
Kjo përbën fyerjen më të madhe ndaj dinjitetit dhe integritetit të shqiptarëve në këto 27 vite të pluralizmit politik.
Kjo përbën një fyerje ndaj mijëra viktimave të ekzekutuara nga diktatura, ndaj dhjetra mijërave të interrnuar në kampet e përqëndrimit nga rregjimi i Hoxhës për shkak të përpjekjeve të tyre për liri dhe demokraci.
Sot, shqiptarët janë më të vendosur se kurrë më parë që ta kthejnë Shqipërinë në rrugën e idealeve, parimeve, standardeve, dinjitetit, integritetit, civilizimit evropian.
Hapi i parë, i përfaqësuesve të shumicës së shqiptarëve duke dorëzuar mandatet e një parlamenti ilegjitim është një vendim historik në shërbim të një të ardhmje krejt ndryshe nga kjo që sot vuajnë shqiptarët dhe që bie ndesh thelbësisht me standardin evropian.
Sot, në Shqipëri nuk ka një përpjekje politike të partive në opozitë për të marrë pushtetin në tavolinë.
Sot, në Shqipëri ka nisur një lëvizje e madhe qytetare, për një ndryshim të madh në sistemin politik, në proçesin e ndërtimit të institucioneve, në mënyrën e sjelljes së pushtetarëve ndaj qytetarëve, në ekonominë e shqiptarëve, në imazhin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Ata që nuk e shohin dhe nuk e kuptojnë këtë lëvizje të madhe qytetare, nuk janë në krah të shqiptarëve në përpjekjen për projektin e tyre evropian.