Konkurrenca nis vlerësimin për dyfishimin e çmimeve dysheme për shërbimet dentare

259
Knowing exactly what to do. Neat qualified private doctor reaching for her dental mirror for running a checkup on her little patient

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka marrë dijeni në lidhje me njoftimin e bërë publik nga Asambleja Kombëtare e Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar.
Sipas listës së publikuar, Urdhri i Stomatologut ka vendosur çmime dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare për: Terapinë, Ortopedinë, Kirurgjinë dhe Ortodoncinë.
Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka si mision mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të nenit 69 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës të çdo projekt-akti normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me: a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.
Për sa më sipër Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë këtë akt normativ dhe do të shprehet me vendimmarrje nga ana e Komisionit të Konkurrencës nëse ky akt bie në kundërshtim ligjin nr. 9121/2003, përfundon njoftimi i Autoritetit.

Vendimi i Urdhrit të Stimatologëve
Prej fillimit të 2019-s, klinikat dentare në vend janë të detyruara që të bazohen në listën e re me çmimet dysheme për shërbimet bazë që ofrojnë, të caktuar në një shkresë të Urdhrit të Stomatologëve. Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, përpara 1 janarit, pacientët në klinikën e tij duhet të paguanin 2,000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë, ose dyfish.
Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare. Pjesa më e madhe e klinikave në vend për vizitat e pacientët (ekzaminim me sy) i kanë falas, por prej 1 janarit për vizitat çmimi dysheme është 500 lekë. Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë (2.000 lekë më shumë, shtrenjtim 67%).
Çmimi për pastrimin e gurëzave dhe të cipave bëhet 3.000 lekë, nga 1.500 lekë, sa dyfishi. Heqja e dhëmbëve bëhet 1.000 lekë nga 500 që ishte.
Çmimet referencë dysheme aplikohen për klinikat dentare në të gjithë vendin.
“Monitor” kontaktoi me Urdhrin e Stomatologut për ta pyetur mbi mënyrën se si janë përcaktuar këto çmime dysheme. Përfaqësues nga Urdhri i Stomatologut argumentuan se është vënë një dysheme, duke marrë në konsideratë një mesatare të një kampioni klinikash ku janë kërkuar lista çmimesh dhe është bërë një mesatare për të nxjerrë çmimet referencë.
Lista e çmimeve është miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar, si dhe kjo listë çmimesh i është bërë e ditur Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për t’u implementuar në kasat fiskale. Për shërbimet e tjera, që nuk janë përfshirë në listë, dentistët janë të lirë të vendosin vetë çmimet.

“Monitor”