Zëri i Amerikës: Si po mbrohet qeveria ndaj skandalit 18 milionë euro me Unazën e Re

327

Në Shqipëri, drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit” Ylli Rakipi, ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën, pas publikimit të dokumentave të falsifikuar që ishin përdorur nga kompania që fitoi garën për një pjesë të punimeve në Unazën e Re të Tiranës. “Kërcënimet në drejtim të gazetarit, janë të formave të ndryshme. Ato janë bërë së pari në mënyrë indirekte, nëpërmjet postës elektronike dhe më pas edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Lidhur me këto kërcënime, gazetari u është drejtuar organeve kompetente”, shkruhet në portalin TPZ.al të drejtuar nga zoti Rakipi.
Për ngjarjen pati sot reagime nga Presidenti Ilir Meta dhe nga opozita, të cilët dënuan me forcë kërcënimet. Presidenti Meta takoi personalisht zotin Rakipi duke i bërë thirrje “institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve.”. Për Partinë Demokratike “kërcënimi ndaj Ylli Rakipit nuk është thjesht kërcënim ndaj një gazetari, por është kërcënim ndaj gjithë shoqërisë sonë. Kur krimi guxon të kërcënojë një njeri të medias, në kohën kur autorët e skandalit janë të gjithë të identifikuar, kjo do të thotë vetëm një gjë: krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia”, shkruhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Emisioni “Të Paekspozuarit” në televizionin News 24, zbuloi se kompania amerikane Dunwell Haberman e cila fitoi garën përmes degës së saj në Shqipëri DH Albania kishte falsifikuar dokumentat që kishte paraqitur në tender, i cili më pas u anullua.

Gjatë një emisioni të dytë, zoti Rakipi ishte shprehur gjithashtu se pas kompanisë fantazëm fshihej biznesmeni Bashkim Ulaj.
Më herët “Zëri i Amerikës” ngriti dyshime serioze për lidhjet mes zoti Ulaj dhe DH Albania, e cila kishte zyrat në ABA Center, godinë e ndërtuar nga zoti Ulaj dhe ku janë zyrat qëndrore të kompanisë së tij Gener 2. Përfaqësuesi i DH Albania gjithashtu ka lidhje familjare me zotin Ulaj, ndërsa punonjës të Gener 2, rezultojnë të përfshirë në plotësimin e dokumentave të DH Albania. Një fakt të tillë e dëshmoi dhe një artikull i publikuar nga BIRN, i cili zbuloi se një procedurë në emër të DH Albania është kryer dhe paguar nga Gener 2 dhe juristja e kësaj kompanie.
Ndonëse e themeluar në korrik të këtij viti, DH Albania mundi të bëhej fituese e dy tenderave të mëdhenj, një për ndërimin e një pjese të Unazës së re me vlerë 18 milion euro pa TVSH, dhe një tjetër për ndërtimin e një linje tensioni të energjisë elektrike Burrel-Peshkoi, me vlerë 12 milion euro.
Autoritetet zyrtare u mbrojtën pas faktit se formalisht kompania i kishte dokumentat të rregullta dhe se ato nuk kishin patur të dhëna që t’i bënin të dyshonin për të nisur verifikime ndaj saj, pavarësisht faktit se përfaqësuesi i DH Albania ishte vetëm një 26 vjeçar i panjohur, Avdjol Dobi, pa asnjë lloj experience të mëparshme në asnjë prej fushave ku kompania e tij fitoi garat.
Prokuroria nga ana e saj ka nisur hetimet, por deri tani duket se është mjaftuar vetëm me sekuestrimin e dokumentave, ndërsa i është drejtuar dhe autoriteteve amerikane, për të vërtetuar falsifikimet.