Icardi po “digjet”…

Telenovela që ka nisur Mauro Icardi me Interin po e dëmton klubin zikaltër, por mbi të gjitha pasojat në fund do i vuajë vetë lojtari.
Sulmuesi është ndalur së luajturi që nga 9 shkurti, ndërsa forma e tij ka qenë negative, pasi nuk ka shënuar që prej dhjetorit të vitit të kaluar.
“Sky Sport” ka bërë me dije se trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk do e grumbullojë 26-vjeçarin për miqësoret e marsit, kundër Venezuelës dhe Marokut. Icardi mund ta rëndojë edhe më tej situatën nëse nuk rikthehet të luajë me skuadrën zikaltër, aq më tepër nëse vendos të operohet në gju, që do kërkonte 3-4 muaj kohë për t’u rikuperuar.
Në këtë rast ish-kapiteni i Interit do të humbiste mundësinë për të luajtur në Copa America, që zhvillohet nga 14 qershori deri më 7 korrik në Brazil. Kështu Icardi do të humbiste mundësinë për të ruajtur vijimësinë në kombëtare, për të cilën u bë aq shumë zhurmë derisa u grumbullua dhe filloi të aktivizohet.